Galeria ime


Rrnofte Shqiperia Etnike

Saturday, October 8, 2011

Xhavit Haziri - Hero i merituar nga autori Ramadan PLLANA

Dëshmi të kohës - Ramadan Pllana

Xhavit Haziri
  një  hero  i  merituar


*Mue n’ iden t’eme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë armiqvet ! Ka me më shtrue vetëm vdekja !
 *Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im !
 *Dhe, para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj !

(Hasan Prishtina

 Zvicer,gusht 2011

Po e filloj këtë shkrim, edhe kësaj here, me mendimet, këshillat dhe amanetin e të madhit Hasan Prishtina, sepse heroi i këtij shkrimi e kishte pasur idhull atdhedashurie ideologun e Shqipërisë Etnike – heroin kombëtar Hasan Prishtina, mendimet e të cilit i citonte shpesh, sidomos kur ishim në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.
shkruan Ramadan Pllana 

Xhavit Haziri, Ukshin Hoti, Hafir Shala, Hysen Zogiani, e të gjithë veprimtarët tjerë të çështjes sonë kombëtare, të cilët u rrëmbyen e u zhdukën nga SUP-i - ish-UDB-ja famëkeqe, nuk e meritojnë një injorim, një harresë e një neglizhencë që u bëhet nga institucionet e shtetit të Kosovës. E them këtë fakt sepse, po të këmbëngulej me vendosmëri zbardhja e rrëmbimit të tyre para Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare, kur dihet se kush ishin zyrtarët e administratës së dhunshme serbe, në atë kohë, që i kidnapuan këta veprimtarë të dorës së parë të çështjes sonë kombëtare. Ndërsa qarqet kompetente ndërkombëtare, UNMIK e EULEX, bëjnë çmos për personat e pagjetur, por vetem kur është fjala për serbët e vrarë, dhe nuk kursehen për të shantazhuar, madje edhe arrestojnë e dënojnë shqiptarë të pafajshëm, gjoja për zhdukjen e serbëve që në realitet, nëse dikush nga ata ishte vrarë nga UÇK -ja, nuk ishin njerëz të thjeshtë por kriminelë me damkë që kishin ardhur në Kosovë për të vrarë e masakruar popullsinë e pafajshme shqiptare; sot një numër i madh i kriminelëve të tillë sillen lirshëm në Kosovë dhe në Serbi. Nga kjo ”drejtësi”, me kute ndërkombëtare, bashkë me institucionet përkatëse kosovare, më kujtohen mendimet gjeniale të shkencëtarit të madh gjerman, Albert Ajnshtajn, i cili kur flet për lirinë e njeriut e thoshte, edhe këtë: « Pohimit se ka fjalë të lirë të njeriut në kuptimin filozofik nuk i besoj aspak. Secili vepron jo vetëm nga një shtrëngesë e jashtme, por gjithashtu edhe sipas një shtrëngimi të brendshëm ». Hashim Thaçi, kryeministër, dhe Xhavit Haliti, kuvendar, të Republikës së Kosovës, e kanë përgjegjësinë kryesore për të kërkuar zbardhjen e fatin të Xhavit Hazirit, heroit tonë kombëtar, sepse ky ishte njëri nga aktivistët dhe shokët më të afërm të tyre dhe më të besueshëm në kuadër të veprimtarisë ilegale të LPK-së dhe të krijimit e strukturimit të UÇK-së.

3 shtator 2011 është ditëlindja e 51-it e Xhavit Hazirit, kurse më 17 shtator mbushën 13 vjet nga zhdukja e tij, kur u kidnapua në Prishtinë nga UDB-a famëkeqe në mënyrë tinëzare. Mendimet dhe amanetin e Hasan Prishtinës, Metush Krasniqit, Fazli Greiqevcit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Fadil Vatës, Adem e Hamëz Jasharit e shumë e shumë dëshmorëve të tjerë, për të cilët kishte një konsideratë të lartë, -ky atdhetar i dorës së parë i çoi me besnikëri deri në fund të jetës së vet. Sepse, e kishte një ideal të tillë kombëtar, si të Hasan Prishtinës, dëshmoi edhe jeta dhe veprimtaria e Xhavitit të cilin nuk e nënshtruan, as ndjekjet e burgosjet e UDB-ës famëkeqe, nuk e nënshtruan as mëria e armiqve e as lakmia për ndonjë pozitë të rrejshme në pushtetet fiktive e çoroditëse, po nuk e nënshtroi as zhdukja tinëzare apo vrasja e tij nga hienat e përtej Karpateve, sepse, ky burrë i madh i kombit; bashkë me shokët e vet, i bashkoi grupet guerile shqiptare në Kosovë dhe ishte promotori i krijimit të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta mundur deri në fund armikun shekullor.


Fehmi Lladrovci, kreshniku i Drenicës, ishte shoku i tij më i besueshëm e i pandarë në luftën për liri e ribashkim kombëtar, qysh nga vitet 80-ta, pastaj në vitet 90-ta do të lidhet me trimat e Adem Jasharit, me komandantin legjendar të UÇK-së, dhe i paluhatshëm do të veprojë në organizatën ilegale - LPK dhe, në kuadër të kësaj organizate, do të formojnë e strukturojë edhe UÇK-në. Rrëmbimi i tij nga kriminelet e UDB-ës serbe në Prishtinë më 17 shtator të vitit 1998 do t’i bëhet pesë ditë para vrasjes së shokut të tij më të devotshëm, Fehmi Lladrovcit dhe shoqes së tij, Xhevës, të clilët i quante « Shotë e Azem Galica », që ranë heroikisht, më 22 shtator të njëjtit vit, në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. 

Të shkruash për shokët që tërë jetën e vet ia kushtuan lirisë dhe ribashkimit të atdheut – Nënës Shqipëri, jo vetëm që është një borxh kombëtar por, njëkohësisht, është edhe një përgjegjësi morale e historike, sidomos për ne bashkëveprimtarët e tyre, që t’i shkruajmë sa më me vërtetësi ngjarjet reale në mënyrë që brezat e ardhshëm t’i kenë të gjallë në kujtesën e tyre historike e të përjetshme.
Dëshmorët nuk vdesin kurrë, sepse me flijimin e tyre për atdhe, me amanetin që na e lanë, duke ndjekur porositë e tyre do t’i kujtojmë si të gjallë në ndërgjegjen kombëtare e njerëzore duke ua përcjellë brezave të ardhshëm. Heronjtë e dëshmorët, nëse harrohen nga populli i vet, atëherë ky popull është i gjykuar që ta përsërisë historinë e tij tragjike, -ky është një mësim historik që është dëshmuar shumëherë, posaçërisht te popujt e robëruar gjatë shekujve të kaluar. Emri, vepra dhe shembulli i dëshmorëve kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë yje udhërrëfyese të përhershme për çlirim e ribashkim kombëtar. Kush i nderon dëshmorët e nderon popullin, e nderon veten, e respekton historinë e lavdishme kombëtare, e siguron të tashmen dhe të ardhmen e atdheut.
Xhavit Haziri, është njëri nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare. Ai, qysh nga mosha e hershme rinore u aktivizua në organizatat ilegale që luftonin për çlirim e ribashkim kombëtar, duke qenë njëri nga udhëheqësit më të merituar të strukturave drejtuese të këtyre organizatave.
Intensiteti kulmor i veprimtarisë së tij patriotike, me shembuj konkret, nga viti 1985 e këndej ishte i pandërprerë derisa e rrëmbyen kriminelet e UDB-ës serbe.
- ”Nga penda në pushkë duhet të veprojmë për ta fituar lirinë, vetëm me llafe nuk ka fryte”, -e përsëriste shpeshherë para shokëve qëndrimin e tij prej një veprimtari të paepur.
Xhavit Haziri, shpallet Hero i Kosovës për kontributin e tij ndaj atdheut më 26 Nëntor të vitit 2010 nga Jakup Krasniqi, ushtrues i detyrës së Kryetarit të Kosovës, i cili me rastin e festave të 28 Nëntorit,  ndaru 31 dekorata e medalje për personalitet më të njohura te çeshtjes kombetare. 
Pak fjalë për biografinë e Xhavit Hazirit.

Është lindur më 3 shtator të vitit 1960 në fshatin Druar të Vushtrrisë nga babai Bajram Hamit Haziri, lindur më 1931, dhe nga nëna Fahrije Fazliu – Haziri, e lindur më 1940 në fshatin Resnik të Vushtrrisë. Xhaviti, ishte fëmija i dytë, i kësaj familje, pas Mexhitit, i lindur më 1957, pas tij do të lindin edhe pesë djem, Nexhmedini, 1963, Shemsedini, 1965, Fadili, 1968, Arsimi, 1965 dhe Urani, i lindur më 1977. Ky fshat që gjendet në jug-perëndim të qytetit, në Artakoll, afër dhjetë kilometra, me një pozitë të mirë gjeografike në rrafshin e Kosovës, pranë vijës hekurudhore Selanik-Mitrovicë, e ndërtuar më 1873, duke u shtrirë deri buzë Qyqavicës legjendare. Artakolli i Vushtrrisë, ka një përfshirje gjeografike afër njëzet kilometra duke filluar nga Gurbardhi e Ashlani, në veriperëndim e deri në Trimor, ish-Zhilivodë, në jugperëndim të kësaj komune.
Historia e kësaj treve është e lidhur ngushtë me të gjitha ngjarjet historike që kanë ndodhur, qysh nga Beteja e Kosovës, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nga kryengritjet shqiptare të udhëhequra nga Isë Buletini e Hasan Prishtina, nga Lëvizja Kaçake, me Azem Bejtën e Shotë Galicën në krye, e deri te lufta heroike e UÇK- së, me komandantin legjendar Adem Jashari në krye të saj.

-Me këtë rast kisha për ta cekur që, këngët legjendare për Milush Kopiliqin që janë mbledhur nga studiuesi serb, Glisha Elezoviq, i cili shkon tek i burgosuri shqiptar Hamëz Xhemë Bojku në një burg të Serbisë më 1923 dhe prej tij i merr këngët që i ka kënduar rapsodi i këtij fshati, Hamëz Xhemë Bojku, i cili i këndonte me bindjen se, po rrëfente historinë e të parëve të vet; -ky, ishte dënuar me vdekje që kishte luftuar forcat pushtuese serbe. Pra, edhe në këtë fshat, në odat e të cilit bisedohej, këndohej e festohej e kaluara e lavdishme historike, ku ishte trashëguar bujaria, trimëria, besa e mikpritja shqiptare me shekuj, brez pas brezi, do të frymëzohen brezat atdhetarë në vazhdimësi të kësaj ane. Për lexuesit e nderuar, dua të përkujtoj faktin që, në katundin Druar, ka familje që edhe sot, kanë mbiemrin, Kopiliqi.
Një mbresë e gjallë nga shkolla e odës shqiptare që do t’i ngulitet në ndërgjegjen e Xhavitit, e që do ta përcjellë deri në vdekje, ishin fjalët e paharruara të heroit tonë kombëtar, Hasan Prishtinës, që përcilleshin në popull brez pas brezi : “ Unë kam një rrugë të caktueme para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje – rrugën e independencës ma të plotë të tanë Shqipnis!”. Bajram Haziri, babai i Xhavitit, ishte i etshëm për dije e shkollim, kishte arritur që të kryente shkollën e mesme teknike, në atë kohë, dhe dëshira e tij ishte që t’i shkollonte edhe fëmijët e vet. Ka punuar në Elektroekonominë e Kosovës në Kastriot, ish Obiliq, dhe kishte marrë banesë në këtë qytet, më 1963, për të qenë më afër punës dhe për t’i shkolluar fëmijët më afër Prishtinës. Këtu, do të rritet e shkollohet Xhaviti, por, pa e harruar, në asnjë çast, fshatin e lindjes, ku shkonte shpesh, sidomos gjatë pushimeve, dhe interesohej të dëgjonte bisedat në odat fshatare- në ato shkollat popullore. Kishte dëshirë që të shkonte në fshatin e lindjes e në fshatrat ku kishte kushërinjtë, te dajtë e tij në Resnik, e në shumë fshatra të Vushtrrisë, ku, nga bisedat që zhvilloheshin për trimëritë heroike të popullit shqiptar, pothuaj i regjistronte të pashlyera në trurin e vet.
Gjithashtu, qysh i ri kishte dëshirë që ta vizitonte Qyqavicën, “Olimpin” e trimave të Milush Kopliqit, Isa Buletinit, Hasan Prishtinës, Shotë Galicës e Azem Bejtës, Shaban Polluzhës,etj., “Olimp”, ku do të ushtronte edhe vetë, bashkë me disa shokë, në vitet e 90-ta, për të mësuar përdorimin e armëve, me të cilat do ta luftonin e ta shporrnin, njëherë e përgjithmonë, armikun shekullor që i kishte shkelur këto troje të pastra shqiptare. Kjo trevë, pastaj do të bëhet edhe varri kryesor i soldateskës serbe, kur trimat me krahët e shqipeve të UÇK-së, në krye me komandantin legjendar, Adem Jasharin, do t’i shporrin, bashkë me aleatët e NATO-s, përfundimisht hordhitë karpatiane në qershor të vitit 1999. Buzë këtij “Olimpi”, në një thep shkëmbor, do të bie heroikisht edhe shoku i tij më i ngushtë gjatë tërë veprimtarisë së tij, gjithashtu një kreshnik legjendar, i pavdekshmi, dëshmori Fehmi Lladrovci, bashkë me shoqen e vet të jetës- dëshmorja Xhevë Krasniqi- Lladrovci.
Xhaviti, do t’i kryej me sukses të shkëlqyeshëm, shkollën fillore dhe të mesmen në Kastriot, ish-Obiliq. Aty, do të njihet me shumë shokë të idealit të vet, me të cilët do të veprojë gjithnjë për çështje kombëtare. Do të gjejë e lexojë literaturë ilegale dhe do të bëhet njëri nga militantët më të zellshëm në Kastriot, Vushtrri, Prishtinë, Drenicë, Llap e në mbarë Kosovën…
Më vonë, pas disa ndjekjeve e burgosjeve, në vitet e 90- do të arrinte që të kryente edhe shkallën e parë të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Xhavit Haziri, bashkë me shoqën e jetës së vet, Remën, më 14 gusht 1997

Xhavit Haziri, nga familja e ngushtë, ka lënë pas vete shoqen, Remzije Hajdini, e lindur në Prishtinë më 1963 dhe dy djem, Çlirimin, i lindur më 3 shtator 1991 në Drenas, ish -Gllogovc, dhe Shqipërimin, i lindur më 28 gusht 1993 në Prishtinë, emrat e djemeve tregojne e deshmojne enderren e heroit! 
VEPRIMTARIA PATRIOTIKE E XHAVIT HAZIRIT

-“ Udhëheqësit partiakë e shtetërorë dirigjohen nga konjukturat e qarqeve diplomatike të shteteve të mëdha dhe janë bërë sikur robotë! T’i mbyllësh sytë para kësaj gjendjeje të mjerë që e ka kapluar popullin do të thotë të mos kesh kurrfarë ndjenje kombëtare”. (Xhavit Haziri)

Xhavit Haziri, është njëri nga veprimtarët më të devotshëm për çlirim e ribashkim kombëtar që nuk do të luhatet e nuk do të ndalët kurrë në rrugën e përcaktuar e të trasuar për ta bërë bashkimin e kombit shqiptar në një Shqipëri Etnike, aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë, qysh nga ideologët e udhëheqësit e Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me vëllezërit Frashëri, Pasko Vashë Shkodrani, Sylejman Vokshi etj. Nga Pavarësia e Shqipërisë, Ismail Qemajli, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi etj. nga LNÇ e Shqipërisë, me Enver Hoxhën në krye, dhe nga idealet e nga gjaku i derdhur për atdhe i të gjithë dëshmorëve të kombit tonë.
Demonstratat heroike studentore e popullore të vitit 1981, për të cilat edhe Xhaviti, bashkë me shokë, kishte dhënë kontribut e vet, i kishin dhënë një impuls të fortë popullsisë shqiptare për të vazhduar luftën për drejtësi e barazi dhe nuk kishte forcë që ta shmangë nga kjo rrugë, megjithë dëmet që i kishte sjellë regjimi titist duke vrarë, duke arrestuar, duke dënuar, e duke larguar nga puna e nga studimet universitare pjesën më të ndërgjegjshme të Kosovës e viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi. 
Ky djalosh, tashmë me një vetëdije të lartë kombëtare, do të përpiqet që kjo Lëvizje e madhe popullore të vazhdojë për ta mbajtur këtë gatishmëri të forcave popullore për liri e bashkim, forca që do të luftonin, pa ndërprerje deri në krijimin e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ky do të jetë njëri nga bartësit kryesor të bashkimit të organizatave ilegale, bashkim pa dallim ideje, feje a krahine, ashtu siç e kishin filluar Metush Krasniqi, Adem Demaçi, Hyrije Hana, Mulla Ramë Govori, Ahmet Haxhiu etj. në shtator të vitit 1974 në Dajkovc të Dardanës, të cilët projektuan Lëvizje Nacional Çlirimtare të Kosovës; gjithashtu do ta mbartë vazhdimësinë e unitetit të Lëvizjes gjithëkombëtare të nisur nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka që i vrau dora vrastare e UDB-ës famëkeqe më 17 janar të vitit 1982. Në Turqi, zyrtarisht, ishte formuar Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ), një muaj pas vrasjes makabër të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, nga përfaqësues të dy grupimeve patriotike të fshehta, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica (të arratisur politik nga Kosova), kur me ndërmjetësimin e ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, Bujar Hoxha shpallin bashkimin e organizatave ilegale. LRSSHJ ishte vazhdimësi e organizatave, LNÇKVSHJ, OMLK, FKP dhe i PKMLSHJ. Ky bashkim kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për të drejtat e barabarta të shqiptarëve me popujt tjerë në ish-Jugosllavi, për krijimin e Republikës së Kosovës bashkë me të drejtën për shkëputje në rast të shpërbërjes së RSFJ-së. Edhe pse në shtetet perëndimore kishte një bashkim të fuqishëm, kjo është parë në demonstratat e përbashkëta të organizatave ilegale, praktikisht nuk u arrit bashkimi-shkrirja e mirëfilltë, sepse krerët e ish-organizatave, Sabri Novosella (LNÇKVSHJ), Abdullah Prapashtica (PKMLSHJ) dhe Xhafer Shatri (OMLK) nuk ishin të denjë për një bashkim-shkrirje të vërtetë të kësaj organizate të re, sepse nga përçarjet e tyre, madje edhe duke e quajtur njeri-tjetrin spiun të UDB-as, kishin ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e organizimit të përgjithshëm kombëtar, si jashtë ashtu edhe brenda atdheut. Por veprimtarët e paepur për të cilët ATDHEU ISHTE MBI TË GJITHA nuk pushuan kurrë në shërbim të atdheut deri në formimin e UÇK-së në vitet 90-ta.
Xhavit Haziri, kishte një shqetësim të madh për bashkimin e grupeve ilegale të shkapërderdhura, pa një qendër organizative. Mu për këtë, ai me shokë, në fillim të vitit 1985 mbajnë mbledhjen e bashkimit të organizatave ilegale, si hap të parë drejt një Lëvizje gjithëkombëtare duke bërë Këshillin Organizativ, formuan organizatën Marksistë -Leninistët e Kosovës, ku edhe zgjodhën udhëheqësinë e vet me këta veprimtarë: Xhabir Morina, sekretar politik, Xhavit Haziri, sekretar për propagandë, informim dhe shtyp, Fehmi Lladovci, sekretar për çështje ushtarake, Bashkim Mazreku, sekretar organizativ, Bajram Limani, sekretar për sigurimin e bazave etj. Në këtë grup të bashkuar, veprimtarë të dalluar do të jenë edhe Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Nuhi Ahmeti, Abdullah Dërguti, Hilmi Reçica, Hajdin Abazi, Shaban Shala, Sadik Halitjaha, Elmi Zeka etj.
Këshilli Organizativ në përbërje të Xhavit Hazirit, Xhabir Morinës, Bashkim Mazrekut, Ali Ahmetit e Shaban Shalës në prill të vitit 1985 formojnë Komitetin Organizativ të Marksistë -Leninistët e Kosovës MLK. Komiteti i MLK-së ishte pararojë e LPRK-së. Shaban Shala e Fehmi Lladrovci formojnë Komitetin e Rrethit të MLK-së në Drenas, ish-Gllogoc. Gjatë vitit 1985, u formua Komiteti i OMLK-së, në Prizren, Suharekë, në Prishtinë, Ferizaj, në Kaçanik, Vushtrri, Tetovë, Kërçovë, Strugë, Bujanovc, Klinë, Pejë etj. Në këtë riorganizim formohen edhe shumë Këshilla Popullore të LPRK-së, një ndër ta ishte edhe Këshilli Popullor i LPRK-së në Prekaz, i formuar më 1985 nga Adem Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Nuredin Lushtaku etj., që kishte lidhje me Fehmi Lladrovcin.
Në fillim të nëntorit të vitit 1985 u arrestuan disa aktivistë të LPRK-së dhe të grupeve tjera.
Xhabir Morina, Ramadan Haziri, Metush Krasniqi, Bilall Sherifi, Fehmi Lladrovci, Shaban Shala, Elmi Reçica, Skënder Osmani, Elmi Zeka, Skënder Luzha, ndërsa, Xhavit Haliti, Xhavit Haziri, Hajdin Abazi dhe Nuhi Ahmeti, u dënuan në mungesë. Xhaviti, iu kishte ikur nga duart agjentetëve dhe policëve të Sigurimit të atëhershëm të Kosovës, kur këta kishin dashur që te arrestojnë, ka qëndruar në ilegalitet derisa, i bien në gjurmë... Në vitin 1986 grupi i MLK-së do të dënohet në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, me këtë kohëzgjatje:
Xhabir Morina, me 13 vite burg, 
Elmi Reçica, me 11 vite burg, 
Xhavit Haziri, me 9 vite burg
Fehmi Lladrovci, me 9 vite burg, 
Shaban Shala, me 7 vite burg, 
Agron Morina, me 11 vite burg, 
Idriz Hyseni, me 6 vite burg, 
Ali Elshani, me 6 vite burg,
Nuhi Ahmeti, me 6 vite burg, 
Sabit Tahiri, me 6 vite burg, 
Nysret Pllana, me 6 vite burg, 
Xhevat Ukshini, me 8 vite burg, 
Skënder Luzha, me 3 vite burg, 
Fatmir Sulejmani, me 5 vite burg, 
Fatmir Thaçi, me 5 vite burg, 
Abdullah Dërguti, me 9 vite burg, 
Rexhep Dugolli, me 6 vite burg,
Elez Zogu, me 2 vite burg. 

Xhavit Haziri, si gjatë hetuesisë në organet e SUP-it të Prishtinës, si gjatë gjykimit, ashtu edhe gjatë vuajtjes së dënimit ka qenë shembull i sakrificës dhe i papërkulshmërisë.
Nga burgu i Prishtinës dërgohet në burgun e Foçës, sot ky qytet gjendet në të ashtuquajturën “ Republika Serpska”, ku vuanin dënimin të burgosurit më të rrezikshëm të ish-Jugosllavisë, në kushtet më të vështira, aty do ta vuajnë dënimin edhe profesor Ukshin Hoti, Jashar Salihu, Alia Izetbegoviq, ish-kryetari i Bosnjës etj. Xhavit Haziri, ka qëndruar në burg rreth pesë vite, lirohet gjatë ç´thurjes dhe shkatërrimit së shtetit jugosllav gjatë viteve të 90-ta, meqë Kroacia, Sllovenia e Bosnja i lironin të burgosurit politikë, pra edhe shqiptarët. Xhaviti, pas lirimit nga burgu i Foçës, në fund të vitit 1990, vazhdon aktivitetin në LPRK, aty ku e kishin lënë shokët që kishin rënë heroikisht në nëntor të vitit 1989, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, dhe pas arratisë së disa shokëve jashtë vendit, Fadil Vatës, Bardhyl Mahmutit etj.

-Do t’ishte një shkrim i gjymtë të shkruash për historikun e Lëvizjen gjithëkombëtare, a për ndonjë dëshmor të saj, e të mos përmendesh Bacë Ahmet Haxhiun, Anteu i Shqipërisë Etnike, shtyllën ilegale të LBRSH-së, me Bacë Adem Demaçin në krye, të LNÇKVSHJ, me themeluesin Metush Krasniqi e me promotorin e saj Jusuf Gërvalla, LPRK-së, me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë në krye, si dhe impulsin e UÇK-së, me Adem Jasharin komandant legjendar. Bacë Ahmet Haxhiu është veprimtari i paluhatshëm për liri e pavarësi të atdheut, i cili do ta luajë rolin kryesor në vazhdimësinë e veprimtarisë patriotike, dhe që nuk do ta lë që të shkëputet zinxhiri i këtyre veprimeve revolucionare, edhe kur rrezikohet të shkëputet; ky atdhetar kishte lidhje ilegale edhe me Xhavit Hazirin, me të cilin do të vazhdojnë, së bashku, aktivitetin patriotik gjatë tërë jetës së tyre. Baca do ta lidhë Xhavitin me shokët e LPRK-së, brenda në Kosovë dhe me Kryesinë e saj në Zvicër, dega jashtë vendit. Xhaviti do të ketë disa pseudonime gjatë aktivitetit të vet ilegal, nder ta edhe pseudonimin “Besniku”, “Doktori”, “Syza” etj. Shtëpia e Bacë Ahmet Haxhiut ishte një bazë e veprimtarëve ilegal dhe njëkohësisht një strehë e sigurt, kur ishin në rrezik nga ndjekjet e sigurimit ish jugosllav, ku janë strehuar shumë shokë, ndër ta edhe Afrim Zhitia, Fadil Vata, Shaban Muja, Azem Syla, Arif Seferi, Ali Ahmeti, Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri etj. Pushkët e para të shkrepura kundër pushtuesve në fund të shekullit të kaluar kanë qenë të sjellura në Kosovë nga Bacë Ahmet Haxhiu; ai, gjithashtu ia sjellë mitralozin nga Zvicra Komandantit legjendar, Adem Jasharit, që do t’i dorëzohet nga Azem Syla.
Vrasja e Afrim Zhitisë, sekretar politik, dhe Fahri Fazliut, udhëheqës, më 2 nëntor të vitit 1989, dy drejtues të lartë të LPRK-së, dhe largimi i Fadil Vatës, sekretar organizativ, në Zvicër për shkaqe shëndetësore, e kishin dëmtuar shumë organizimin e LPRK-së. Në këto rrethana delikate të vazhdimësisë organizative të LPRK-së, kur mungonin udhëheqësit potencialë, u mbajt Konferenca e Dytë e jashtëzakonshme në fillim të shkurtit të vitit 1991 në fshatin Prapashticë të Prishtinës, ku kanë marrë pjesë këta veprimtarë: Xhavit Haziri, Azem Syla, Halil Selimi, Ismet Sulejmani, Ramadan Avdiu, Ramadan Pllana, Raif Qela, Behajdin Allaqi, Hydajete Krasniqi, Zyrafete Muriqi, Halit Krasniqi, Ilaz Kadolli, Menderes Zeneli, Irfan Musmurati, Hulusi Beqiri etj.
Në këtë Konferencë u zgjodh Komiteti Drejtues prej pesë vetëve: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Ismet Sylejmani dhe Halit Krasniqi.
Më poshtë, po i jepi të dhënat për disa aktivitete të LPRK-së, ku Xhavit Haziri do të jetë i pranishëm dhe gjithnjë në udhëheqësinë e lartë.
Shtator 1991, Prishtinë: Mbahet konsultë e LPRK-së, ku ishin të pranishëm, Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Adem Demaçi, Emrush Xhemajli, Ramadan Avdiu, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Ibish Neziri etj. Adem Demaçi me këtë rast bëri një diskutim të gjatë se si e mendon veprimin e LPRK-së në vitet në vijim. ..
Tetor 1991, në Ujëmir, Drenicë, u mbajt mbledhja e tretë e LPRK-së. Të pranishëm ishin, Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Halil Selimi, Mehmet Hajrizi, Emrush Xhemajli, Ilaz Kadolli, Dr. Muhamet Mehmeti, Bahri Fazliu, Xheladin Gashi, Ramadan Avdiu, Ibish Neziri, Ali Lajçi, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Gani Syla, Ilaz Kadolli, Beajdin Allaçi etj.
Kryetar u zgjodh Gani Syla, ndërsa në udhëheqësinë e ngushtë ishin: Xhavit Haziri, Ramandan Avdiu, Halil Selimi, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Ahmet Haxhiu, Musa Demiri, Ramë Buja, Azem Syla, Hydajete Krasniqi, dhe Guximtar Labënishti.
Tetor 1991: Pak kohë pas përfundimit të Mbledhjes nga LPRK-ja u larguan, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Gani Syla, ky i fundit ishte edhe Kryetar i LPRK-së. Si pasojë e largimit nga LPRK të Kryetarit dhe një pjese të Kryesisë së LPRK-së brenda vendit u dëmtua shumë. Largimi i tyre ndodhi për shkak se ky grup pati kërkuar zyrtarisht të dilej me deklarimin për të shpallur LPRK-në, inekzistente. Ndërsa, si arsyetim jepej se, kjo organizatë gjoja ishte e tepërt ne jetën politike pluraliste të Kosovës. Ata, u inkuadruan në lëvizjen pacifiste të Ibrahim Rugovës – në Lidhjen Demokratike të Kosovës - LDK.

• Vendim i veçantë, 1991: Një vendim i posaçëm është nxjerrë nga Kryesia e LPK-së në vitin 1991, për ngarkimin e anëtarëve Xhavit Haliti dhe Xhavit Haziri, me detyrë speciale për organizimin e Sektorit të Veçantë i cili është marrë ekskluzivisht me segmentin e organizimit ushtarak. Vendimi i është dorëzuar Xhavit Halitit dhe është njoftuar Kryesia e degës se LPK-së, jashtë vendit, për rolin dhe kompetencat që do t'i ketë Xhavit Haliti si drejtues i sektorit, rolin dhe kompetencat e sektorit të veçantë si strukturë dhe procesi i vendimmarrjes brenda tij.
• Sektori i Rëndësisë së Veçantë, i përbërë nga Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Ali Ahmeti kishin për detyrë themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Intervistë ekskluzive ( dhënë gazetës « Zëri » më 7 prill 2010)

1992 - korrik 1993 : Militant të LPK-së bënë disa veprimet të armatosura kundër trupave serbe.

1991: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu e Xhavit Haliti takohen me Presidentin e Shqipërisë Ramiz Alinë.   ( Jan takuar edhe me Servet Pëllumbin, me Haxhi Lleshin )Nga presidenti Alia marrin përkrahje morale dhe premtime se do të ndihmohet Kosova në rrugën e saj për fitimin e lirisë dhe pavarësisë...
Për këtë takim me Ramiz Alinë dhe me udhëheqës tjerë të shtetit amë, më tregon pak më detajisht, Ismet Sylejmani, njëri nga udhëheqësit e LPRK-së, i cili ishte në përbërje të delegacionit prej Xhavit Hazirit, Ahmet Haxhiut, Arif Seferit, nga Kosova dhe Viset shqiptare, në ish-Jugosllavi dhe Xhavit Haliti nga diaspora.


Ismet Sylejmani "…Ishim takuar me Haxhi Lleshin, kur biseduam për fillimin e luftës së armatosur, Ai burrë i madh i popullit shqiptar, saktësisht na tha: “Ne shqiptarët e Shqipërisë, për juve nuk e fillojmë luftën e armatosur, nëse ju nuk e filloni, por po e filluat luftën, mbajeni mend se; shoku Enver Hoxha, Partia dhe Shteti Shqiptar ka menduar për këtë ditë, armë dhe barot keni sa të doni dhe luftën kundër Serbisë do ta fitoni”!...

Prishtinë, 1993 : Për të biseduar lidhur me organizimin e rezistencës aktive të armatosur në Kosovë, një delegacion i LPK-së i përbërë nga: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu dhe Azem Syla, u takuan me Kryetarin e LDK-së dhe të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Aganin dhe Zenel Kelmendin. Takimi përfundoi si shumë herë pa sukses.

• Prill, 1993, Kollare, Kërçovë. Mbahet mbledhja konsultative e LPK-së. Marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Gafurr Elshani, Beajdin Allaçi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori, Mustafë Krasniqi etj. Në këtë takim u lëshuan rezolucionet sipas të cilave LPK mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtuesve. Gjithashtu, u krijua Grupi i Organizimit të Mbledhjes së IV-të të Përgjithshme i përbërë nga Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi.
Më 28-29 korrik 1993, Kodër e Trimave, Prishtinë, në shtëpinë e veprimtarit Fatmir Brajshori, mbahet Mbledhja e Katërtë e Përgjithshme e LPK-së. Marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adnan Asllani, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Fatmir Brajshori, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, e të tjerë drejtues dhe delegatë nga terreni. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e statutare. Në Program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës (dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi). Aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-së. Ndërsa, emri i LPRK-së u ndërrua në LPK, pra LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS.

E premte, 25 shkurt 1994 në Prishtinë u shpall Aktgjykimi i 19 shqiptarëve  me 80 vjet burg!

RILINDJA "Dje në Gjykatën serbe të Qarkut të Prishtinës u shpall aktgjykimi i 19 shqiptarëve.
Me nga 10 vjet burg u dënuan Ismet Mahmuti, Hajredin Hiseni e Raif Çela. Deputeti i Parlamentit të Kosovës Bajrush Xhemajli (ishte deputet i pavarur i komunës së Ferizajt-vërejtja ime) u dënua me 8 vjet. Me nga 5 vjet u dënuan Xhavit Haziri, Faik Ajeti, Sali Mustafa, Sali Salihu e Shemsi Veseli. Ramadan Pllana u dënua me 4 vjet burg. Me nga 3 vjet u dënuan Nehat Selimi e Remzie Abdullahu. Nga 2 vjet burg iu shqiptuan Islam Mulakut e Ajet Berishës. Ndërsa me nga 1 vit burg u dënuan Sanie Aliu, Skënder Hajdari e Hazir Zeqiri.
Ndaj të akuzuarit Ahmet Haxhiu është ndërprerë paraburgimi dhe është veçuar procedura penale (për shkaqe shëndetësore - vërejtje imja), kurse për Rexhep Avdiun paditësi ka hequr dorë nga akuza.
Pra ky gjyq i kontrolluar nga Serbia gjatë këtij procesi që zgjati afro tre muaj, i shqiptoj gjithsejtë jo më pak se 80 vjet burg për shkak të kualifikimit nga ana e gjyqit serb se këta të akuzuar i përkisnin organizatës ilegale "Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. A.M.

1993 - Aktivistët të LPK-së, pas burgosjes dhe gjykimit së veprimtarëve të lartpërmendur, dalin jashtë vendit : Këta janë: Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Halil Selimi, Fatmir Brajshori, Ardian Krasniqi, Bislim Elshani, Ali Ukaj, Murat Bytyqi, Sejdi Gega, Ekrem Jashari, Halit Krasniqi, Ibish Neziri, Fahri Makolli, Ilmi Zeka, Ramadan Avdiu, Ramiz Lladrovci, Sejdi Sejdiu, Mustafë Krasniqi, Azem Zejnullahu, Skënder Krasniqi, Ukë Shala, Xhemajl Rudi, Muharrem Elshani, etj.


Xhavit Haziri
 dhe roli i tij në formimin e UÇK-së.

  “Vetëm me bashkim e të gjithë potencialit kombëtar fitohet pavarësia, atëherë do ta kemi më lehtë dhe më afër ditën kur do ta kurorëzojmë Kosovën Republikë të Pavarur”, (Xhavit Haziri).
"Mua, më gëzon fati që e njoha një burrë si Xhavit Hazirin, jo vetëm fakti që më lidhte vizioni i përbashkët kombëtar, -gjithsesi, kjo ishte mbi të gjitha, -por, ajo që më bënte përshtypje tek Xhaviti ishte thjeshtësia e tij, ndërtimi i një filozofie të qartë mbi parimet e shëndosha kombëtare. Më vjen keq, dhe ndihem ca i zhgënjyer me shumë shokë që tash janë në pushtet, e që dikur kishim një ideal të përbashkët, disi figurën e Xhavitit e kanë lënë anash dhe askush prej tyre, me të cilët deri më sot nuk e trajton si do të duhej, e nga ana tjetër nga këta shokë, disa prej tyre mund të them lirisht se e kanë humbur rrugën që e kishin filluar me ne; për një qëllim: për ta bërë Shqipërinë ashtu siç duhej të ishte dhe nganjëherë më shkon mendja te thënia e Xhavitit: “Sikur këta njerëz ta kuptonin thjeshtësinë dhe ndërgjegjen e kombit, a do të vepronin kështu”?!...(Mustafë Krasniqi)

Xhavit Haziri, ishte ideatori dhe nxitësi kryesor për emërtimin e UÇK-së 
“Organizimi në parti legale në kohë robërie është papjekuri dhe se ky organizim çon ujë në mulli të pushtuesit dhe se vetëm Lëvizja gjithëkombëtare është garanci për pavarësi të vërtetë”.
(Xhavit Haziri)
Xhavit Haziri, ishte një veprimtar konsekuent, një luftëtar aktiv e i paepur, i cili vendosmërisht militonte për të realizuar programet dhe qëllimet e LPK-së e të UÇK-së. Gjatë veprimtarisë së vet i ka përdorur rrugët ilegale, ku ka qenë shumë i matur e konspirativ, në formën gjysmë ilegale në vitet e 90-ta, në protesta e në tubime të hapura duke folur e lexuar letra për dëshmorët e kombit, pa u paraqitur me emër e mbiemër, dhe në formën legale duke bashkëpunuar me Lëvizjen studentore, UPSP, me Bashkimin e Sindikatave, BSPK, me KMDLNJ, ku ka qenë edhe vetë anëtar, e me shoqata të tjera patriotike, informative e kulturore. Fillimi i vitit 1998, përmbysi dhe demaskoi pacifizmin e rrejshëm të LDK-së e Ibrahim Rugovës. Fillojnë protestat studentore duke kundërshtuar dhunën ushtarako policore serbe në Kosovë. Në këto protesta të udhëhequra nga Lëvizja Studentore, me Muhamet Mavrajn, Albin Kurtin, Driton Lajçin, Bujar Dugollin e me përkrahjen e rektorit Ejup Statovci, u thye miti rugovian dhe ngadhënjeu rruga e UÇK-së, rruga e vetme që duhej ndjekur për liri e pavarësi kundër kriminelëve serbë. Protesta tjera në përkrahje të UÇK-së u organizuan edhe në Prishtinë nën udhëheqjen e Isa Kastratit, ish i burgosur politik, tani dëshmor i kombit, të cilave iu bashkuan edhe disa parti politike etj. Kjo lëvizje ishte ngadhënjimi i guximit mbi frikën, ngadhënjimi i jetës mbi vdekjen e turpshme pacifiste, kjo ishte vdekje a liri, të cilën e kishin ngulitur në vetëdijen e popullit dëshmorët e kombit, të të gjitha kohërave ; për të ardhur deri te kjo luftë kishte kontribuar edhe Xhavit Haziri, me shokë, për të cilin ëndrra e tij atdhetare për liri e pavarësi të Kosovës po bëhej realitet.
Në vazhdim, po i ep disa deklarata të bashkëveprimtarëve të këtij atdhetari që dëshmojnë qartas se ky ishte promotori kryesor i formimit dhe emërtimit të UÇK-së heroike. 
 Kadri Veseli, flet për aksionet e armatosura të LPK-së gjatë viteve 1992 - korrik 1993 :
“Në vitin ‘92, ne ishim të interesuar që ta vazhdonim luftën, e jo ta lëshonim Kosovën”.
Klan Kosova: Cilit krah i keni takuar? Unë kam informacione se në vitin ‘93 nuk i keni takuar Lëvizjes...
Kadri Veseli: “Jemi duke folur për periudhën ‘92, atëherë kur ka ndodhur aksioni i parë, për të mos harruar kontributin e Xhavit Hazirit, i cili ka qenë ndër udhëheqësit e Lëvizjes në atë kohë. Ne kemi pasur një vendim, i cili forcohet në Kërçovë më pas, që të vazhdohet me luftën e armatosur. I kishte humbur kuptimi luftës vetëm politike. Populli largohej me të madhe nga vendi, rrezikohej “Spastrimi i Bardhë” i Kosovës. Pra, rrezikoheshim ta humbnim vendin pa dinjitet”.

(Shkruar nga Kosovapress, E Enjte, 31 Dhjetor 2009)
-Siç shihet nga këto të dhëna të thukëta që po i publikoj në këtë shkrim për Xhavit Hazirin, nuk janë të parat e as nuk do të mbesin të fundit, shihet qartë se ky hero kombëtar ka luajtur rolin primar, siç pohon edhe Bedri Islami, në formimin e UÇK-së. Në kërkim të rolit të tij për formimin e UÇk-së lexova edhe librin e Jakup Krasniqit, ish zëdhënës i saj, « Kthesa e madhe (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) », me 302 faqe, botuar nga N.B. « Gjon Buzuku », në Prishtinë më 2006, po , për çudi edhe ky autor nuk e përmend askund Xhavit Hazirin. Në faqën 61 shkruan edhe këtë « …Azem Syla ish i burgosur politik, profesor i kimisë, ka merita të veçanta së bashku me Xhavit Halitin, për formimin e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës). Për këtë detyrë, siç theksuam më lart, së bashku me Hashim Thaçin kishin lidhje me LPK-në ». Siç duket, Jakup Krasniqi nuk e ka ditur se Xhavit Haziri ishte më i lartë se këta tre të fundit në hierarkinë organizative të LPK-së dhe se këta, kur i kanë treguar për të se ishte i pari në të gjitha aktivitetet e LPK-së e UÇK-së, merr vendim për ta shpall hero… Gabim i përmirësuar me një akt madhor! Më mirë vonë se kurrë!
Vështrim i thukët historik i UÇK-së

- Më 17. 11. 1994 Arau, Zvicër. U lëshua Komunikata e Parë ushtarake. Kryesia e LPK-së, pas insistimit të grupeve të armatosura brenda vendit, merr vendim për fillimin e lëshimit të komunikatave, në të cilat merret përsipër autorësia e tyre. Pas një diskutimi të përimtuar Kryesia, duke pasur parasysh edhe propozimet e grupimeve ushtarake në terren, mori vendim që organizmi i ri ushtarak të quhet “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Komunikata u vendos të mbajë nr. 11. Në këtë Mbledhje merrnin pjesë: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe Gafurr Elshani. Kryesia e LPK-së ka vendosur për stemën e UÇK-së, të cilën e punuan Gafurr Elshani dhe Adnan Asllani.

Për emërtimin Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shumë dëshmi që përputhen me datën e saj, së pari po e theksoj pohimin e Xhavit Halitit që e thotë në emisionin « Pa Rrotulla » në RTK, të Milaim Zekës, më 26 Tetor 2009 :
« - Emërtimi…pas kërkesave të Kryesisë e të Xhavit Hazirit, dërguar me shkrim në emër të Kryesisë së LPK-së, LPK-së, dega jashtë vendit. Vendimi është marrë…Unë dhe Azem Syla të merremi me këtë punë, d.m.th.me sektorin e veçantë- ushtarak. Vendimi është marrë më 17 Nëntor 1994. U vendos që Ushtria ose më mirë me thanë formacionet ushtarake që vepronin në teren prej kësaj date të ketë një emërtim me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dihet edhe ajo që nga këta të pestit, ideja për këtë emërtim ishte e Gafurr Elshanit”…
Nait Hasani, saktëson se në mbledhjen themeluese të UÇK-së, më 17 Nëntor 1994, të pranishëm kanë qenë Fazli Veliu, Gafurr Elshani, Emrush Xhemalji, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, të cilët e kanë dizajnuar dhe formën e emërtimit të UÇK-së.
-Haliti, njëri nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i pranishëm në formimin e UÇK-së, pranon se më 17 Nëntor 1994 është themeluar UÇK-ja, fakt ky që nuk mund të mohohet nga askush, të paktën nga ata që në atë kohë kanë qenë edhe të njohur me rrethanat.

Ali Ahmeti : Ndërkaq, anëtari i Shtabit Qendror, Ali Ahmeti tha se. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është emëruar më 17 nëntor 1994 me qellim që të hiqen të gjitha dilemat për opinionin publik, sepse para asaj kohe kishte shumë dezinformata dhe paqartësi për popullin e Kosovës, prandaj edhe është lëshuar komunikata e parë, ku janë marrë përsipër të gjitha aksionet nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me qellim që opinioni mos të ketë frikë.
“Unë kam qenë në takimin e 17 nëntorit 1994 kur është themeluar Ushtria Çlirimtar e Kosovës, -nënvizon Ahmeti. -Sipas tij dëshmorët e parë të UÇK-së janë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, dhe këtu merr rrugën e vet UÇK-ja dhe sqarohet mjegulla e hedhur mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “-Pra, kjo është kthesa më e madhe e popullit të Kosovës,” -thotë ai.
Me këtë shkrim, si dëshmi të kohës, kujtoj se e kam qartësuar me argumente të bollshme figurën e ndritshme të heroit tonë kombëtar Xhavit Haziri, i mbetet historisë që t’i shpalosë dokumentet arkivore përkatëse për ta njohur, de jure e de facto, këtë personalitet historik.
E përgëzoj Jakup Krasniqin, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, për mirënjohjen që ia bënë kësaj figure heroike duke e shpallur hero. Mendoj se Kuvendi e Qeveria e Kosovës, bashkë me Faktorin ndërkombëtar kanë mundësi që t’i bëjnë trysni Qeverisë së Beogradit me një kërkesë për zbardhjen e rrëmbimit të tij, edhe të Ukshin Hotit, Hafir Shalës e gjithë të tjerëve që nuk u dihet fati, sepse mundësit ligjore janë, madje ka edhe një pistë ndjekje, për te cilën na dëshmon Behxhet Shala, atdhetar e aktivist i njohur i KMDLNJ- së.

PSE NUK PO HETOHET RASTI I DR.HAFIR SHALËS DHE XHAVIT HAZIRIT?!

Shkruan: Behxhet Sh. Shala - Prishtinë - 19.10.2009
KMDLNJ pati rënë në kontakt me një hetues të sigurimit shtetëror serb për të mësuar më shumë për fatin e dr.Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit, që të dy të rrëmbyer me të njëjtin skenar dhe duket nga i njëjti ekip. Informata që ka marrë KMDLNJ nga inspektori serb është se ata janë rrëmbyer nga një ekip i specializuar i Shërbimit Shtetëror serb dhe se ata pastaj janë dërguar në një lokacion jashtë Prishtinës, ku edhe u humben të gjitha gjurmët.
Në përfundim të këtij shkrimi, si kapitull i parë, për Xhavit Hazirin dua që t’i falenderoj të gjithë ata që më ndihmuan duke më dhënë informata e materiale tjera plotësuese për heroin tonë të paharruar. Në radhë të parë e falënderoj familjen e nderuar Haziri, prindërit dhe vëllezërit e dëshmorit, nga Kastrioti, ish-Obiliqi, si dhe të respektuarën, Remën, shoqen e tij, bashkë me djemtë, Çlirimin e Shqipërimin, nga Prishtina, pastaj Xhemajl Pllanën, vëllain tim, i cili gjeti kohë për mbledhjen e materialeve nga familja Haziri e nga bashkëveprimtarët e Xhavit Hazirit. 
Në këtë kontekst i falënderoj edhe këta miq që më ndihmuan në këtë punim, e këta janë Mustafë Krasniqi, Nait Hasani, Adnan Asllani, Elmi Zeka, Menderes Zeneli, Ejup Thaçi, Isak Qolli, Florin Kelmendi, Skënder Muharremi, Fadil Mirena, Bexhet Kelmendi etj. Njëkohësisht i ftoj të gjithë ata që janë të gatshëm të bashkëpunojnë, në të ardhmen, për një plotësim edhe më të ngjeshur të veprimtarisë së Xhavit Hazirit, -sidomos, ata që kanë qenë në burg me të dhe ata të cilët ishin të organizuar në strukturat e UÇK-së nga heroi në fjalë.
Unë, autori i këtij shkrimi, pata fatin që të njihem e të bashkëpunoja me Xhavit Hazirin, qysh kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçar, nga viti 1977, u ndamë me një përqafim të përmallshëm e vëllazëror në Ulqin, më 14 gusht të vitit 1997, kur u nisa për Shqipëri që pastaj të emigroja në Zvicër, me përshëndetjen e fundit :
Mirupafshim në Kosovën e lirë!
Emri dhe vepra atdhetare e Xhavit Hazirit mbetën një yll ndriçues për liri e bashkim kombëtar dhe do ta kujtojmë gjithmonë, si të gjallë, në kujtesën dhe shpirtin tonë !
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË HEROIT XHAVIT HAZIRI 

 
















Autor, 
Ramadan Pllana
Zvicër, më 1 shtator 2011