Galeria ime

Hogoshti eshte vendlindja e shqiponjave - Rroftè Shqipèria e Bashkuar


Sunday, October 21, 2012

Poezi kushtuar heroit legjendar Agim Ramadani






Lavdi perjete jetes dhe vepres se heroit tone kombetar Agim Ramadani nga Zhegra e Gjilanit

me rrespekt
Ramadan S. Latifaj HOGOSHTI
LB/21.10.2012

Tuesday, October 2, 2012

Fehmi Sinella, mesues nder te paret ne Hogoshtin e pasluftes se II-te boterore



Fehmi Sinella, përballë me vdekjen për gjuhën e bukur shqipe!

Intervistë me mësuesin patriot Z. Fehmi Sinella

Egzistencën e tij në shekuj, populli shqiptar, si ndër më të vjetërit në Evropë, ja dedikon luftrave për liri dhe përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha për të mesuar gjuhën e tij, si gjuhë e bukur, e ëmbël dhe me vlerë.
Poeti i famshëm Naim Frashëri, tek poezia e njohur “Lulet e Verës” e krahason gjuhën shqipe me gjuhën e bilbilave. Ndërsa, poeti Ndre Mjeda, egzistencën shqiptare ia dedikon luftës shekullore të popullit, me armë në dorë. I madhi Çajupi e mbështet këtë egzistencë me betimin “ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!”

Intervistë me mësuesin patriot z. Fehmi Sinella, për kontributin e dhënë në drejtim të përhapjes së arsimit shqip në Kosovë.

Bisedoi: Prof. Neki Babamusta në Kavajë me 6 Dhjetor 1996


Në Kosovë shkuan vullnetarisht për të përhapur gjuhën shqipe 200 mësues nga Shqipëria, dhe bashkë me to edhe 15 arsimtarë nga Kavaja, ndërmjet të cilëve: Mustafa Krantja (artist i popullit), Vangjel Daka, Ali Veizi, Zef Çurija, Sali Elhyka, etj. Këtoa mësues punuan me sakrifica të panumërta, të ndjekur nga autoritetet dhe U.D.B.-ja Jugosllave, për qëllime shoveniste.
Mësuesi Sali Elhyka, nga torturat e shumta, pësoi përjetë trauma psiqike, duke humbur vetëdijen, i lënë në harresë nga diktatura komuniste.

Prememoria autobiografike plakur e përflakur – djersë e gjaku

Rrëfim nga Z. Fehmi Sinella


Z. Fehmi Sinella ka lindur në Kavajë me 16 Prill 1923, prej një familje patriotike dhe arsimdashëse. Qysh në fëmijëri, në shtëpinë e tij, që nga viti 1914, familja Sinella kishte 3 arsimtarë të gjuhës shqipe, ku Fehmiu fitoi dashurinë për Nënën Shqipëri, por edhe për Kosovën. Kjo dashuri u përforcua edhe më shumë në shkollën plotore fillore, ku drejtori i shkollës, nga Kosova, shpesh here i fliste me pasion për Kosovën, për vuajtjen dhe robërinë serbe. “Kur qante ai, qanim dhe ne, duke ushqyer shpirtin tone me urrejtjen ndaj okupatorit të egër sllav serb”, – shprehet Fehmiu. Këto ndjenja iu shtuan edhe më tepër në kohën e rinisë, në shkollën e mesme, prej mësuesve të tij të nderuar si Ahmet Gashi. Njëkohësisht informohej nga gazetat dhe revistat e asaj kohe që shkruanin për vuajtjet dhe tortuar monstruoze të pushtuesit serb ndaj vëllezërve kosovarë.
“Kësaj Kosove martire legjendare, unë biri i Shqipërisë dhe i Kosovës i fala asaj dashurinë dhe rininë time, me gjithë shpirt e zemër. Nga viti 1945-1950 shkoj bashkë me shokët e mi, me një mision të lartë, si mësues vullnetar, për forcimin e zgjimit kombëtar dhe hapjen e shkollave shqipe, të vendosur për të dhënë edhe jetën.”
Ai vazhdon: Pas shumë pengesash e vonesash nga disa njerëz të Ministrisë së Arsimit të regjimit të atëhershëm totalitar, dhe Ambasadës Jugosllave në Tiranë, me datë 17.12.1945 u nisëm nga Tirana me një kamion të vjetër. U nisëm jo nga Kukësi që ishte më shkurt, por ndjekim itenerarin Tiranë-Elbasan-Strugë-Ohër-Manastir. Pastaj me tren shkuam në Shkup, rrugë që e bëmë për një natë, në vend të dy orëve. Udhëtimi u bë me një tren, pa xhama, mes të një ftohti të madh, sepse nuk ishim edhe mirë të veshur.
Pas shumë peripecishë gjatë rrugës, të lodhur, të rraskapitur, më në fund arritëm në Kosovë, në Prizren, por jashtëzakonisht të lumtur që arritëm në tokën e shenjtë shqiptare.
Në zyrën e arsimit më pyetën, se ku kisha qejf të punoja? Përgjigja ime ishte e prerë: Në Kosovë, atje ku të jetë më shumë e nevojshme. Kështu më caktojnë të hap shkollën në Ogosht (HOGOSHT), të Gjilanit (sot Kamenica), fshat i madh komunë, autoktonë shqiptare me malor i Kosovës. Punoja para dite me 3 klasa kolektive, ndërsa pasdite drejtoja një kurs analfabetik me të rinjtë. Ndërsa natën shpeshherë kontrolloja kurset analfabetike në fshatrat e juridiksionit të Ogoshit (Hogoshtit) si, Kapernica, Darxhnica, etj.
Shkolla, kuptohet ishte e vjetër dhe vetëm me muret. Çdo gjë mungonte. Mezi arrita natyrisht me ndihmën e madhe të popullit shqiptar që shkolla të funksiononte. Qe kënaqësi e madhe që arrita të ul në bankat e shkollës, në klasën e parë edhe Rukijen e vogël 8-vjeçare.
Puna ime vlerësohej shumë nga kosovarët, por shtohej gjithnjë edhe më shumë dyshimi edhe
urrejtja ndaj meje nga serbët rreth e qark Hogoshtit. Ata bënë çmos që të më ndalonin punën dhe përkpjekjet e mija, plot vullnet. Më akuzuan dhe paditën në organet kompetente serbe: se bëja propagandë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si në shkollë me nxënësit, edhe në popull; se kisha lidhje me të arratisur shqiptarë që ishin në male aty afër; se këndoja bashkë me nxënësit hymnin kombëtar në oborrin e shkollës çdo ditë para fillimit të mësimit; se nuk kontaktoja asnjëherë me mësues serb rreth e qark Ogoshtit; se rrija shpesh me myftiun e Gjilanit, Haki Efendiun, që ishte një intelektual dhe patriot i madh; se shkruaja çdo gjë që ndodhte në fshat në gazetën “Rilindja”, në gazetën e Pionierit dhe se rrija e bisedoja gjithnjë me popullin, etj.
Prandaj më thirrën disa herë në fillim, në Seksionin e Arsimit, që ishte vetëm me serb. Ata më bënë lloj-lloj kërcënimesh, se unë isha në Jugosllavi dhe jo në Shqipërinë e Madhe, se nuk duhet të shkoja në shtëpitë e popullit, unë mësuesi i popullit tim! Bile disa herë, më dërgonin në gjuhën sebe shkresa të veçanta për të më friksuar. Këto kërcënime s’më ndalën asnjëherë, përkundrazi ma shtuan edhe më shumë dashurinë për Kosovën dhe urrejtjen ndaj serbomëdhenjve.
Por ajo që i tërboi më shumë serbët, ishte ngjarja e 1 Majit 1946, kur unë bashkë me popullin dhe me nxënësit, të prirë nga flamuri kombëtar, që mbahej në krye të kollonës, nga nxënësja Rukije, për të festuar 1 Majin në rrethin e ri të Kamenicës. Një udhëheqës nga rinia serbe më del përpara dhe kërkon të flasi me mua, duke më thënë në gjuhën e vet, se nuk duhet të mbahej flamuri kombëtar shqiptar, sepse ishim në Jugosllavi. Flamuri jo vetëm që nuk u ul, por valviti krenar gjatë gjithë ceremonisë. Kërcënimet vazhdonin. I këshilluar nga disa patriotë vendas, u detyrova të largohem nga Ogoshti i dashur.
Pasi kreva kursin e gjatë pedagogjik në Prizren gjatë verës, më caktojnë mësues në fshatin autokton shqiptar Zymi, në rrethin e Prizrenit, një fshat edhe ky shumë malor e me një terren të thyer, i  veshur vetëm vetëm me gur e pllaka guri. Zymi ishte qendër komuneje, i rrethuar me fshatra të gjitha autokton shqiptare, si Krajku, Gjonaj, Karashingjergji, Ramoja, etj. Edhe këtu punova shumë e me dëshirë të madhe, sepse ndihmohesha shumë edhe nga Patër Leka, që ishte intelektual dhe patriot shqiptar, dhe drejtonte kishën. Përveç punës në shkollë gjatë ditës më nxënësit dhe mbasditeve me një grup të rinsh analfabetë në shkollë, gjithashtu kontrolloja edhe kurset analfabetike në të gjithë juridiksionin, edhe pse terreni ishte shumë i thyer dhe i vështirë. Përveç punës mësimore edukative, bëja çdo të dielë shfaqje nga nxënësit me programe artistike kulturore, me karakter kombëtar, të cilat i krijoja vetë.
Vazhdoja të isha korrespondent i “Rilindjes” dhe “Gazetës së Rinisë”. Populli më donte dhe më nderonte shumë. Po ashtu edhe unë i doja shumë. Puna shkonte shumë mirë, se kisha edhe një shkollë të bukur dhe të re. Por edhe këtu filluan “hallet”. Një folës shqip, i gënjyer me … në fytyrë, i quajtur Nuri, që ishte komandanti i policisë së komunës, më gjurmonte dhe ndiqte, duke dashur të më ndalonte nga puna ime fisnike. Ajo fytyrë e ndyrë bëri ç’ishte e mundur në mbledhjen e komunës, duke më akuzuar, se isha një shkatërrues “i bashkim-vllaznimit”, se flisja në popull mbarë e prapë në dëm të Jugosllavisë, se doja bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, se kisha lidhje me një të arratisur nga Vlora, Perlat Gjolekaj, se respektoja si gjithë ajo zonë Atë Shtjefën Gjecovin, që kishte qenë mësues në këtë zonë, duke vendosur sa herë që kaloja andej gur në vendin ku e kishin vrarë, për këndimin e himnit tonë kombëtar, etj. Sulmet e tij tinzare ishin mjaft të ashpra. Ai përpiqej që jo vetëm të më ndalonte nga veprimet e mija të vazhdueshme, por edhe të burgoste ose të më zhdukte fizikisht. Unë shpëtova vetëm falë vendosmërisë së malësorëve, trima shqiptarë, që ishin gati të jepin edhe jetën për mua, pa harruar kurrë Kolë Pjetrin, Selim Ibrahimin, Isuf Çollakun, etj, por edhe Njazi Malokun që ishte shef i policisë së Prizrenit.
Harrova pa përmendur këtë rast edhe një akuzë tjetër të Nuriut. Ai më akuzonte se mblidhja fëmijë shqiptar rreth ndërtesës së Lidhjes së Prizrenit, dhe bëja pastrimin me ta të ndyrsirave që kishin bërë fëmijët serb, brenda në sallë, të shtyrë nga prindërit e tyre.
Unë isha krenar që punoja në atë vend, ku kishte punuar edhe Atë Shtjefn, dhe kisha shumë rezultate të mira. Inspktori i arsimit, Tajar Hatibi e ngriti shumë suksesin tim me eprorët e vet shqiptarë në Prizren, prandaj unë gëzoja një dashuri edhe respekt qoftë nga populli, qoftë edhe nga ata pak eprorë shqiptarë që ishin, por duhet medoemos që të largohem edhe nga Zymi i egër, por shumë i dashur edhe mikpritës, edhe pse sundonte skamja e madhe.
Ngarkohem dhe hap për herë të parë gjimnazin shqip në Ceralluke të Rahovecit (sot Malishevë), duke mbledhur nxënës nga shumë fshatra të largëta si Kieva, Banja, Orllati, Drenovci, etj. Edhe Ceralluka ishte një fshat shumë malor me ujë të ftohtë. Shkolla ishte në mes të një pllaje, ku mblidheshin erërat e asaj treve. Edhe këtu punova me qejf, edhe pse me shumë vështirësi natyrore të mëdha. Kam ndëgjuar se të gjithë nxënësit e asaj shkolle kanë dalë në kuadër të larta, sepse ishin shumë arsimdashës.
Përveç punës së përditshme në shkollë, vazhdoja të kontrolloja dhe të organizaoja kurset analfabetike në fshatrat më të largëta të Cerallukës. Ndërsa të dielave, me vullnetin e vet, vinin shumë nxënës dhe bisedonin çështje hitorike, por më shumë për krijime letrare me nxënës të talentuar.
Edhe këtu akuzat nuk ishin të pakta, sidomos rreth himnit të flamurit dhe problemit kombëtar, ashtu si në Ogosht dhe në Zym. Por edhe këtu pata ndihmën e popullit shqiptar patriot si Mulla Rexhep Terpezën, etj. Përveç akuzave të tjera, këtu pata një zënkë serioze me një inspektor arsimi, i cili kur pa portretin e Skënderbeut në dhomën time në Shkollë, e bën atë rrebel, etj. Por ai mori atë që meritoi duke e ngritur heroin tonë kombëtar në vendin që i takonte. Bile aid he seksioni i arsimit të Rahovecit (kuptohet serbit) më akuzuan ndër të tjera se ishim antipedagogjik, që punoja edhe të dielave, pra se punoja shumë. Por ajo që i vriste më shumë ishte se unë pothuajse nuk flisja me asnjë serb ose malazes edhe pse në fshatin Drenovë e Kievë kishte të tillë.
Pas mbarimit të vitit shkollor 1947-48, gjatë verës mora maturën e Normales së Gjakovës. Pastaj më caktojnë inspektor arsimi në rrethin e Rahovecit, por mbasi unë merresha më shumë tashti me korrespondenca në “Rilindja” dhe gazeta të tjera shqiptare, por më shumë me atë të Pionierit. Më caktojnë si përgjegjës i gazetës së Pionierit në Prishtinë, që dilte një herë në muaj, që drejtohej vetëm nga unë, në kondita shumë të vështira në të gjitha drejtimet. Edhe këtu filluan persekutimet nga më të ndryshmet. Më thërrisnin në zyrat e U.D.B.-së dhe më kërcënonin, se gazeta s’kishte asnjë fjalë për Jugosllavinë, për Titon, se kishte vetëm karakter shoqëror, edukativ, etj.
Këtu në Prishtinë u njoha edhe bashkëpunova ngushtë me Xheladin Hanën, Esat Mekulin, Zeqirja Rexhën, Kasem Domin, etj, të cilët ishin ndër të tjera edhe patriotë edhe njerëz të mirë. Këtu bashkëpunova edhe me revistën Jeta e Re, duke shkruar edhe vetë tregime të karakterit kombëtar e arsimor. Mirëpo puna ime, shoqëria me këta njerëz ra në sy të keq. Mbas sa e sa kërcënimesh, më pushojnë nga puna edhe pse ndihmoja familjen e Xheladin Hanës, mbas vrasjes së tij nga Çedo Topallovici, që ishte drejtori i U.D.B.-së për Kosovën dhe që ishte një antishqiptar i tërbuar.
Pas një kohe pa punë, si për dënim, më caktojnë mësues i gjuhës shqipe në shkollën e përzier 8-vjeçare të Vuciternës. Edhe këtu çdo ditë duhet të paraqitesha në U.D.B. për të vërtetuar moslëvizjen time. Për arsye shëndetësore, në fillim të verës të vitit 1950 shkoj në llixhën e Mitrovicës. Pas dy ditësh, më arrestojnë në llixhë, më lidhin fort me zinxhira dhe më dërguan drejt në birucat e Vuciternës. Pas kësaj në çojnë në Prishtinë, në birucat e U.D.B.-së qëndrore, pikërisht përballë Cedo Topallovicit, ku provova torturat nga më çnjerëzore të pabesueshme. Por unë i takoja Shqipërisë edhe Kosovës, prandaj qëndrova si burrat e tjerë shqiptarë. Më mbajtën gjatë si qen bashkë me dy oficera të tjerë. Nuk lanë gjë pa bërë e pa thënë dhe nuk dija tjetër se natën vonë u gjenda në burgun e Prizrenit, rrethuar nga të burgosur të tjerë shqiptarë, të cilën ç’është e mundur që të më përmendnin, pasi isha  bërë qull me gjak e ujë. Mezi kam arritur të flas e të tregoj…Por unë s’pushova kurrë të akuzoj e të protestoj…
Pas shumë peripecish, pas tre muajsh e ca, u krijuan kushtet nga Ambasada Shqiptare në Beograd dhe të lidhur me zinxhira e hekura, serbët më përzunë nga Kosova martire, kundër dëshirës së kosovarëve, që donin të na mbanin në gjirin e vet e të vazhdonim të punonim se kishin nevojë për ne mësuesit. Sa më prunë në kufi, në Kukës nuk patëm asnjë trajtim njerëzor. Jo vetëm kaq, por na shikonin me dyshim edhe si armiq, sikur të kishim bërë gabim që kishim qenë në Kosovë. Ne çuditeshim shumë, por nuk flisnim. Mbas një muaj e ca me ndërhyrje, më caktuan si mësues në fshatin Barbullinjë e Fiershegan të Lushnjes, pastaj në fshatrat e Kavajës, në prag të pencionit në Kavajë.
Vëllezërit kosovar që më njohën në Kavajë, kur u ktheva nga Kosova më thërrisnin me dashuri e respekt: “mësuesi i Ogoshtit”, “mësuesi i Zymit”, “mësuesi i Cerallukës”, “mësuesi i Kosovës”. Oh, sa gëzohesha! Sa të lumtur e ndjeja veten! Ndërsa e kundërta ndodhte me syleshë të regjimit të atëhershëm totalitar, të cilët më shikonin shtrembër e me dyshim. Asnjë mirënjohje, asnjë fjalë të mirë për kontributin dhe sakrificat e shumta në Kosovë, edhe pse punova po me pasion edhe 30 vite të tjera në arsim në Shqipëri. Kjo ndodhte sepse unë kudo në shkolla me nxënës e mësues, dhe në popull kujtoja me alarm padrejtësitë dhe masakrat çnjerëzore të barbarëve serb ndaj vëllezërve tanë kosovarë.
Vetëm këto kohët e fundit, në ditë e lumtra të Demokracisë, unë fillova të dal në pah. Në fillim me 18.7.1995 gazeta “Rilindja” në një artikull të gjatë evidentoi aktivitetin kombëtar e arsimor në Kosovë, në të gjitha aspektet. Edhe televizioni shqiptar në emisionin “Bota Shqiptare, Kujtesë”, pasqyroi dhe vlerësoi punën time dy herë: me date 21.7.1995 dhe me datë 11.9.1995 natyrisht duke vënë theksin në sakrificat e mija dhe dashurinë e madhe për Kosovën kreshnike dhe popullin e saj hero.
Po ashtu kam marrë vesh se në librin e porsabotuar në Kosovë me titull “Emra që nuk harrohen” nga Tahir Berisha, përmendet edhe emri im. Me datë 6.11.1996, po në televizionin shqiptar u pasqyra një intervistë në mes të shkrimtarit Odhise Grillo dhe shkrimtarit kosovar Rexhep Hoxha. Ky i fundit, ndër të tjera, pas pyetjeve që iu bënë, u shpreh: “letërsia shqipe për fëmijë në Kosovë nuk ka egzistuar deri në vitin 1945. Në këtë vit ajo u krijua nga Mark Krasniqi, prof. Anton Çeta, dhe Fehmi Sinella.”
Nuk se si të mos shpreh thellësisht nga shpirti mirënjohje demokracisë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, popullit vëlla heroik të Kosovës, ish nxënësve të mi, si dhe ish nxënësve të nxënësve të mi, sot: mësues, profesorë, doktorë, gazetarë, poetë, shkrimtarë, etj. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një gjysëm shekulli, më kanë kujtuar dhe kujtojnë vazhdimisht edhe në shtëpi me nostalgji.
Ndonëse i lodhur, në moshën 74 – vjeçare e ndjej vazhdimisht, se i takoj veçanërisht Kosovës së zemrës sime, i rilindur, i rinuar dhe shumë e shumë i lumtur, i bindur se çdo shqiptar që don Kosovën, don Shqipërinë. Ndryshe nuk është Shqiptar!
Pres me padurim, i sigurtë se Kosova heroike është si një diell i shkëlqyer që ne shqiptarët na rrëmben të bashkuar, si yjet ndriçues në qiellin e kaltër, duke merituar nderim, dashurinë dhe çdo lloj sacrifice për lirinë e vërtetë të Kosovës, përflakur djersa e gjaku…

-----------------
ps. Hogoshtasit i jane mirenjohes z.Sinella, kolektivi i shkolles se fshatit i ka bere atij nje vizite ne  Kavajë
Fitore Kastrati dhe mesuesi F.Sinella

Nazim Agaj e Fehmi Sinella