Galeria ime

Hogoshti eshte vendlindja e shqiponjave - Rroftè Shqipèria e Bashkuar


Monday, June 27, 2011

Akademi perkujtimore në Dardanë /ish Kamenicë / 16 korrik 2011




“20 vjet jetë 20 vjet kujtim”


Akademi Përkujtimore
 Film dokumentar,kushtuar ushtarëve të vrarë më 1991.


Me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së bijeve tane:
Florim (Adem) Kosumi  KAMENICË,
Muhamed (Raif) Biçku- Hoxhë, HOGOSHT dhe
Muharrem (Mehmet) Robelli nga  KORETINI,
të vrarë në Armatën /barbare/ Jugosllave më 1991.Të tre nga Komuna e Dardanës .


16. korrik. 2011, e shtunë ora 18:00 në SHTËPINË  E KULTURËS
ISA KASTRATI” në Dardanë.


Do të  shpaloset edhe libri që i kushtohet këtyre ushtarëve që titullohet:
NJË LAPIDAR PËR TRE USHTARË
nga autori dhe organizatori i kesaj akademie
Xhemush Biçku


Wednesday, June 22, 2011

Rexhep Mala e Nuhi Berisha "Dëshmorët nuk vdesin kurrë"



















shkruar nga Mr. sc.Kadri Mani


DY DËSHMORË TË SHQIPËRISË ETNIKE

Moj Shqipëri n`det sa ke vala, moj Shqipëri n`mal sa ke pisha
aq të ka dashur Rexhep Mala, aq t`ka dashtë Nuhi Berisha!
nëpër baltë e nëpër shi, por t`hareshëm pa ankoja
dy herakë zgjohen pa gdhi, me shumë zell me pak përvoja
***
S`kishin kohë as për pushime, dashurinë e kishin n`bebe
s`kishin banja për pastrime, as në lëkurë s`ishin pa zgjebe
bënin jetën ilegale, me guxim e me trimëri-e,
n`zemrat tona ideale, shtresë blerimi krenari-e
***
Kur u thye besa e traditës, midis nate n`terr të zi-e
kur iu mbyll dera e mikpritjes, luftuan dy me dymijë-e!!
rrethimi u bë me topa, dhe me qerre ushtarake
as shtrojerë as kishin gropa, i mbante fryma luftarake
***
Kërcyen në një bodrum, me revole dhe dy bomba
derdhën gjakun sikur lumë, gjithë natën jehoi kënga!
moj Kosovë të tillë i rrite, dhe u ngritën n`jataganë
moj Kosovë sa u trondite, kur u rrëzuan këta viganë??
***
kur dhanë jetën këta dy trima, e n`dukje humbi një garë-e
vdekja e tyre shkrep vetëtima, edhe dalim fitimtarë-e
tash i kemi n`përmendore, emër-artët ndër fabrika
krahëpërkrahë e dorëpërdore, ku punojnë djem e çika
***
vende t`zbrazta mbetën n`klasë, vende t`zbrazta n`fakultete
zemrat tona për t`na i plasë, për t`na lidh në unitete
Moj Shqipëri n`det sa ke vala, moj Shqipëri n`mal sa ke pisha
aq të ka dashur Rexhep Mala, aq t`ka dashtë Nuhi Berisha!

Veprimtari nuk duhet të lejojë, që ta kapin sikur lepurin çalaman!

(Rexhep Mala)


Nuhi Berisha e Rexhep Mala
Dy dëshmorët e Lirisë, të rënë më 12 nistor 1984, në Prishtinë, në luftë me forcat çetnike-neofashiste serbosllave,- kanë prejardhje nga krahina e Gallapit, Malësia e Komunës së Kamenicës, nga Hogoshti dhe Svirca: fshatra këto me një traditë të gjatë të mikpritjes, të atdhedashurisë dhe të traditave luftarake. Të dy familjet e tyre më vonë shpërngulen në Gjilan, dhe jetojnë në Kodrën e Bardhë.
Rexhep Mala ishte pjesëmarrës i Demonstratave të vitit 1968, që u mbajtën në atmosferën e krijuar, pas një shtrëngate torturuese 23-vjeçare të regjimit policor të Aleksandër Rankoviçit: kur në emër të „tepricave“ merrej haraç drithë e sanë, mish bagëtish e mish pulash, vezë...
Të gjitha këto po i bekonte satrapi Tito;- dhe ky kriminel e mashtrues ordiner, reagoi vetëm kur u zbuluan përgjimet rankoviçiste edhe në kabinetin e Titos! Pra, pasi iu rrezikua froni, satrapi erdhi në Kosovë, më 1967, dhe deklaroi: Është bërë shprehi të themi se shqiptarët në Kosovë janë pakicë kombëtare, po unë këtu po shoh se, për zotin, shqiptarët qenkan shumicë absolute kombëtare!!“- krejt kjo me dinakëri, për të na bërë aleatë në momentin kritik.
Rexhep Mala me shokë, nuk iu besonin këtyre proçkave: ata e dinin se Konkluzionet e Konferencës historike të Bujanit-1), ishin ndaluar e pezulluar, me Seancën e Prizrenit, të mbajtur më 8-10 korrik 1945, nën mbikëqyrjen e OZNA-s famëkeqe- pararendëse e UDB-ës.
Derisa në Konferencën e Bujanit, shumica absolute e delegatëve ishin shqiptarë, sipas përbërjes të popullsisë, tevona në Seancën e Prizrenit, shumica absolute ishin serbë e malazias!!
Po ato ndalesa e shfuqizime, ishin bërë në shkresurinat, dhe ashtu të vdekura po mrizonin ndër arkiva. Kurse në popull flitej e propagandohej për tradhtinë dhe për riorganizim për ribashkim kombëtar dhe territorial: po për këtë nevojiteshin njerëz të drejtë, të çiltër, konsekuentë, të vetëmohimit e të sakrificës;- këto cilësi kishte Rexhepi, dhe me këso kriteresh mund të shoqëroheshe me të.
Më 1973 bëhet anëtar i Grupit Revolucionar (G.R.);- pas një organizimi të gjatë dhe degëzimesh nëpër qeliza dyshe, treshe e pesëshe. Ky Grup Revolucionar kishte organin e vet „Zëri i Kosovës“- që e nxorëm më 1973, në Prishtinë.
Aty Rexhepi tregoi aftësi mobilizuese dhe punë kreative konkrete: me të hollat e veta e blen makinën e shkrimit, dhe fillojnë traktet e para. Pastaj, tok me shokët e vet e rrëmbejnë një shaptilograf në Ndërmarrjen „Elektro-Kosova“- te zyrat e Repartit të Shtëpia e Vjetër e Mallrave: Rexhepi që ditën kishte hyrë dhe e kishte kontrolluar terrenin. Në nevojtore e kishte hequr rezën e dritares, kështu që, natën e kanë hapur dritaren, dhe e kanë nxjerrë shaptilografin e ri automatik. Traktet u shpërndanë kryesisht nëpër xeherore: iu shpjegohej punëtorëve se janë duke punuar me forca të shteruara, për një pagë të vogël minimale, dhe iu bëhej thirrje për grevë. Traktet qenë shpërndarë në Trepçë, Golesh, Kishnicë, Novobërdë...
Viti 1975: Rexhepi me shokë, i stolis konviktet me trakte dhe me pllakate e shkrime me ngjyrë. Të nesërmen kishin se çfarë të lexonin e mësonin studentët e punëtorët për padrejtësitë e regjimit antipopullor.
Borgjezia e Prishtinës dhe e Beogradit, me hamendje burgosi 19 veta;- ku Rexhepi u gjet, patjetër, si personi më i dyshimtë. U dënua me burgim dhe i vuajti 8-vjet.
Në vitin 1983, jemi liruar njëkohësisht me Rexhepin dhe kemi kontaktuar me Nuhi Berishën, i cili kishte marrë pjesë aktive në Kryengritjen e vitit 1981, dhe me rastin e

Vallë o bij, ç`po ndodh kështu,
vitet tutje, ju tëhu!?

burgosjes të shokëve, kishte arritur të ik për dritare dhe ishte arratisur, duke kaluar në ilegalitet. Tri vjet ilegalitet. Ai ishte ambientuar me të gjitha shtresat e popullit të Prishtinës dhe të qyteteve të tjera ku vepronte, po edhe të fshatrave e të trevave tjera, me të cilët mbante lidhje me shoqe e shokë. Nuhiu dinte të shoqërohej, jo vetëm me moshatarë, por edhe me më të rinj e me më të vjetër, me burra e me gra, me pleq e me plaka. Rexhepi dhe unë pas 8 e 9 vjetësh burgu, me zor po i mbanim mend rrugët e vjetra të Prishtinës;- në lagjet e reja humbnim fare. Ne shkonim pas Nuhiut si dy kalamaj pas pedagogut: kalonim rrugicave të ngushta, e deriçkë më deriçkë, kaptonim nga lagja në lagje, ditën e natën, pa pengesa: populli i kishte hapur hapekrahë dyert e oborreve e të odave për Nuhiun me pseudonimet „Nazimi“, „Nazmiu“, „Ilegali“...
Këto tri fjalë ishin më të ëmblat e më të dashurat: sikur për fëmijën e varfër e të uritur fjalët „Bukë e sheqer“!! Të gjithë donin të takoheshin me të. Në fjalët e tij s`kishte vend për dyshim: ta paraqiste fitoren të garantuar qindpërqind.
Kur nuk ishin mjaft të kënaqur me veprimtarinë e ditës, Rexhepi dhe Nuhiu, dilnin në midis të natës, dhe në muret e rrugës shkruanin me ngjyrë të dallueshme:“Kosova Republikë“!! Kalimtarët uronin: ju lumtë trimave!!- ka or, ka se kush kujdeset e kush lufton.
Në natën kritike, kemi qenë në shtëpinë e z. Sejdi Veseli, laborant nga Prishtina. I brengosur hyri në odë vëllai i Sejdiut, Shemsiu- Shema, dhe na lajmëroi se një grup policësh po shëtisnin në rrugë përpara derës së tyre. Kemi kërcyer në oborrin e një shtëpie rome. Ata dy e kanë kapërcyer murin e lartë, unë kam mbetur këtej murit: në këtë situatë, mendova se ata e çanë rrethimin, dhe nuk isha fort ngushtë pse mua më kapën romët dhe më dorëzuan në polici.Mirëpo, rrethimet kishin qenë të forta, dhe të përforcuara me ushtri e me polici, e me qerre ushtarake.
Rexhepi e Nuhiu ishin barrikaduar në një bodrum, dhe e kishin filluar luftën: gjithë natën kanë kënduar e kanë luftuar. Kanë pasur nganjë revole të markës „SIG“, me nga njëqind fishekë dhe nga një bombë. Nuk dihet se sa nga kundërshtarët kanë qenë të vrarë e të plagosur (ngase shtypi zyrtar i jepte ato të dhëna), dhe poashtu, nuk dihet në se shokët tanë janë vra apo kanë bërë vetëvrasje në mbarim të municionit e të hedhjes të gazrave lotsjellës e vdekjesjellës, siç vepruan armiqtë tanë edhe me nxënësit e shkollave.

Kurse me atë rast, gazetat patën shkruar:

„Lufta në rrugë“

(Borba na ullicu)

Dhe vërtet, dy Trimat e Kodrës së Trimave, bërën një luftë, e cila pati jehonë. Po nganjëherë edhe rasti e përcakton shkallën e luftës: ata e patën blerë një pushkë automatike me një karikator, po e shitën atë dhe e blenë një tjetër me tre karikatorë, sipas kapacitetit të tyre luftarakë. Mirëpo, për fat të keq, të parën e dorëzuan, e të dytën ende nuk e morën!- kjo edhe do ta shumëfishonte efektin dhe jehonën e luftës të Prishtinës.
Është e njohur Lufta e Kodrës së Kuqe: tre me treqind. Po kjo e Kodrës të Trimave, me siguri që ka qenë dy me dymijë!? Gjithë lagja ka qenë e rrethuar me polici e me ushtri e me qerre ushtarake e me helikopterë: armiku po çuditej e tmerrohej,- në çfarë shkalle paska arritur revolucionarizimi i shqiptarit!?!
Të barrikaduarit dhe Lufta e tyre, kishin tronditur Beogradin!! Duke iu dhënë të kuptojnë, se po ju afrohej fundi i pushtimit dhe i pushtuesit. Aq më tepër kur morën vesh, se dy luftëtarët e lirisë, s`ishin pos 33 e 23-vjeçar!!
Po shokët tanë po hakmerreshin për luftëtarët e rënë: Abdullah Krashnica-Presheva, Emin Duraku, Zenel Hajdini, Rifat Berisha, Fazli Greiçevci, Murat Mehmeti, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka... për nxënësit e helmuar... për tokën e pushtuar...
Ata krahas veprimtarisë konkrete, merreshin edhe me publicistikë e me letërsi. Kështu, nga Rexhepi kemi broshurën „Qëndresa“ e nga Nuhiu broshurën „Pranvera e Luleve të Kuqe“ dhe vjersha të botuara e të pabotuara...
Varganit të luleve, iu shtuan edhe dy lule të kuqe, pranë lapidarëve të të cilëve populli do të përkulet me respekt e dashuri, dhe me dhembje krenarie.
Që të dyve iu patën vdekur nënat, kanë baballarët dhe familjet: Rexhepi ka qenë i martuar dhe ka lënë gruan, zonjën Hanife, dhe bijën, tash 19-vjeçare, me emrin- Fitore. Nuhiu ka qenë i fejuar me Shukrije Gashin, e cila paska deklaruar se pas Nuhiut nuk do të martohet kurrë më...
Lavdi Trimave të Kodrës së Trimave: Rexhep Mala „Ruzhdiu“ e Nuhi Berisha;- të cilët e dhanë jetën e tyre të re, për idealin më të lartë kombëtar- Bashkimin Kombëtar dhe Territorial.


Shënim: ky shkrim është botuar te revista „Arbëria“ nr.1/1995, f. 11-12: policia serbijane s`kishte lejuar që dy shokët të rënë në luftë kundër Serbisë pushtuese, të varroseshin pranë njëritjetrit, por veç e veç e larg njëritjetrit. Kur vdes babai i Rexhepit, pleqnari e patrioti i mirënjohur, Mehmet Mala, e lë amanet që ta varrosin afër dëshmorit Nuhi Berisha: Plaku i mençur ka llogaritur, se po të varroset pranë të birit, familjet s`do të kishin ndonjë arsye, që një shoku i birit të tij të zhvarrosej e të rivarrosej pranë tyre;- kurse në këtë mënyrë: argumenti është bindës që, i biri Rexhepi, të zhvarroset e të varroset pranë Babait, alias (edhe) pranë shokut të luftës, pranë dëshmorit Nuhi Berisha.
Kurse bija e Rexhepit,  zonja Fitore, qenka rritur, qenka martuar me zotni Bedri Abdylin dhe paskan tri goca e një çun: Rrezja 10-vjeçare-(12.1.2005), Lëndina 7-vjeçare-(14.2.2005), Lira 6-vjeçare-(2.6.1999), Dielli 2-vjeçar-(21.6.2003).

Autor dhe bashkeluftetar i deshmoreve
Kadri Mani

Per www.hogoshti.blogspot.com
R. Latifaj HOGOSHTI








Monday, June 20, 2011

GJON SERREÇI (1920 - 1947) PRIJATAR I LNDSH





Në 90 vjetorin e lindjes së Gjon Serreqit

GJON SERREQI
IDEALISTI SHEMBULLOR NGA LAGJJA
E MARTIRËVE TË KOMBIT
------------------------------------------------------------


Shkruan:Prof.Dr. Muhamet Pirraku - Prishtinë, 11 shkurt 2010
Gjon Serreçi,Ajet Gurguri, Ukë Sadiku e Osman Bunjaku pas nje gjykimi publik egzekutohen me 31 gusht 1947 ne "Strelishte" te Taukbashqes ne Prishtinë! 



Sot po e shënojmë, së bashku, për të parën herë në këtë nivel, Ditëlindjen e një idealisti ndër më markantët në lagjen e martirëve të kombit tonë, të Gjon Gjergj Serreqit, personalitet historik meteor i përjetshëm në qiellin e copëzuar të shqiptarisë. Këtij konstatimi hyrës i flenë bukur urtia italiane: “Kush nuk do atdheun, nuk do as Zotin!” Martiri i kombit, Gjon Serreqi e deshi At­dhe­un, me tërë qenien e tij njerëzore, u flijua për lirinë e kombit shqip­­tar dhe për tërësinë e Atdheut shqiptar- Një dhe të pandarë, ashtu siç na e dhuroi Zoti, ndaj duke e dashtë Atdheun, Gjoni e ka dashtë edhe Zotin - Personalitet Ky  komplet,  me përjetësi historike.
U lind në Ferizaj si sot para 90 vjetëve, pikërisht më 11 shkurt 1920. Në moshën 13 vjeç i vdiq e ëma, prizrenasja, Anica Kurti-Serreqi, duke lenë pas vetës vajza e djem të shëndetshëm, për rritën dhe edukimin e të cilëve, më vonë, do të angazhohet e njerka, Mana, e cila vinte nga Gjakova. 
Martiri i kombit, Gjon Serreqi, shkollën fillore në gjuhën serbe e mbaroi në vendlindje, prej nga shkoi në “Seminarin Ipeshkvnor” në Prizren. Meqë mësimi fetar për priftë nuk i shkoi për shtati karakterit të tij luftarak, në vitin shkollor 1939/40, u diplomua në gjimnaz. Në vitin shkollor në vijim, Gjoni do të regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, mirëpo studimet do t’i ndërpresë, në shkurt të vitit 1941, me shumë gjasë, për shkaqe ekonomike, sepse i et, Gjergji, një teneqepunues i varfër, me vështirësi i kamconte nevojat jetësore për tetë fëmijët (pesë djem e tri vajza), gruan dhe  vetën.
Mirëpo përnjëherë pas shpërbërjes së Jugosllavisë Versajase, pikërisht në prill të vitit 1941, Gjon Gjergj Serreqi, tashti 21 vjeç, shumë i gjallë, u gjet ashtu si mundi dhe shkoi në Piza të Italisë, për t’i vazhduar studimet në Fakultetin Filozofik. Prej aty, pas gjashtë muajsh, do të kalojë në Firence, ku do të studiojë deri nga fundi i verës së vitit 1943.
Kemi të dhëna të prekshme se gjatë shkollimit në Itali, Gjoni mbajti kontakte me rininë shkollore e studentore të Kosovës, i përku­sh­tuar fuqimisht çështjes së lirisë së kombit shqiptar dhe të Shqipë­risë, e cila ishte nisur në rrugën e ribashkimit territorial e politik shtetëror. Se djaloshi i shëndetshëm, Gjon Serreqi ishte i përkushtuar shqipta­risë, që nga fillet e studimeve në Firence, kemi një dëshmi me shumë vlerë kulturore e dokumentare historike. Pikërisht në dhjetorin e vitit 1941, Gjoni ia dhuroi nxënëses së gjimnazit “Sami Frashri” të Prishtinës, Rahmie Xhemajl Kabashit- Dobroshi nga Prizreni, një pikturë që tregonte një Kullë shqiptare të rrethuar me mur, kurse në oborr midis shumë drunjve të gjelbëruar, shihet një Lis i madh me  degë e gjelbërim të bujshëm. Piktura është firmosur: “XII. 1941. Gjon Serreqi”. Kulla, muri, lisi dhe gjelbërimi simbolizonin forcën, vjetërsinë dhe vitali­te­tin e kombit shqiptar që do ta siguronte ribashkimi i Shqipërisë së copëtuar me dhunë ballkanike, evropiane e botërore. Këtë mesazh të pikturës e pasuron edhe për­m­bajtja e përkushtimit në shpinë të pikturës, shkruar me dorën e Gjonit: “Talentet dhe çfar mundësie t’kemi, t’gjitha i kemi vetëm për Nanen Shqipni...! Nji kujtim i thjesht, por i përzemërt Shoqes Rahmies- nga nji shok i djegun me ideale të shejta kombëtare...!”
Patrioti Gjon Serreqi i ndoqi studimet me rregull krejt deri me  zbarkimin e Aleatëve Anglo-Amerikan në Sicili, kurse në Ferizaj e sho­him nga mesi i gushtit të vitit 1943, i mirëseardhur për pushtet­mbajtësit e Nënpre­fe­k­turës. Ndonëse aso kohe Gjoni mund të ishte student i vitit të tretë, për rrethanat dhe kohën konsiderohej si një intelektual vendas midis atyre që mund të numëroheshin në gishtërinj të duarve, ndaj do të emërohet kryetar i komunës së Babushit, e kjo ia mundësoi kontaktet me pushtetarë të niveleve të ndryshme si edhe me krerët popullorë me ndikim në popull.
Koha kur Gjon Serreqi ishte kryetar komune përputhet me ko­hën kur u forcuan përpjekjet e individëve të bashkuar në “Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit”, për të realizuar ribashkimin e Shqipërisë Natyrore para së të përfundonte Lufta e Dytë Botërore. Realisht, ishte kërkesë shqiptare politike patriotike dominuese që vendet shqiptare të bashkoheshin në një administratë shtetërore para se të ftohej kon­fe­re­nca që do ta përmbyllte Luftën e përgjakshme të popujve.
  Kryetari Gjon Serreqi, ndonëse i ri, vetëm 23 vjeç, qëndroi mirë në krye të detyrës, - i përkushtuar përpjekjeve për realizimin e ribash­kimit të kombit. Është fakt se Gjoni, aso kohe, nuk e fshihte italofilinë, si edhe shumica e shqiptarëve katolikë, karshi masës shqiptare islame, që ishte më shumë filogjermane. Ky fakt, stru­kturave komuniste në vend u dha “argumente” që Gjon Serreqin ta spiunonin në Gestapo, si “fashist italofil, të dëmshëm për mirëqenien naziste në Nënprefekturën e Ferizajt”!?!
 Kjo shërbeu si shkak për ta arrestuar, në maj të vitit 1944. Këso kohe Gestapoja arrestoi shumë mësues e nëpunës komunistë e ballistë, në të gjitha viset e “Shtetit Shqiptar”. Midis të arrestuarve nga Gestapoja në Nën­pre­fekturën e Ferizajt ishin antifashistët e përfshirë në “Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare” komuniste: Idriz Ajet Gashi, Halit Ibi­shi, Abdullah Musliu, Isuf Bajraktari, Xhevat Sojeva, Ibrahim grainca e të tjerë. Të burgosurit nga Kosova, Gestapoja, fillimisht, i vendosi në “Kampin e Përqendrimit” në Prish­tinë, ku iu shtruan trajtimit dhe klasifikimit policor e gjyqësor: “Për dënim me varje publike”, “Për internim në Kampin “K-16” të Vjenës“ dhe “Për mbajtjen në kampet e Përqendrimit në Shtetin Shqiptar”. Gjon Serreqi i takoi grupit që do të dërgohet në Kampin “K-16” të Vjenës, e gjetkë në Austri, kurse do të riatdhesohet në qershor të vitit 1945.
Kthimi në Atdhe për patriotin Gjon Gjergj Serreqi ndodhi të ishte si një kthim nga sprovat për njerëzit në “Rrethin e tretë” në ato të “Rrethit të Shtatë të Ferrit të Dantes”! Nuk gjeti asgjë nga liria që kombi shqiptar i kishte përjetuar në periudhën e “okupimit” nazi-fashist nga 14 prilli 1941, kur ndodhi largimi i forcave ushtarake e policore jugosllave nga pjesa më e madhe e tokave shqiptare.
Fatkeqësisht, tashti tokat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë Londineze ishin të ujitura me gjakun e bijve më të mirë, të therë nga bartësit e “Diktaturës Proletare” kominterniste. Të thuash, të gjitha vë­lla­zëritë shqiptare, madje edhe pjesa më e madhe e familjeve, bashkëjetonte me skamjen për kafshatën e gojës dhe me Zinë famil­jare për humbjet e anëtarëve të familjes.
 Në këtë gjendje katrani të vluar, Gjoni e gjeti edhe familjen e  vete. Serbët ia kishin martirizuar vëllanë e vogël, Redin, 16 vjeçar, dhe ia kishin pushkatuar burrin e motrës së madhe, prizrenasin Martin Kolveshi. Të Et, Gjergjin, Gjoni e gjeti në pozitë të mjeruar. Këto rrethana të ndera, familjare e shoqërore, ishin shkak potencial që do ta detyronin akëcilin personalitet të sojit njerëzor të Gjon Serreqit të merrte, pa hezitim, krahun e forcave politike e luftarake patriotike shqiptare të drejtuara nga komitetet vendore e qarkore të “Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”, kundër robëruesit jugosllav.
Që Gjoni të vepronte më shlirshëm për idealet e tij jetësore - për “Nanen Shqipni...!”, fillimisht e liroi të fejuarën, me sugjerim të martohej gjetkë! Dhe, këtu, kërkohet të ritheksoj faktin se nuk ekziston asnjë e dhënë e besueshme, e kohës që flet se Gjon Serreqi ishte komunist, apo prokomunist, siç e portretoi komunisti Ibrahim Grainca, e më vonë endëshëist. Rea­lisht, në jetën mbi njëvjeçare me komunistë shqiptarë në kampet naziste, Gjon Serreqit iu imponua kultivimi i marrëdhënieve të afërta shoqërore e miqësore me komunistët shqiptarë, e kjo do t’i hyje në punë, madje, vetëm si arsye që të arsyetonte kërkesën për punësim në përputhje me shkallën e arsimit që kishte.
Meqë, deri në këtë kohë, ishte tërhequr nga Kosova pjesa më e madhe e kuadrit arsimor shqiptar të kualifikuar, Gjon Serreqit do t’i mundësohet punësimi në “Gjimnazin Shqiptar të Prishtinës” si mësimdhënës i matematikës dhe i historisë, kurse punën do ta fillojë nga fillimi i vitit shkollor 1945/46. Këso kohe në gjimnaz vepronte një bërthamë e organizimit politik endëshëist, ku gravitonin disa nxënës të lidhur me Komitetin Vendor të ONDSH-re të Prishtinës, themeluar nga Hafëz Mehmet Mulla Salih Statovci.
Deri me sot, në shumë shkrime e vepra historiografike është pas­qyruar lidhja dhe aktiviteti i Gjon Serreqit në organizimin endë­shëist të nxënësve të Gjimnazit Shqiptar të Prishtinës, ato me Komitetet vendore të ONDSH-re të Prishtinës, e të Ferizajt si dhe me Ko­mitetin Qendror të ONDSH-re me seli në Shkup, nga nëntori i vitit 1945 deri më 27 prill 1946, kur Gjoni kaloi në ilegalitet, por edhe akti­vi­teti politik e luftarak i Tij në radhët e “Organizatës Nr. 2” me seli në Drenicë, e cila faktikisht veproi nga 27 tetori 1945 deri më 25 korrik l946, me rolin e “Shtabit Politik e ushtarak” të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare”.
Patrioti Gjon Serreqi, në këtë “Shtab” kreu detyrën e “Sekretarit politik”, kurse komandant ishte Ajet Gurguri. Ky organizim politik e ush­tarak kombëtar - “Organizata Nr. 2”, gjalloi në një periudhë trish­tu­ese të shtetrrethimit policor e ushtarak jugosllav, falë mbështetjes, dijes e guximit të pashembullt të Mulla Arif Shalës - “Hoxhë Avdisë” së Flamurasit, komandant i “Rojes Partizane” e sekretar i komunës së Bushatit.
Këtu, kërkohet  të konstatojmë se organizimi politik dhe luf­ta­rak i ONDSH-re me fillet nga marsi i vitit 1945, fillimisht e synoi vazhdimin e përvojës programatike të “Ballit Kombëtar”, së këndejmi edhe kong­re­set i numëroi nga “Kongresi i Dytë i Ballit”. Kështu, Kongresi i Parë i ONDSH-re, në gusht të vitit 1945, do të quhet “Kongresi i Tretë”, ndonëse në këtë kongres, sipas propozimit të Profesor Luan Gashit, “Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare” e mori emrin “Lëvizja për Lirimin e Tokave shqiptare”, kurse strukturën organizative dhe “Programin” do ta definoj “Kongresi i Katërt i Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare”, i mbajtur në Shkup, më 1 qershor 1946, nën udhëheqjen e intelektualit dhe patriotit vlerë e kombit - Halim Ibrahim Orana nga Gjilan­i.
Kërkesat tona jetësore na detyrojnë t’i rikujtojmë së bashku vetëm dy nga katër pikat e “Programit” të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare”, e cila, në kujtesën e popullit u përjetësua si NDSH-e. Në pikën Një kërkohej: “Liri dhe pamvarsi të plotë me të drejtë vetqeverimi në bazë të vullnetit të popullit të çfaqun lirisht”, kurse në pikën Dy, saktësohej: “Nen toka Shqiptare kuptohen krejt vendet ku banojnë shqiptarët në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendi dhe nga kush asht i pushtuem”. Dokumenti përfundonte me thirrjen: ”Rroftë Shqipnija e vërtetë me kufijtë e sajë etnikë!".
 Këtu kërkohet të konstatojmë faktin se dokumentet e aprovuara në Kongresin e Katërt, si edhe dokumentet e tjera më të rëndësishme të Komitetit Qendror të Lëvizja për Lirimin e Tokave shqiptare”, do të rishtypen në shumë kopje, dhe do të shpërndahen në pjesë të ndryshme të Kosovës nga “Organizat Nr. 2” me seli në Bushat të Drenicës, pikërisht me makinën zyrtare të sekretarit të komunës, Mulla Arif Shala.
Se veprimtari politik, Gjon Serreqi i ka qëndruar besnik mesa­zhit të “Përkushtimit të dhjetorit 1941” dhe se ka vepruar me përku­shtim jetësor për të zbatuar kërkesat e “Shemës së Organizimit” dhe të “Programit” të Lëvizjes, pasqyron në mënyrë të plotë përmbajtja e një Letër-direktivës së Gjonit, shkruar “Në Malet e Drenicës, më 11 korrik 1946”, drejtuar veprimtarit të Komitetit vendor të Lypjanit, Mulla Sadri Prestreshës, që mbante pseudonimin “Shpresimi”. Në këtë dokument, Gjon Serreqi, midis të tjerash, shkruante: “Shpresim i dashtun, Nga aj Zotnija mora lajmet tua dhe më gëzoj, po ashtu sikur që më gëzoi kur nji vlla do me shtri kontributin e vetë në luftën e këti Populli Shqiptar për kufijt e Atdheut tonë...”! Letër- direktivën prej dy faqesh, Gjoni e përfundoi me thirrjen:”Besa Kombëtare - Ndera shqiptare! Rroft Ushtrija Nacional Demokrate Shqiptare! Në luftë për kufijt e Shqipnis Etnike 1912 sene”.
Në këtë frymë do të planifikohet përgatitja e Kongresit të Pestë të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare”, i ftuar për datën 25 korrik 1946, e që duhej të mbahej në rajonin ku e kishte të shtrirë aktivitetin politik e ushtarak “Organizata Nr. 2”. Mirëpo, OZN-a deri tashti i kishte kapur lidhjet kryesore që çonin në “Komitetin Qendror të Shkupit”, dhe midis 14 e 23 korrikut arrestoi të thuash të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror dhe, realisht, pamundësoi mbajtjen e  “Kongresit të Pestë” të Lëvizjes.
Veça­në­risht zbulimi midis “delega­tëve” i dorës së kryeoznasit të Kosmetit, Spasoje Gjakoviq, i quajtur Rexhep Lushi nga Carrabregu i Deçanit, solli ndjenjën e pasigurisë para drejtuesve të forcave të armatosura të shtrohet pyetja: Në ç’udhë duhet të shpihet Lëvizja në rrethanat e krijuara pas dënimit me vdekje të drejtuesve të "Komitet Central" ballist në krye me fratin katolik Bernard Llupi, pas arrestimit të anëtarëve të Komitetit Qendror “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare, e të shumë aktivistëve të saj si edhe të “Besës Kombëtare” të “Profesor” Ymer Berishës, e veçmas pas vrasjes së Ymer Berishës, më 11 korrik 1946, i planifikuar të emërohej Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Demokrate Shqiptare.
Pjesa më e madhe e komandantëve të njësiteve ishin për vazhdimin e rezistencës, pa marrë parasysh rrezikun, kurse kryetari dhe sekretari i “Organizatës Nr.2”, Gurguri e Serreqi ishin për tërhe­qjen e forcave të armatosura në Greqi, “pa hequr dorë nga Përpjekjet politike mbi Programin e Lëvizjes”! Në këtë frymë folën, detyrimisht, edhe para delegatëve civilë dhe forcave të armatosura. Të rikujtojmë këtu vetëm me një fragment nga Fjala e Gjon Serreqit: "...Vëllezër shqiptar, ne kemi dalë në male për të luftuar për atdheun tonë, që ta çlirojmë tokën tonë nga robëruesi. Ne do t'i çlirojmë viset tona në kufijtë e vitit 1912. Po luftojmë për Shqipërinë Etnike, për lirinë e popullit tonë, që ta shpëtojmë nga robëria e shkatërrimi...!"
Megjithatë, “Kongresistët” do të shpërndahen, para territ, në dy drejtime plotësisht të kundërta. Realisht, ky ishte fundi i rezistencës shqiptare mbi Programin e aprovuar në “Kongresin e Katërt”. Ajet Gur­guri me Gjon Serreqin, të ndjekur nga 97 bashkëluf­tëtarë, do të mësyjnë "rrugën për në Shqipëri", dhe, më 8 gusht 1946, do të shpartallohen nga OZN-a në malësi të Prizrenit. Prej këndej, pas shumë peripecive, Gjon Serreqi i ndjekur nga prishtinasi Osman Abaz  Gagica, me prejardhje nga viset e Dardanës, aty nga mesi i Gushtit 1946, do të gjendet në vise të Ferizajt, prej nga, pas disa kontakteve me veprimtarë e me grupe të armatosura të Lëvizjes, vazhdimisht nën përcjelljen e OZN-as, do të kalojnë në Anamoravën e Poshtme.
Këtu, frëngu i urtë, Volteri, do të na këshillonte: “Duaje të vërtetën dhe fale gabimin”! Idealisti i madh, Gjon Serreqi, nuk e vle­rë­soi realisht situatën e sigurisë edhe pse kishte informata se OZN-a i kishte në dorë personalitetet kyçe të Lëvizjes, se OZN-a tashti i mbante nën vëzhgim të plotë pjesëtarët më markantë në Lëvizje, si edhe grupet e armatosura. Edhe në rrethana të një realiteti të tillë, aty nga fillimi i tetorit 1946, Gjon Serreqi u hyri përpjekjeve për përtëritjen e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare politike e të armatosur. Hapin e parë në këtë drejtim e bëri në Shipashnicë të Epërme, e pikërisht në familjen e Ramadan Beqir - Dërmakut, që ishte nën reflektorët e OZN-as, për faktin se i nipi i tij, Rexhepi, ishte në arrati, si njëri nga atentatorët kundër oficerit të OZN‑ës, Shefki Beqir Gadimes, më 22 qershor 1946.
Me kompetencë shkencore mund të konstatojë se sikur Gjon Serreqi ta kishte ndjekur përvojën e Mulla Idris Gjilanit, të Ibrahim Lutfiut e të Hsan Remnikut, për veprim nga ilegaliteti i thellë, (nisur nga virtytet e Ramadan Beqirit dhe të dy bashkëfshatarët e tij: Haqif Mehmetit e të Sadri Sherifit, të cilët Gjoni i lidhi formalisht në një “Komitet”), nuk do të ishte zbuluar as arrestuar nga OZN-a, deri sa vet do të dekonspirohej me fajin e tij, siç ndodhi zbulimi i Mulla Idrisit, më 1949, i Ibrahim Lutfiut, më 1950, dhe i Hasan Remnikut më 1951, aq më parë pasi Gjon Serreqi e kishte edhe mbrojtjen e komandantit të Stacionit të Milicisë, patriotit trim, Isa Dujaka nga viset e Gjakovës, i mbështetur nga katër milicë besnikë.
Madje Gjon Serreqi shkoi aq larg sa që, në natën e 20 tetorit 1946, mbajti “Kuvendin e të Arratisurve” e të veprimtarëve të Lëvizjes të Anamoravës e të Kosovës Lindore. Në hapje të  këtij “Kuvendi” Serreqi kërkoi: "Kush dëshiron të qëndrojë në grup me mua dua ta dijë, e kush nuk dëshiron duhet të ndahet prej nesh, përn­jë­herë!", ngase, ata që do të shkojnë, "nuk duhet ta dinë se çka do të vendosim dhe as ku do të shkonim!".
OZN-a këtë “Kuvend” e kishte mbajtur nën vëzhgim dhe të ne­sër­men, e arrestoi kryetarin e Komitetit Qarkor të Lëviz­jes për Lirimin e Tokave shqiptare” të Gjilanit, patriotin brilant, Rexhep Shemë Dajkovcin, i cili sa po kthehej nga "takimi me ballistët". Me njohuri të madher të fakteve mund të konstatoj se Rexhep Dajkovci është i vetmi endëshëistë që nuk do të thyhet në hetuesinë policore barbare. Mirëpo OZN- a kishte informata nga burime të tjera dhe në ditët në vijim do të burgosen dhe vriten dhjeta veta anë e këndë Anamoravës, e Kosovës, kurse më 10 shkurt 1947, forcat e OZN-as e rrethuan edhe “Bunkerin e Njësitit të armatosur të Gjon Serreqit” në Shipashnicë, krejt afër Stacionit të Milicisë. Planet e OZN-as i kishte zbuluar me kohë patrioti Isa Dujaka, ndaj “Bunkeri i Gjonit” u gjet pa njeri brenda. Mirëpo OZN-a i arrestoi mbështetësit besnikë të Gjon Serreqit, e kjo diktoi edhe shpërndarjen e përnjëhershme të “Njësitit të Serreqit”. Nga tashti Gjon Serreqi, prapë, mbeti në duart Osman Abaz Gagicës.
E kam thënë më se një herë dhe do t’ua përkujtoj edhe sonte, se urtaku Salih Pirraku, duke përcjellë përvojën familjare në Lëvizjen Ka­çake nga babagjyshi e babai,  dhe  të tijen deri në vitin 1941, ma la këtë amanet, më 1973: “Biri im! Nëse do të shkru­a­ni për Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare Antijugoslla­ve, shkruani për jatakët, se ata janë më të mëdhenj se kaçakët...!" Dhe, me mbështetje të pakontestue­sh­me mund të konstatoj se një nderim të popullit e të historianëve e meritojnë të gjithë mbështetësit, jatakët e Gjon Serreqit, në vise të Drenicës, të Ferizajt, e të  Anamoravës.
 Patrioti ekzemplar, Gjon Serreqi, do të kapet nga OZN-a në orët e para të ditës së 25 shkurtit 1947, në një kasolle mali në Desivojcë, i shoqëruar nga djaloshi trim e besnik i madh, Rizah Bajram Shkodriqi. Gjurmët për kapjen e Gjonit i zbuloi shoqëruesi, më besniku prej 25 korrikut 1946, Osman Abaz Gagica, i cili ishte dorëzuar vetëm një ditë më parë, më 24 shkurt 1947, me kërkesën urdhëruese të Gjon Serreqit. Osman Abazi në hetuesi nisi sipas mësimit të Gjonit, por u thye! 

Gjon Serreqi, së bashku me Ajet Gurgurin, Ukë Sadikun dhe Osman Bunjakun, pas një gjykimi publik spektakular, do të ekzeku­tohen, më 31 gusht 1947, në Varrezën e Burrërisë Shqip­tare nga Nëntori i Përgjakur 1944, në “Strelishtë” të Taukbashqes - Varr Ky edhe sot i përdhosur nga NE - djemtë e nipat e Martirëve të Shqipërisë Etnike!?! Megjithatë, vazhdimisht ma kënda të shpresoj se Gjon Serreqi - Idealisti shembullor nga lagjja e martirëve të kombit
Është gjallë, gjallë atje në male - në kujtesën e popullit!
Akademi Përkujtimore - Prishtinë, 11 shkurt 2010
     Pas gjykimit dhe dënimit me vdekje nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, vendimin për pushkatim e kanë vërtetuar:  udhëheqësit e Shërbimit të Seksionit të Punëve të Brendshme:
     Hashim Mustafa,
     Gligorie Sharanoviq,
     Sadri Doçi dhe
     Vaso Jovanoviq.
     Udhëheqës i Seksionit  Mazllum Nimani, kapiten  dhe
     Prokurori publik për Kosovë e Metohi, Ali Shukriu.