AMANETIN E HASAN PRISHTINËS, IDEOLOGUT KRYESOR TË SHQIPËRISË ETNIKE, DUHET ÇUAR NË VEND!
|
shkruar nga Ramadan PLLANA |
|
(Përkujtim me rastin e 76 vjetorit të vrasjes mizore të këtij vigani të Shqipërisë Etnike)
- Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im.
- Dhe, para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj! (Hasan Prishtina)
Më 13 gusht mbushën 76 vjet që nga data e 13 gushtit të vitit 1933,
ku në qytetin e Selanikut u vra në pabesi ideologu i Shqipërisë Etnike
Hasan Prishtina nga tradhtari, Ibrahim Çelo.
Hasan PRISHTINA (1873 – 1933)
Hasan
Prishtina, strategu i shquar i Pavarësisë së Shqipërisë, kurrë nuk u
ndalë së luftuari për çlirim e bashkim kombëtar, për bashkimin e të
gjitha trojeve shqiptare, aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë. Heroizmi
dhe fryma e tij, edhe pas trupit të vrarë nga tradhtia e Ahmet Zogut e
me ndihmën e Serbisë fashiste, do të ndikojë e gjallërojë, dhe ende
frymëzon, deri në Ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjerë sa të
bëhet Shqipëria Etnike.

Atdhetar i paepur, me pendë e me pushkë, i shquar që luftoi për
lirinë e Pavarësinë e Atdheut, pastaj për demokratizimin e jetës së
shtetit shqiptar, për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare
nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me Nënë Shqipërinë. Lindi në
Vushtrri në një familje bujare, të shpërngulur nga Polaci i Drenicës
kreshnike. Mësimet e para i kreu në Vushtrri. Këtu, në qytetin e
lindjes, do ta kryej edhe gjimnazin e ulët (Iptidai) ku do të edukohet e
frymëzohet, për dije e për atdhedashuri, prej pedagogut drenicak Hafëz
Arifi nga Prekazi. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin frëng të
Selanikut, ku do ta mësoi edhe gjuhën frënge e do të njihet me veprat e
iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos, etj; kurse,
studimet e larta i kreu në Stamboll për shkencat politiko-juridike. Në
kryeqytetin otoman krijoi lidhje të ngushta me bashkatdhetarë të dalluar
dhe do të lexojë shpirtërisht veprat e vëllezërve Frashëri, Pashko
Vasës, Hoxhë Tahsinit, etj. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet
në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në
Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave
kombëtare të shqiptarëve. Nga kjo kohë do të njihet me mbiemrin
Prishtina, përpara quhej Hasan Vuçiterni. Hasan Prishtina, kurrë nuk i
vuri interesat personale mbi ato shoqërore e kombëtare. Në parlament
luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të
Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare
në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri me
oficerë vendas, etj. Dha kontribut të madh në hapjen e shkollave shqipe
si dhe në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit më 1909 ku do të
dërgonte djem nga Kosova e Dibra duke u ndihmuar edhe financiarisht, ku
drejtor ishte Luigj Gurakuqi. Mu nga mirënjohja dhe nga një frymëzim i
lartë për kontributin e Hasan Prishtinës, Luigji do të shkruaj: «Rroftë
atdhetari i shkëlqyer, ky engjëll i Shqipënies së mjerë! Istoria e
kombit t’onë me shkronja t’arta, me shkronja të shkelqyera do të
shkruajë ndër faqet e’ saj shërbimet e mëdha, punët e shënuara, që
qëndrojnë sipas çdo lavdimi, të cilat asht tue bâmun deputeti i
adhurueshëm ndër deputetet t’onë Hasan be Prishtina në fushë atdhesie. .
. brez pas brezi, ati dhe bir pas pas biri zembrat e djegura
t’atdhetarëvet emënin t’uaj kânë me bekuar, dhe një shtat i
shkëlqyeshmë, një shtat i mermertë që do të ngrehet për ju, pasi moti të
kalojnë, kaa me leçitun për para botës së qytetënueme, që një komb i
gjithë ju ka detyrë!» («Bashkimi i Kombit» nr. 25, 25. II.1910).
Qysh nga janari i vitit 1912 ai do të mbajë mbledhje të fshehta së
bashku me Ismail Qemalin, në lagjën «Taksim» të Stambollit dhe do të
vendosin për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në
Shqipëri. Për këtë vendosmëri e kishte paralajmëruar edhe Parlamentin
otaman, kur ky(Parlamenti) nuk merrte parasysh kërkesat e deputetëve
shqiptarë, kërkesat e drejta të tyre për një autonomi të Shqipërisë, ku
ndër të tjera deklaron: «…një ndër të parët që do marrë në dorë flamurin
e revolucionit, ndofta i pari ndër të parët do të jem unë».
Kështu
gjatë pranverës së atij viti fillon përgatitjet e një kryengritje me
karakter të përgjithshëm kombëtar duke u lidhur me besa –besë me
tribunët popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ahmet
Delinë, Mehmet pashë Dralla, kushëririn e vet Zejnullah Begu, etj. Pas
një lufte, me betejat triumfale midis 5 majit-18 gushtit 1912,
kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e çliruan Vilajetin e
Kosovës. Toskë e Gegë ia besuan ngritjen e flamurit kombëtar në Shkup
më 12 gusht 1912. Me marrjen e Shkupit, kryengritësit shqiptare i
çliruan te burgosurit qe ishin mbi 1 000 vete, e shtinë ne dore post
telegrafin dhe suspenduan shume qeveritarë dhe administratorë turq dhe
përkrahës te tyre ne Shkup dhe shumë qytete tjera të Vilajetit të
Kosovës.

Me 18 gusht pas një zhagitjeje të gjatë të përgjigjes qeveria turke
doli zyrtarisht se i pranon 12 pika nga 14, kërkesat e njohura me emrin
“14 pikat e Hasan Prishtinës”, sa kërkonin me marrëveshjen e Prishtinës
kryengritësit shqiptarë. Kryengritësit shqiptarë të Kosovës u
“demobilizuan” me kërkesë të Hasan be Prishtinës, me arsyetim se Qeveria
Osmane -Turqia i ka pranuar “14 kërkesa të kryengritjes”… Mirëpo,
shkaku ishte tjetër dhe pikërisht i natyrës së dobësive të disa krerëve
kryengritës për të qenë konsekuentë për ta ndjekur strategjinë e Hasan
Prishtinës deri te bërja e shtetit shqiptar. Qe, çka thotë Hasan
Prishtina në kujtimet e veta: « Në tjetrën anë Ibrahim Pasha filloi me i
lëmue kryetarët tjerë qi shkuen m'e vizitue edhe nisi me u perpjekun me
të gjith fuqin e vet per me shti dasin në mes t'onë. Sidomos filloi me
perfitue në ma të mirën mënyrë prej pa dijes së Riza Beg Gjakovës e të
fanatizmit fetar të tij. Riza Beg Gjakova e mandej edhe Isa Buletini
filluen me thanë: "Na nuk duem autonomi edhe nuk mund të dahemi prej
osmanlive". N'anë tjeter filluen me u perpjekë me konsulin serb në
Prishtinë. Konsuli do t'i u ketë thanë se do tu epte armë, mbasi ma
vonë, morën prej Serbisë shumë pushkë. Gjendja ishte tue shkue për ditë e
ma keq… Por në njenën anë Ibrahim Pasha e në tjetrën konsulli i Serbis
kishin mërrijtë me futë farën e dasis në mes t'onë me propaganda qi
bajshin nën dorë. »
Kryengritësit shqiptarë, ndonëse arritën ta çlirojnë Kosovë nga
perandoria osmane, Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca,
Austro-Hungaria, Italia… duke qenë kundër interesave shqiptare,
intensifikuan fuqishëm aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar
realizimin e formimit të një shtetit shqiptar (me kufij etnik) në
Ballkan. Në tetor 1912 shpallet lufta e parë Ballkanike, me pretekst
çlirimin e vëllezërve të tyre. Në fakt, me anë të saj pretendoheshin
territoret shqiptare.
Hasan Prishtina, është burgosur më 26 tetor të vitit 1912, nga
Ushtria okupatore serbe kur e pushtoi Shkupin. Ndërkaq, në fillim të
vitit 1913, tre Qeveritë, ajo e Italisë, Anglisë dhe Austro-Hungarise me
anë të një memorandumi kërkuan në mënyrë ultimative lirimin e
menjëhershëm të Hasan Prishtinës nga burgu dhe ajo ndodhi. Shtetit të Pavarur Shqiptar që u pranua në Konferencën e Londrës, më
1913, ia copëtuan tokat verilindore dhe jugore të banuara me shqiptarë.
Vendimi i këtillë u soll si kompromis, me qëllim që t’i iket keqësimit
të marrëdhënieve mes vet Fuqive të Mëdha. Me vendimin e këtillë në masë
të madhe u kënaqën pretendimet e shteteve tjera ballkanike, por nuk i
morën parasysh interesat kombëtare të popullit shqiptar për krijimin e
shtetit të tij etnik që paraprakisht u shprehën në Kuvendin e Vlorës.
Në vitin 1913 është kthyer në Shqipëri dhe u ngarkua nga Ismajl
Qemajli me detyrën e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Kombëtare të
Vlorës.
Gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në Kosovë dhe duke
shfrytëzuar rrethanat e kohës, nën okupimin e Austro-Hungarisë do të
bëhet përsëri promotori i arsimimit të shqiptarëve duke hapur shumë
shkolla anembanë Kosovës. Gjithashtu, në mënyrë sekrete, pengonte
regrutimin e shqiptarëve në njësitë ushtarake austro-hungareze për t’i
dërguar në frontin e Galicisë, kundër Rusisë.
Gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen
Kombëtare edhe në Shkup e rrethinë që ishte pushtuar nga Bullgaria, ku,
më 1917, u burgos nga policia bullgare. Hasan Prishtina, do ta thejë
dritaren e qelisë së burgut duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt; në këtë
rast do ta lëndojë rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë.
Me themelimin e komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" në Shkodër
më 1918, të udhëhequr nga Hoxhë Kadrija (1878-1925) u zgjodh anëtar i
tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të
delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte
bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera
shqiptare në Jugosllavi. Në këtë komitet ishin edhe këta atdhetarë të
njohur: Bajram Curri, Avni Rrustemi, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri
Peja, Azem Galica, Elez Isufi, Sotir Peci, Sotir Kolea, etj.
Në veprimtarinë e tij të pashembullt do të ketë pengesa të mëdha, si
nga ana e shteteve shoviniste ballkanike, Serbisë, Greqisë, Malit të
Zi, Bullgarisë, të përkrahura nga Fuqitë e mëdha, sidomos nga Rusia e
Franca, dhe nga tradhtarët shqiptarë me damkë, nga Esat Pashë Toptani,
Ahmet Zogu, Ceno beg Kryeziu, etj.
Hasan Prishtina, ishte një nga promotorët më aktiv në përgatitjen
dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u
zgjodh deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit
1921 kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit, por nga
presioni i reaksionit të bejlerëve, në krye me Ahmet Zogun, jep
dorëheqje, për të mos qenë shkaktar i ndonjë vëllavrasje kombëtare.
Pastaj, duke parë ambiciet e sëmura personale të Ahmet Zogut për
pushtet, Hasan Prishtina bëhet një nga drejtuesit e organizatorët
kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Gjatë viteve
1922 dhe 1923 u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të
brendshëm. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e "Zonës neutrale"të
Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i lëvizjes
nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit
serb. Hasan Prishtina, mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit
Demokratiko-borgjez të Qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në
jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga ky revolucion. Në
shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit
"Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", shkoi, së bashku me Fan Nolin, Luigj
Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë
ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve
shoviniste serbe në Kosovë. Në këtë rast, Sotir Kolea, në gazetën
dyjavore « L’ALBANIE », që dilte në Losanë të Zvicrës në gjuhën frënge,
do të shkruan më 19 janar 1919 shkrimin me titull: Une voix d’Albanie (
Një zë i Shqipërisë), ku ndër të tjera do të thotë « …Dans l’appel si
noblement et si virilement patriote qu’on va lire, c’est la voix de tout
le peuple albanais, depuis des siècles assoiffé de liberté et
d’indépendance, qui retentit. Dans les circonstances actuelles, notre
peuple ne pouvait trouver d’interprète plus fidèle et plus autorisé que
le groupe de patriotes qui se pressent autour de M. Hassan Béy
Prishtina, signataire, en leur nom, de la supplique à M. Wilson. ) (…Në
apelin aq fisnikërisht e me aq burrëri atdhetare që do ta lexojmë, është
zëri i gjithë popullit shqiptar, i etur qysh me shekuj, për liri dhe
pavarësi, zë që jehon. Në rrethanat aktuale, populli ynë nuk do të
gjente përfaqësues më besnik dhe më me ndikim se grupi i atdhetarëve që
janë rreth z. Hasan Bej Prishtina, në kërkesën që i bëjnë Z. Wilson, në
emër të tyre.)

Pjesë nga letra e Hasan Pishtinës, drejtuar presidentit të ShBA-ve,
Wilsonit në Paris gjatë Konferencës së Paqes hapur më 18 janar 1919:
18 dhjetor 1918
Në këtë çast solemn, ne, përfaqësues të dy milionë e gjysmë
shqiptarëve, të popullit më të vjetër të gadishullit të Ballkanit…ju
lutemi të shqyrtoni aspiratat e kombit tonë…dhe të na jepni mundësinë
t’ia paraqesim këto aspirata Konferencës së Paqes. Për shekuj të tërë.
Me gjithë fatkeqësitë e panumërta kundër të cilave i është dashur të
luftojë, kombi ynë ka ruajtur gjuhën, origjinalitetin, zakonet, doket
dhe traditat e veta. Për pesëqind vjet populli ynë ka kundërshtuar në
mënyrë më të vendosur shtypjen otomane dhe më në fund e detyroi qeverinë
turke të bënte lëshime të konsiderueshme nëpërmjet Kryengritjes së
1912-ës. Është e vërtetë se Konferenca e Ambasadorëve, që u mbajt më
1913 në Londër, njohu një Shqipëri të pavarur, por shumica e shqiptarëve
kanë mbetur jashtë kufijve të këtij shteti…Kombi shqiptar, ka bërë aq
sakrifica për realizimin e idealit të vet kombëtar dhe ka derdhur aq
gjak për këtë qëllim…Ju lutem, zoti president, të ushtroni ndikimin tuaj
me qëllim që gjatë negociatave, që do të zhvillohen lidhur me çështjet
që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë, të thirret për të marrë
pjesë në Konferencën e Paqes një delegacion i popullit shqiptar për të
parashtruar e për të argumentuar aspiratat dhe kërkesat e kombit
shqiptar.
Pranoni, zoti president, sigurimet e respektit tonë të thellë.
Hasan bej Prishtina
(AQSH i RPSH, F. 251, D. 9 f. 122. Origjinali frëngjisht)
Pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë Atdheut.
Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E vazhdoi luftën kundër regjimeve
diktatoriale e monarko-fashiste, kundër tiranisë zogiste në Shqipëri dhe
zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u
themelua "Komiteti i Çlirimit të Kosovës" i cili veproi jashtë vendit
krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina, luftën
çlirimtare në Kosovë u përpoq ta lidhë e ta bashkërendojë me luftën e
popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit
me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të
Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve
shoviniste të huaja. Hasa Prishtina, kërkonte respektimin e të drejtave
kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij
me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes,
duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së pushtuesve serbë, malazezë,
grekë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali e
vegla e Serbisë Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë
qeveria e Ahmet Zogut. Më 13 gusht 1933 u vra në Selanik me atentat nga
agjentët e Ahmet Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave. Hasan
Prishtina, ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për
kryengritjen anti-osmane të 1912 që kanë vlerë për historinë e lëvizjes
sonë kombëtare e demokratike. Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga
Selaniku në Kukës.
Hasan Prishtina, ideologu i Lëvizjës Kombëtare shqiptare, në gjithë
këtë veprimtari atdhetare e kishte pasur jetën në rrezik, si nga Ahmet
Zogu ashtu edhe nga armiqtë e kombit shqiptar, nga agjenturat serbe, e
të tjera armiqësore. Ishte shpifur, madje edhe shpallur tradhtar nga
propaganda e Beogradit dhe regjimi i Ahmet Zogut. Ai, e kishte parë
rrezikun e Shqipërisë nga Ahmet Zogu dhe klika e tij, m´u për ketë do
t’u propozojë, qysh më 1921, Azem Galicës, i cili qe i gatshëm ta
vriste, vetëm e priste urdhrin prej udhëheqësve atdhetarë; Gurakuqit,
Nolit dhe Bajram Currit .
Vrasjen e Zogut, e propozoi duke u thënë: «Të vritet Zogu! Të vritet
sa nuk na ka vrarë! Më dhimset Shqipëria! », por këta nuk deshën t’i
përlyejnë duart « me gjakun e vllaut», si dhe nuk deshën të ndizej
pushka me krahinën e Matit, prej nga ishte Zogu. Kundër shpifjeve dhe
ndjekjeve do të shprehet shumë herë; kështu në gazetën « Ora e Shqipnisë
» që dilte në Vjenë, më 22 maj 1928 në shkrimin « DERI NË VDEKJE » ai
do të deklaron: …Por në vend të kolltukut me turp në Stamboll preferova
kryengritjen me nder në malet e Kosovës. Akuza, shpifje, kërcënime
rreziqe nuk më kanë frikësue kurrë deri më sot e kundërshtarët e mijë le
të jenë të sigurt se nuk do të më frikësojnë as mbas sodit. Unë, kam
një rrugë të caktueme para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli
deri në vdekje – rrugën e independencës ma të plotë të tanë Shqipnisë!
Rrugën e tradhëtis as nuk e kam shkelë as nuk do ta shkeli kurrë edhe
pse disave sot po u kande me më quajt publikisht tradhtor! Në kjoftë se
këta kanë ngulë syet në personin t’eme tue kujtue se unë trembem prej
shpifjeve të tyne e do të ndrroj rrugë, u diftoj kjartas se kanë gabue
adresë. Nderin t’em si njeri e si shqiptar e çmoj, e them me kreni, nuk e
le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mue n’iden t’eme patriotike nuk
ka mujtë as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, por as
mënia e të tanë armiqvet!
Ka me më shtrue vetëm vdekja!
Hasan Prishtina
Vrasja mizore e në mënyrë tradhtare u krye në orën 2 pasdite më datë 15 gusht 1933 në Selanik nga agjenti i Zogut Ibrahim Çelo.
Lajmi i gazetës «Spiros » mbi vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik prej agjentit të Zogut Ibrahim Çelo.
Janinë, më 15 gusht 1933
U VRA HASAN BEU
Athinë – Telegrafojnë nga Selaniku se dje mbas mesdite u vra në mes
tregut ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Beu, prej…Ibrahi Husen Çelos,
arritur për këtë gjë nga Manastiri. Vrasësi shtiu kundër viktimës
shtatë herë prej të cilave katër plumba e goditën këtë figurë dhe e lanë
në vend të vdekur. Vrasësi u zu dhe u dërgua në polici.
Pjesë nga artikulli i gazetës greke «To Fos» mbi shkaqet e vrasjes së Hasan Prishtinës.
18 gusht 1933
Si e shohin serbët vrasjen e Hasan Prishtinës. Beograd, gusht (shërbim i posaçëm)
Vrasja e Hasan bej Prishtinës, është karakteristike se në Beograd
asnjë gazetë dhe asnjë parti nuk mungoi të theksojë se në personin e të
vramit u zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në
Shqipëri, bile edhe një prijës i rrezikshëm i minoriteteve shqiptare në
Serbinë e Jugut….
Një pjesë e shkëputur nga gazeta « Ipirotikos Agon » mbi shkaktarët e vrasjes së Hasan Prishtinës.
Selanik, më 22 gusht 1933
…Hipotezat më të mundura të kësaj vrasje janë këto që vijojnë:
1) Se Prishtina u vra prej njeriut të regjimit të sotëm në Shqipëri.
2) Se u vra prej propagandës italiane.
3) Se u vra prej propagandës serbe, që kishte frikë se mos Prishtina
krijonte një kryengritje të shqiptarëve dhe bullgarëve të Kosovës. Këtë
hipotezë pranon qeveria shqiptare e sotme.
Njoftim i gazetës «Lirija Kombëtare» për vrasjen e Hasan Prishtinës.
Gjenevë, më 20 korrik 1934

Kufoma e Hasan Prishtinës në morgun e Spitalit në Selanik
Më 14 gusht, në Selanik, u vra Hasan Prishtina prej një të
ashtuquajturi Ibrahim Çelo nga Resnja e Manastirit. Asasini është një
njeri i hurit e i litarit, njeri i cili, për para mund të vrasë edhe
t’anë. Meqë këtë aventurier e kish mbajtur me pare e me bukë, Hasanit
nuk’ e shkonte kurrë nëpër mendje rrezikun që e priste.
Kemi marrë vesh nga një burim fare i sigurt se asasinati i Hasan
Prishtinës është vendosur në pallat prej klikës së katilëve
Zogolli-Krosi-Juka.
Ekzekutimi i planit t’asasinatit iu ngarkua konsullit të Selanikut,
dr. Qemalit, i cili është një nga larot më të poshtër të Lartmadhënisë
së tij. Se si e ekzekutoi këtë plan konsulli kallauz, këtë e rrëfen gjer
e gjatë gazeta greke. Dr. Qamili lozi Çatin Saraçi në asasinatin e
Gurakuqit. Kështu, Ahmet bej Zogolli, me metodën e tij të vjetër e të
provuar, zhduki nga skena politike edhe një nga kundërshtarët e tij.
Kështu, listës së krimeve politike edhe ashtu mjaft të gjatë, që ka bërë
i biri i Xhemal Pashë Xhelatit iu shtua edhe një krim akoma. Dhe, s’do
fjalë se sulltani gjakatar listën nuk e quan akoma të mbyllur. Kush e di
se ç’krime të tjera po gatiten në « pallatin mbretëror » gjersa një
ditë populli shqiptar të ngrihet më këmbë dhe t’i japë fund tragjedisë
së tij. Dhe atëherë të ketë ardhur edhe fundi i organizatorëve të
krimeve politike.
………………………………………………………………………………………………… Gjygji që do të bëhet në
Selanik, duhet të nxjerrë në shesh komplicitetin e qeverisë shqiptare.
Ndryshe ky gjyq s’do të ketë kuptim se vrasësi është një me Isuf Reçin
që vrau Avni Rrustemin dhe me Balto Stambollën, që vrau Gurakuqin.
(«Lirija Kombëtare», Gjenevë, më 20 korrik 1934)
Nga kjo veprimtari e pashembullt e Hasan Prishtinës, shembull
konkret se si luftohet për liri e bashkim kombëtar, se ideal thelbësor i
tij e i të gjithë luftëtarëve ishte dhe do të mbetët Shqipëria Etnike .
Ky shembull dhe kjo rrugë mbetet gjithmonë aktuale. Emri dhe vepra
atdhetare e Hasan Prishtinës me bashkëmendimtarët dhe bashkëluftëtarët e
kohës së vet, gjithashtu edhe pasuesit e rrugës së tij gjatë
përpjekjeve për të realizuar amanetin e tij, bashkë me Komandantin
legjendar Adem Jashari e me UÇK- në heroike, rrugë që politikanët e
sotëm, të Shqipërisë me Sali Berishën që ka miq armiqtë tanë shekullor,
ata të Klanit të Zemunit, gjithashtu me politikanët e Kosovës, që
pranuan Kushtetutën e Ahtisarit, që e lanë në gjysmë realizimin e
Shqipërisë Etnike, mbetën yje të pashuara për liri e bashkim kombëtar
dhe do t’i kujtojmë gjithmonë, si të gjallë, në kujtesën dhe shpirtin
tonë!
- Politikanët e sinqertë, parlamentarë, nga partitë e majta dhe të
djathta, populli i mashtruar, intelektualët atdhedashës, gazetarë e
subjekte të varura e të pavarura, duhet ta dinë të gjithë se pa i lënë
bindjet subjektive, individuale, të një partie, si dhe interesat
personale nuk mund të ecim si duhet kah bashkimi kombëtar, megjithëse,
kjo rrugë është e pashmangshme, derisa, të jetë populli ynë i pranishëm
në këto troje, dhe i gjallë në Ballkan.
Nuk ka çare pa u bë, me dashje ose pa dashje, një Referendum për
Vetëvendosjen e një Shqipëri Etnike, kjo është e drejtë natyrore e
popujve dhe e sanksionuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara.
Besnikërinë e rrugës për çlirim e bashkim kombëtar e kanë dëshmuar
me vepra, me gjak e me jetë shumë dëshmorë, në kohën tonë kemi simbolin e
Rezistencës, Adem Demaçin, flijimin e Adem Jasharit dhe të familjes së
tij dhe luftëtarët e UÇK- së, heroike, Albin Kurtin që po lëvizë
fuqishëm me L. V. e atdhetarë të tjerë të paepur, që nuk duan ta lënë në
gjysmë rrugën për bërjen e Shqipërisë Etnike.
Amanetin e Hasan Prishtinës, ideologut kryesor të Shqipërisë Etnike, duhet çuar në vend!
Zvicër, 6 Gusht 2009
PS: (Autori ka qenë 2 herë i dënuar politikisht nga regjimi i Beogradit,
një nga udhëheqësit e LNÇKVSHJ, si bashkëveprimtar i dëshmorit Jusuf
Gërvalla, më 1979 dhe si veprimtar i LPK-së, më 1993. Shumë herë i
arrestuar dhe i torturuar fizikisht, bashkë me vëllain e vet, Xhemajlin,
kanë kontribuar në formimin dhe mobilizimin e UÇK-së. Jeton në Zvicër,
nga 1997, si i strehuar politik.