Friday, October 14, 2011

Metush Krasniqi, themeluesi i LNÇKVSH-së dhe frymëzuesi i UÇK-së


  


  

               
 (Përkujtim me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së atij vigani të Shqipërisë Etnike)



*"Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im" !

*"Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe"!  (Hasan Prishtina)



"Plotësisht jam i vetëdijshëm, ia kam pasur borxh popullit tim, andaj, e kam dhënë një kontribut të vogël pasi që nuk kemi arritur ta çlirojmë, këtë detyrim që e kam pasur ndaj popullit tim deri në arritjen e lirisë nuk do të pushoj së punuari në këtë drejtim, për Bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet me një emër të natyrshëm Shqipëri, as e madhe, por as e vogël"! (Metush Krasniqi)

 U mbush plot një çerek shekulli nga vdekja e heroit tonë  kombëtar, Bacë Metush Krasniqit, një vdekje e parakohshme, që ishte si pasojë e torturave mizore  prej dorës kriminale serbo-jugosllave - konkretisht vdekur nga pasojat e dhunës që ia bënë UDBA-shët shqipfolës, xhelatët, Selim Brosha dhe Zymber Zymberi, më 15 tetor të vitit 1986 në spitalin e Prishtinës.
Por, heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse emrat dhe veprat e tyre bëhen të pavdekshëm! Ata u nderuan, nderohen e do të nderohen me respekt të madh nga populli, kështu ata e fituan përjetësinë në zemrat e kombit, sepse ata u ngritën për të mos rënë kurrë. Nga ndikimi e frymëzimi i këtij ylli të Shqipërisë së natyrshme, siç e thotë edhe vetë para gjykatësve serbo-çetnikë veshur me petkun “komunist”, do të vazhdojnë përpjekjet për çlirim e ribashkim kombëtar deri te lufta e  lavdishme e heroike e UÇK-së, me Komandantin legjendar Adem Jashari, bashkë me të vëllain Hamzën dhe me familje, me luftën pa kompromis me pushtuesin, luftë që do të sakrifikojë bijtë e bijat më të mira të kombit nga të gjitha trojet tona etnike.
Metush Krasniqi, është njëri nga  heronjtë më të merituar të  popullit tonë gjatë gjysmës së dytë të  shek. XX,  i cili tërë jetën e vetë e vuri në shërbim të atdheut duke shkrirë të gjitha  aftësitë e veta mendore e fizike,  në përpjekje  të Ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Për Bacë Metush Krasniqin, jetën dhe veprimtarinë e tij, kanë shkruar e po shkruajnë dhjetëra autorë , ata që e kanë njohur drejtpërsëdrejti, po edhe ata që nuk e kanë njohur së afërmi.   
Unë, autori i këtij artikulli, pata rastin historik dhe fatin në jetë, që të bashkëpunoja me të në organizatën ilegale kombëtare LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » (LNÇKVSHJ).

Të shkruash për shokët që tërë jetën e vet ia kanë kushtuar lirisë dhe ribashkimit të atdheut – Nënës Shqipëri, jo vetëm që është një borxh kombëtar por, njëkohësisht, është edhe një përgjegjësi morale dhe historike, sidomos për ne bashkëveprimtarët e tyre, që t’i shkruajmë sa më shumë me vërtetësi ngjarjet reale në mënyrë që brezat e ardhshëm t’i kenë të gjallë në kujtesën e tyre historike, përjetësisht. Në këso rastesh, si tani; -kur shkruaj për këtë atdhetar të dorës së parë, më ndien zemra se kam një privilegj të veçantë dhe se kam, deri diku, përgjegjësi historike për të dëshmuar, sa më realisht, për jetën dhe veprimtarinë e tij.

Në këtë shkrim do të përpiqem që t’i sqaroj e ndriçoj, në disa vende edhe t’i përmirësoj e t’i plotësoj, disa të dhëna për historikun e LNÇKVSHJ-së që është shkruar deri më tani.. Lidhur me formimin e organizatës sonë kanë shkruar Shefqet Jashari, Sabri Novosella, si bashkëthemelues të Lëvizjes në fjalë, po edhe unë si bashkëveprimtar më i hershëm i saj; kanë shkruar edhe autorë të tjerë, por, pa i nënçmuar asnjë prej tyre, do ta veçoja historianen - shkencëtaren e nderuar Sabile Keçmezi-Basha, e cila shkruan veprën për Bacën Metush Krasniqi: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë”. Unë, e përgëzoj dhe e falënderoj historianen e nderuar për ndriçimin e figurës dhe të veprimtarisë patriotike të heroit tonë të dorës së parë – Bacë Metush Krasniqi – Dajkoci.

Për të sqaruar e plotësuar, edhe njëherë, themelimin e LNÇKVSHJ-së, po i referohem shkrimit tim me titull


 SIMBOL I REZISTENCËS DHE I RIBASHKIMIT KOMBËTAR,  (LNÇKVSHJ), publikuar në nëntor të vitit 2009, në gazetat elektronike, si në « Albaniapress », në « Pashtriku », në “Nënë Shqipëri”, në  “Zëripress”, në « Thërret-Kushtrimi”, në “Diplomacia.dk”, në www.hogoshti.blogspot.com e në disa ueb-faqe tjera.
Në shumë shkrime e kujtime nga veprimtarë e autorë që janë marrë me historikun dhe ndriçimin e formimit të LNÇKVSHJ-së prapë shkruhen datat të pasakta, madje edhe emërtimi i ndryshëm dhe jo i plotë i saj, pastaj edhe për themelimin e Lëvizjes sonë kemi dhënë deklarata jo të sakta edhe ne që ishim në udhëheqësinë e saj, Sabri Novosella, Shefqet Jashari dhe unë, Ramadan Pllana. Arsyeja kryesore është se kemi qenë shumë konspirativë dhe se nëqoftëse ka dokumente të shkruara për datën e saktë të themelimit të organizatës sonë, ato duhet t’i ketë fshehur iniciatori dhe themeluesi i saj, Metush Krasniqi. Për datën e themelimit nuk ka qenë i sigurt as Jusuf Gërvalla, dëshmori ynë kombëtar, ideologu dhe promotori kryesor i LNÇKVSHJ-së. Në shumë shkrime historike thuhet se në vitin 1976 Metush Krasniqi vihet në krye të Organizatës "Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi" [LNÇKVSHJ], dikush shkon edhe në vitin 1975, dikush më 1978, etj. E kam vërejtur që,  në shkrimet e disa autorëve përsëritet thënia se “Metush Krasniqi vihet në krye të LNÇKVSHJ-së”, atëherë, vetvetiu, nga ky pohim kuptohet se kjo organizatë qenka formuar edhe para vitit 1976, shkrimet e këtyre autorëve nuk bazohen në fakte, prandaj edhe lënë dilemë se, vërtetë, kur u formua kjo organizatë. Prandaj, si një nga veprimtarët e hershëm të kësaj organizate, e shoh të domosdoshme që të dëshmoj për historikun e krijimit të LNÇKVSHJ-së.

     Në bazë të hulumtimeve të mia konstatoj se themelimi dhe emërtimi «LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI» është bërë në verën e vitit 1977. Dëshmitë që vërtetojnë këtë konstatim janë deklaratat që shënohen më poshtë: Sabri Novosella, në „NJËRI NGA ATA“ (Rrëfim në veten e tretë), botuar në ”Bota sot”.  Në pushimet verore të vitit 1977, në shtëpinë e Sabri Novosellës, u mbajt Mbledhja Themeluese e LNÇK-së. Mirëpo, siç u cek më lartë, kësaj Mbledhje i kishin paraprirë konsultat e pandërprera mes Metushit, Sabriut, e Shefqetit, sidomos, ato pas dënimit me 15 vite burg të Adem Demaçit në vitin 1975. Se, ky proces gjyqësor ishte i montuar, për këtë s’kishte dilemë fare. Ndaj Metushi, Sabriu dhe Shefqeti morën vendimin dhe e themeluan Organizatën Kombëtare “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës“. Qëllimi i organizatës ishte i qartë, ashtu siç kishin qenë objektivat e organizatave në të cilat kishin vepruar edhe më parë: Çlirimi i viseve shqiptare nga Jugosllavia dhe bashkimi i këtyre viseve me Nënën Shqipëri... Më vonë, me zgjerimin e organizatës jashtë kufijve të Kosovës, u kërkua që të zgjerohet dhe emri i saj në: - Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare nën Jugosllavi [LNÇKVSHJ]... kurse, Shefqet Jashari, në ”Mësuesi i atdhedashurisë” (Metush Krasniqi, shënimi im) në ”Zëri i Kosovës” Nr. 35, 17 tetor 1996 shkruan: ”...Duke qenë i bindur se me vdekjen e Titos Jugosllavia do të shkatërrohet, vendos të konsultohet me veprimtarë dhe kështu me 1977 e formojnë Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare që në momentin e duhur populli ynë të jetë i gatshëm për ta fituar lirinë.”

Dhe, unë, Ramadan Pllana, në intervistën dhënë «Albaniapress»it, më 17 mars 2009. Siç e ceka më lartë, unë kisha kontakt me Shefqet Jasharin, i cili, nga gjysma e vitit 1977, më informoi se i kishin forcuar radhët e LNÇKVSH-së, që ishte vazhdimësi e LRBSH-së, të themeluar në vitet e gjashtëdhjeta nga Adem Demaçi me shokë, dhe, në bazë të vlerësimit të punës të grupit tonë, për të cilën ishin në dijeni, ata, ishin të pajtimit që ne të “shkriheshim”, në gjirin e Lëvizjes. Ne, si grup, në një konsultim formal, me gëzim të madh e pranuam këtë propozim, kështuqë, nga Nëntori i vitit 1977, ne, si grup u shkrimë në këtë Lëvizje Kombëtare.
Përveç fakteve të lartshënuara, unë kam edhe dëshmitë e ish-veprimtarëve të grupit tim “Shkëndijat e Kuqe” se nga fillimi i vitit 1977 ishim në kontakt të drejtpërdrejtë  me ish-anëtarin e organizatës ilegale të LBRSH-së, Shefqet Jasharin, i cili na lidhte, me ndërmjetësim, me Bacë Metush Krasniqin, dhe Sabri Novosellën, kurse Sabri Novosella ishte ndërlidhës midis nesh e Jusuf Gërvallës. Pra, dëmshoj edhe një here, se LNÇKVSHJ u themelua në verën e vitit 1977 nga Metush Krasniqi – Dajkoci.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Baca Metush kishte pushuar ndonjëherë nga lirimi i tij nga kazamatet serbo-çetnike, po as  veprimtarët e grupeve të ilegales kombëtare, që kishin synim bashkimin e trojeve të ripushtuara nga ish Jugosllavia me shtetin amë, nuk kishin pushuar së vepruari edhepse ishin dënuar nga regjimi serbo-jugosllavë, si p.sh. grupi “Komiteti Revolucionar për Bashkim të Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë” që udhëhiqej nga Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha, LBRSH-ja e udhëhequr nga Bacë Adem Demaçi, simboli i Rezistencës sonë kombëtare, ishte dëmtuar shumë me burgosjen e tij të tretë dhe shokëve të vet. Ishte i njohur edhe Grupi 68-tës që kishte organizuar demonstratat e fuqishme në Kosovë në vitin 1968, ku Ismail Dumoshi, Metush Krasniqi, Hyrije Hana etj.  ishin ndër këshilltarët e demonstruesve.
Në këtë kohë, në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar kishin lindur edhe shumë organizata të reja më të njëjtin program, për ribashkimin e Kosovës me vise tjera shqiptare me Nënën Shqipëri, njëra nga ato ishte edhe OMLK  (si vazhduese të „Grupit Revolucionar“ të Kadri Osmanit), të drejtuar nga Kadri Zeka, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Rexhep Mala etj. etj.
Në këto vite ishte krijuar një plejadë atdhetarësh revolucionarë që vepronin me devotshmëri për çlirim e bashkim kombëtar.
Metush Krasniqi, do të jetë gjithmonë shembull frymëzimi e unifikimi për të gjithë ata veprimtarë, politikanë, të djathtë a të majtë,  që donin t’i shërbenin çështjes së mirëfilltë kombëtare, gjegjësisht ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Baca Metush ishte një revolucionar i kalibrit të madh popullor, një demokrat i mirëfilltë, me një shpirt tolerance e mirëkuptimi ndaj dallimeve ideopolitike, ishte mesi i artë i të gjitha grupeve, me një përkushtim kulmor të demokracisë popullore. Ai, i kishte të gjitha virtytet e larta të një njeriu e të një atdhetari: dashurinë familjare, respektin miqësor, besën, përzemërsinë, mirësinë, mirënjohjen, tolerancën dhe mbi të gjitha e kishte edhe karakterin vetëmohues të burrërisë dhe trimërisë shqiptare, ngjashëm me atë të heroit e ideologut kombëtar të Shqipërisë Etnike - me atë të Hasan Prishtinës së madh. Atdheu, për të ishte parësor, partia dytësore.
Sot, gjithë ata që mundohen që ta vënë atë, qoftë në të djathtë, qoftë në të majtë, nuk e çmojnë e nuk i bëjnë nder atij burri të madh të çështjes sonë kombëtare. Ai, me tërë qenien fizike e mendore, i përkiste Atdheut – Nënës Shqipëri! Se,  ishte vërtetë kështu dëshmojnë lidhjet e tij me këta veprimtarë: me Gjon Sereçin e me Mark Gashin, me Sejdi Kryeziun e me Qemajl Kallabën, me Adem Demaçin e me ish-anëtarët e LRBSH-së, pastaj bashkëveprimtarë të të gjitha rrymave ideologjike e politike, me Mulla Ramë Govorin, me Rexhep Abdullahun, NDSH-ist të njohur, me Ali Boletinin e Hyrije Hanën, Sadik Tafarshikun, komunistë, luftëtarë kundër pushtimit nazifashist gjatë LDB, pastaj me Hasan Dërmakun, Ismajl e Osman Dumoshin, Ahmet Haxhiun, Jusuf e Zeqir Gërvallën, Fehmi e Rexhep Elmazin, Hetem e Rafet Bajramin, Sabri e Selatin Novosellën, Adil Pirevën, Hilmi Rakovicën, Shefqet Jasharin, Adil e Iljaz Pirevën, Afrim Loxhën, Ilmi Malokun, Rexhep Malën, Skënder e Isa Kastratin, Njazi Korçën, Kadri Zekën, Ethem e Fehmi Bajramin, Azem Beqirin, Sadri Fetiun, Isa Demajn, Zymer Nezirin, Sabit Ratkocerin, Hyda Dobrunën, Hizir Shalën, pastaj me Zenun Beqën, i cili ia mundësoi punësimin në NT »Hekurudha» në Fushë-Kosovë, si jurist, e shumë të tjerë.



Gjeneza e LNÇKVSHJ-së e ka burimin në takimin e Dajkocit, më 1974



Metush Krasniqi, ishte përpjekur, me mish e me shpirt, që energjitë atdhedashëse të të gjithë veprimtarëve, pa dallim ideje e feje, t’i shkrijë në dobi të çështjes kombëtare – për Shqipërinë Etnike.

-Për t’i konkretizuar mendimet dhe veprimet për një qëllim të përbashkët Baca Metush bënë një  mbledhje të fshehtë në shtëpinë e vet, në Dajkoc të Dardanës, më 2, 3 dhe 4 shtator të vitit 1974, bashkë me Adem Demaçin, Mulla Ramë Govorin, Hyrije Hanën, Ahmet Haxhiun, Selman Ramadanin, Fehmi Bajramin, Sylë Krasniqin, pleqnar, Hazir Krasniqin, punëtor. Në këtë takim ishin edhe Ilmi Ramadani, student, si dhe Emin e Besnik Krasniqi, nxënës. ( marrë mga libri i Selatin Novosellë “DEMAÇI METAFORË LIRIE”, INTERPRESS, Prishtinë, 2006, faqe 51-55 në artikullin e Ilmi RAMADANIT: “ADEM DEMAÇI – IDEATOR I LËVIZJES KOMBËTARE” . Për këtë takim kam shkruar, siç e ceka më lart,  në nëntor të vitit 2009, në pjesën e dytë të shkrimit tim për Bacën Metush, me nëntitull E VËRTETA PËR KRIJIMIN E « LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » (LNÇKVSHJ) . Nga këto biseda me ndjenja të larta atdhedashurie u arrit marrëveshja e pajtimit, në ide e në veprime, dhe u vendos që të vazhdohet Lufta Nacional Çlirimtare e Kosovës e Viseve të tjera në ish-Jugosllavi  vetëm me një platformë kombëtare e ideopolitike, as të majtë e as të djathtë, nga i cili takim do lind edhe ”Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës”, më 1974, dhe më vonë LNÇKVSHJ, më 1977. 



Në këtë artikull po e shfrytëzoj rastin që t’i bëjë një korrigjim mikut tim të nderuar, Ilmi Ramadanit, duke saktësuar datën e mbajtjes së takimit të lartpërmendur. Takimi është mbajtur në muajin shtator 1974 e jo siç shkruan ai, më 2,3 e 4 qershor 1974, sepse Baca Adem është liruar nga burgu i dytë më 8 qershor 1974. Këtë vërtetësi e kam marrë nga vetë Baca Adem në bisedat që kam pasur me të më 21 maj 2011 në Tribunën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës së vitit 1981, mbajtur në Heidelberg të Gjermanisë, ku pata fatin që të takohem me dy veteranët e Shqipërisë Etnike, Bacën Adem Demaçi e Bacën Zeqir Gërvalla si dhe me shumë shokë e miq tjerë. Një harresë që është bërë nga Ilmi Ramadani në këtë shkrim në mungesë të kujtesës, megjithë kontributin e tij shumë të çmuar për këtë informim historik, është se këtë takim e kishte dëshiruar kaherë poeti ynë popullor Baca Zeqir Gërvalla, veterani e njëri nga shokët e bashkëpunëtorët e parë të Bacës Adem. Baca Zeqir, kishte pasur fatin që t’i njihte patriotët e mëdhenj, në burgun e Nishit, Mulla Ramë Govorin dhe Metush Krasniqin dhe ky ishte njëri nga nismëtarët dhe protagonistët e këtij takimi historik. Për respektin që ka për këta dy atdhetarë të mëdhenj u ka kushtuar edhe poezitë: “NË BALLË E PUTHI KOSOVA” (kushtuar Mulla Ramë Govorit) dhe “NËN DEGËT PLOT QERSHI” (kushtuar Metush Krasniqit), publikuar më 29 tetor, 2010, në gazetën elektronike ”Albaniapress”.

Zeqir Gërvalla, Adem Demaqi, Ramadan Pllana,

Bedri Deliu, Sejdi Gegaj e Sheradin Berisha


 (Në Tribunën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës së vitit 1981, më 21 maj 2011, Heidelberg, Gjermani)

Për këtë takim shkruan edhe Shkëlzen Gashi në librin e tij “ADEM DEMAQI biografi”, Prishtinë, 2010, në faqën 71, ku thotë: “ Po të mos arrestoheshin Demaçi me të tjerët, ekzistonte mundësia e themelimit të një organizate ilegale prej disa të akuzuarve dhe veprimtarëve të tjerë. Këtë e mbështet fakti se më 2, 3 dhe 4 shtator 1974, Adem Demaçi bashkë me Ahmet Haxhiun, Ramë Govorin dhe Hyrije Hanën për tri ditë rresht takohen me Metush Krasniqin në shtëpinë e tij në fshatin Dajkoc të Kamenicës, ku e diskutojnë mundësinë e organizimit dhe veprimit konkret.”

Metush Krasniqi, ishte një nga frymëzuesit e UÇK-së


 Se frymëzimi dhe ndikimi ka qenë i madh, nga sakrificat dhe gjaku i derdhur për atdhe, i të gjithë dëshmorëve të kombit, te gjeneratat e reja, tregon lufta e pandërprerë e popullit tonë për liri e pavarësi. Edhe Metush Krasniqi mbetet i  paharruar, bashkë me dëshmorët tjerë të kombit të çdo brezi, dhe ndikimi i tij te luftëtarët e UÇK-së, ashtu sikur ndikimi i tre yjeve të pashuara - Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, e shumë emra të dëshmorëve të paharruar, si Fazli Grejqevci e Shaban Shala, Rexhep Elmazi e Hilmi Rakovica, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Abazi, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Ali Ajeti, Xhemajli Berisha, Fadil Vata, Ahmet Haxhiu e shumë e shumë të tjerë, emrat e të cilëve janë të shkruar me shkronja të arta në altarin e lirisë. Nga shkrimet që i kam lexuar në internet më pëlqeu shumë edhe shkrimi i prof. Sylejman Sylejmanit, me titull “ATDHETARI SYLË ZARBINCA – KURBAN I SHQIPËRISË ETNIKE!”, publikuar në “Pashtriku.org” më 12.06. 2007, ku autori flet edhe për Bacën Metush dhe ndikimin e tij te gjeneratat e reja, ja teksti: 

“Patrioti i paharruar Metush Krasniqi nuk linte vend ku i jepej rasti pa e përmend Sylë Zarbicën dhe me e idealizue deri në përkushtim , jetën,veprën dhe martirizimin e tij . Nga vepra e tij dhe e shokëve të tij, kishin marrë frymzim edhe djemtë trima si Rexhep Mala , Kadri Zeka , Nuhi Berisha e deri te ushtarët trima të UÇK-së .”

Në fund të këtij shkrimi, autori i tregon emrat e njerëzve nga të cilët i ka marrë kujtimet e tyre për luftëtarin trim të lirisë – Sylë Sarbinca, ku hasa edhe në emrin e Metush Krasniqit – Dajkoci, si dëshmitar i gjallë që flet për këtë patriot të madh.

Edhe unë kam ndëgjuar për atdhetarin e njohur Sylë Sabrinca, gati të njëjtat rrëfime, nga Jakup Sylejmani – Llashtica, kushëri nga nëna me Bacën Metush, me të cilin kam pasur rastin që të njihem në burgun e Nishit gjatë vuajtjes së dënimit... Shpresoj e besoj se prof. Sylejmani do t´na shpalosë edhe më shumë kujtime historike për Bacën Metush e për atdhetarë tjerë, e më konkretisht lidhjet e Metush Krasniqit me Sylë Sarbincën. Nga shokët e Bacës Metush që më kanë folur më së shumti për të kanë qenë Sejdë Kryeziu, të cilin e kemi quajtur “Dajë” në shenjë respekti për nipin e tij, veprimtarin e njohur Hydajet Hyseni, pastaj Bacë Shaban Syla, babai i shokut tim të burgut, Xhevdet Syla, dhe Baca Jakup Sylejmani- Llashica etj. Kurse, nga shokët e tij që ende janë gjallë, të cilëve iu uroj jetë sa malet e Shqipërisë, që më kanë folur me një respekt të lartë  për të janë edhe Baca Adem Demaçi e Baca Zeqir Gërvalla, edhe pse jam takuar shumë rrallë me ta.
FLAMURAS(DRENAS) - SELMAN BERISHA, ADIL CENA-DUGOLLI, ZEQIR GËRVALLA DHE RAMADAN PLLANA, 1991, ME RASTIN E RIVARRIMIT TË ESHTRAVA TË HEROIT TONË KOMBËTAR- FAZLI GREIQEVCIT, POETIT E  VËLLAUT TË IDEALIT KOMBËTAR TË BACËS ZEQË.



“Me çetnikët veç me pushkë se tjetër politikë nuk ka"!




 Kështu ka thënë gjithmonë Metush Krasniqi, i cili është ndër të parët që iu ka kundërvënë ripushtimit të Kosovës e viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi duke luftuar për çlirimin e popullit shqiptar dhe për ribashkimin me shtetin amë.



 Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha gjithashtu shkruan për përpjekjet e Metush Krasniqit për të formuar formacion ushtarak e për të luftur për çlirimin e Kosovës e të viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë. Më poshtë po e shënojmë këtë fakt historik:

Propozimi për formimin e Formacionit ushtarak

Fjala e Metush Krasniqit Para trupit gjykues

 Rëndësi të veçantë i kishte kushtuar para të pranishmëve formimit dhe aktivizimit të formacionit ushtarak, duke iu tregua skemën organizative dhe se si në të ardhmen ata do ta formonin dhe në momentin e duhur do të vepronte me qëllim të realizimit të qëllimeve të këtij grupi.

Metush Krasniqi vijoi: “Para këtij gjyqi deklaroj me përgjegjësi morale dhe politike se e kam themeluar organizatën politike “Partia revolucionare për Bashkimin e Tokave shqiptare me shtetin amë “
..."Referatin unë e kam shkruar, e kam bërë skicën për formacionin ushtarak-brigadën e luftëtarëve shqiptarë të Anamoravës Lindore, e kam vizatuar Shqiponjën dykrenore për t´u betuar para saj, i kam shkruar poezitë, trakte e proklamata, i kam bërë thirrje popullit tim për luftë për çlirim nacional dhe bashkimin me atdheun tonë – Shqipërinë... “
...Para gjykatësit, kishte pranuar se me ëndje kishte dëgjuar Radio-Tiranën që katërçipërisht ishte pajtuar me qëndrimet e shtetit shqiptar.
 ( Marrë nga artikulli : Sabile Keçmezi- Metush Krasniqi: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë).
Metush Krasniqi edhe si udhëheqës i organizatës së Re, LNÇKVSHJ-së, i kishte projektuar formacionet ushtarake, një ushtri çlirimtare, si paraardhëse e UÇK-së. Ai, kishte lidhje konspirative edhe me disa udhëheqës shtetëror të shtetit shqiptar, konkretisht ishte i lidhur me atdhetarin me origjinë nga Vaganica e Mitrovicës, me Ajet Haxhiun.
Në marrëveshje me te kishte filluar të bëjë skicën për formacionet ushtarake, të ndara në bazë të qarqeve apo rretheve sipas administrimit të Kosovës. Nëpërmes Shefqet Jasharit, si ndërlidhës në mes meje e Metush Krasniqit, jam informuar se mua më kanë caktuar në Shtabin e Qarkut të Mitrovicës, si zëvendës i Ajet Haxhiut, në Ushtrinë e ardhshme që do të formohej. Për qarqet tjera nuk kam qenë i informuar. Por me burgosjen e grupit tonë, prej tetë vetash, në nëntorin e vitit 1979, dhe me daljen jashtë vendit  të Jusuf Gërvallës e Sabri Novosellës, LNÇKVSHJ-ja u dëmtua shumë.
Baca Metush ishte gjithnjë i përcjellur nga sigurimi i atëhershëm i shtetit jugosllav, kështuqë,  ai u izolua shumë dhe nuk dihet aktiviteti i tij pas burgosjes sonë.

Tani, në kohet e fundit kanë filluar të dalin në shesh edhe disa të vërteta lidhur me Lëvizjen tonë, të cilat merren nga dokumentet zyrtare të shtetit amë. Kështu p.sh. Revista “Klan” jep një informacion edhe për Metush Krasniqin e Lëvizjen tonë, me titull “E vërteta e 11 Marsit 1981”,  ku shkruan:
Njëra nga  Organizatat për bashkim me Shqipërinë ose “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës”, shkruan Agim Popoci, i cili u referohet dokumenteve zyrtare të shtetit shqiptar, që për kohën ishin tepër sekrete, thotë se Prof.Bujar Hoxha  harton një raport te detajuar duke informuar Komitetin Qendror dhe Enver Hoxhën se udhëheqës ideor i kësaj Lëvizjeje ishte Metush Krasniqi që ishte burgosur, Ramadan Pllana, Abdullah Prekadini dhe Ahmet Lleshi. ( marrë nga Revista “Klan” E Martë, 23 Gusht 2011.).
Megjithëse dokumenti është shumë i shkurtër dhe jo sa duhet i sqaruar, sepse, e vërteta është se unë isha në këtë kohë i burgosur e jo Metush Krasniqi, prapëseprapë ka një realitet historik që në të ardhmen mbetët të hulumtohet më hollësisht. 

 Me Bacën Metush, për arsye të konspiracionit që kishim,  edhe pse e njihja nga viti 1970, nuk u takuam kurrë nga afër, gjatë aktivitetit tonë në kuadër të LNÇKVSHJ-së, mirëpo na lidhte veprimtaria jonë e përditshme, që të dyve na lidhnin shumë simpatizues, sidomos nga N.T. « Hekurudha », dhe nëpërmes tyre shkëmbenim mendime e këshilla, për këtë do të shkruaj një kujtim tjetër të veçantë. Ai, ka folur hapur për mua në shumë raste në ndeja me shokë e me miq të besueshëm.
Përveç kësaj çka u dëshmua më lart, në këtë shkrim, unë ruaj kujtimet më të çmuara për Bacën Metush i cili ka folur për mua, para shokëve të vet, me një konsideratë të veçantë. Mund të them, me një ndjenjë shpirtërore, se ai më nderoi edhe pas vdekjes, sepse kur shkova në familjen e tij për ngushëllime, bashkë me familjen e Shafqet Jasharit, kur Baca Qerim, babai i Shefqetit, u tregoi se kush isha, ata të gjithë u çuan dhe më ngushëlluan edhe mua duke më konsideruar si njërin nga shokët më të ngushtë të Bacit Metush.
Unë, duke menduar se nga konspiracioni që kemi pasur, nuk u ka folur për mua, por jo, ai kishte folur hapur edhe për mua qysh kur kemi rënë në burg në nëntorin e vitit 1979.
Nga ky respekt që më kishte bërë Baca më i dashur në jetën time, shpesh mendohem e duke pëshpëritur them: Baca Metush më respektoi edhe pas jetës së përtej varrit.
Kam shkuar në pesëvjetorin e vdekjes e përkujtimit të tij, në Dajkoc më 15. tetor 1991, nën dardhën e Jahisë duke hedhur një grusht dhe dy pika lot mbi varrin e tij.


LAVDI E PËRJETSHME BACËS METUSH KRASNIQI – HEROIT TONË KOMBËTAR!








Monday, October 10, 2011

Fehmi Lladrovci e Xhevë Krasniqi - Lladrovci



FEHMI E   XHEVË LLADROVCI
MARTIRË TË GDHENDUR
NË MEMORIEN E KOMBIT
nga Eugen SHEHU

Dardania e moçme ende sot ruan krenarinë e luftërave të kalura. Jo se i ka dashur luftërat. Askurrë! Jo se i ka parapëlqyer përrenjtë e gjakut. Askurrë! Por asesi nuk ka mundur të durojë stuhi e rrebeshe që, janë ngutur të ndalin turravrapin e lirë të shqiponjës.Fusha e Kosovës në lindje, rrafshi i Dukagjinit në perëndim, malet e Gloeshit dhe Cerralevës në jug,mali Mokran në veri. Brenda kësaj gjeografie përthyese jeto në gjenerata, populli i Drenicës së sotme, pasardhës të denjë të dardanëve në shekuj të kaluar. Sa herë në Dardaninë e lashtë kanë rënë tupanët e kushtrimit, i madh dhe i vogël, burra e gra kanë ngarendur me klithmë lirie. Ky amanet ka mbetur deri në ditët e sotme.
Fehmi Lladrovci

Edhe në ditët më të errëta të fundshekullit që lamë pas, edhe në ato momente kur makina e dhunës serbe rrënonte gjithçka që gjente përpara banorët e Drenicës nuk e ndalën vrapin drejt lirisë. Vrapi i tyre ishte shkrepëtim në natën e stuhisë, shkrepëtim që ndriçonte horizontet ngadhnjyes të shpresës.Në këtë turavrap drejt lirisë, padyshim kujtesa e Drenicës do të ruaj të pashuar kujtimin e Femi e Xhevë Lladrovcit.Ashtu sikundër 7 decenie më parë Shotë dhe Azem Galica do të shkruanin epopenë e lavdishme të lirisë në male të Drenicës dhe krejt Kosovës martire, edhe Xhevë e Femi Lladrovci do të përcillnin mesazhet e mbijetesës epokale të popullit të Kosovës, ndaj dhunës makabre të Serbisë së Millosheviçit.
Po kush ishin këta burrë e grua, krushq të lirisë së madhe të shqiptarëve? 

Fehmi Lladrovci pat lindur në Gllogovcin e Drenicës, në vitin 1950. Të parët e derës së madhe të Lladrovcëve, ishin njohur jo vetëm në Drenicë por në krejt Kosovën për luftrat e paepura ndaj okupatorit serb. Burrat e kësaj kulle do të ishin mbështetj kryesore lëvizjes nacionaliste të udhëhequr nga Shaban Polluzha, e asaj lëvizjeje që ka hyrë në analet e historisë si lëvizja e parë antikomuniste që nuk mund të pajtohej, me parimet ortodokse të internacionalizmit proletar. Fehmiu i vogël do të rritej përmes legjendave të kaluara si edhe shtypjes sistematike që Beogradi ushtronte ndaj viseve në Kosovë dhe Maqedoni shqiptare. Asi do të merrte mësimet e para në Gllogovc ndërsa më pas në Prishtinë.

Në fillim të viteve 70 të shekullit që lam pas, ngase rezultatet në shkollë i pati të shkëlqyera, Femi Lladrovci ndjek studimet në Universitetin Politeknik të Zagrebit. Këtu, ai do të binte në kontakt edhe me studentë të tjerë nga viset e Kosovës, në mëndjet dhe zemrat e të cilëve ishte zgjuar ideja emblematike e pavarësisë së Kosovës, si dhe bashkimi i saj me shtetin amë. Por me këtë realitet nuk mund të pajtohej asesi Beogradi, i cili nuk i kurseu në asnjë rast masat represive në mënyrë të veçantë ndaj inteligjencës shqiptare. ``Këto rrethana dhe faktorë të tjerë kishin si qëllim strategjik që të ushtronin dhunë permanente ndaj shqiptarëve, me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës dhe të viseve të tjera. Rredhimisht me metoda të interpretimit arbitrar dhe selektiv të normave të legjislacionit penal, vepra e cila kryhej nga shqiptarët, konsiderohej si vepër penale e rëndë, si vepër e rrezikimit kundërevolucionar të rregullimit shoqëror dhe të sigurisë së vendit, siç emërtohej në nenin 114 të ligjit penal të Jugosllavisë, në Kosovë, në Maqedoni dhe në jug të Serbisë``(``Çështja e Kosoves një problem historik dhe aktual`` Tiranë 1996, faqe 316)
Por për studentin e Gllogovcit nuk do të kishte barrikada. Ai e pati kuptuar se uragani i lirisë së kombit të vet ishte zgjuar diku, në kujtesë të këtij kombi dhe herët a vonë ai do të rrekej të derdhej nëpër brigjet e Kosovës martire duke fshirë çdo gjurmë të mureve që ndanin shqiptarët. Ndër të parët student të Politeknikumit të Zagrebit, Fehmi Lladrovci do të fliste për pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e mohuara të saj, për shpresën e madhe se studentët kosovarë nuk do ta duronin gjatë, natën e urryer të sundimit të Beogradit. Nismëtar i formimit të një grupi ilegal me studentë të tjerë shqiptarë, Femi Lladrovci do të ndikonte me idetë e tij edhe në mendjet e dhjetra studentëve të tjerë.
Arsenali i terrorit shtetëror serb, vepronte tanimë nën maskën e ligjit dhe të shtetit. Fehmi Lladrovci fillimisht thërritet nga policia sekrete jugosllave në Zagreb, e cila e merr në pyetje rreth veprimtarisë së tij nacionaliste. Por kur studenti trim i përgjigjet prerë dhe i sigurtë se çdo veprim i tij nuk ka lidhje me Beogradin, përkundrazi kërkon që Kosova të shpallet Republikë me vete , ashtu sikundër Republikat e tjera nën Jugosllavi, atëhere strategjia zyrtare antishqiptare del në pah me forcën e vet më të verbër. Në këtë mënyrë , në aktgjykimin e gjyqit të Zagrebit, pikërisht për Fehmi Lladrovcin, prokuroria kërkon burgimin e tij 10 vjet ngase`` ka kërkuar që Kosova të jetë Republikë , të ketë flamurin e vet, duke pohuar me gojën e vet se pozita e shqiptarëve në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, nëse krahasohet me pozitën e popujve të tjerë të Jugosllavisë.``
Burgjet e Jugosllavisë janë një faqe tjetër e tmerrit që vinte prej politikave shovene dhe dhunuese të Beogradit. Qindra e mijra studentë apo nxënës të Kosovës, të dënuar në vitet 1980 –1990 do të jetonin një kalvar të pafund vuajtjesh e dramash të mënxyrshme. Fehmi Lladrovci fillimisht do të dërgohej në burgun famëkeq të Gjilanit e mandej në Stara Gradishka e Gospiq.Ndonëse mbi të u ushtruan dhunë fizike dhe psiqike e pafund, ndonëse nuk u la të takohej për vite me radhë me pjestarët e familjes,
Fehmi Lladrovci askurrë nuk u ligështua. Me trup atleti, me atë zemrën e madhe , me sigurinë në ardhmërinë e Kosovës dhe të krejt viseve shqiptare, burri i Gllogovcit do të duronte dhunën policore serbe, ashtu sikundër mali duron vetëtimat dhe gjëmimet e dimrit. Në fillim të vitit 1993 del nga burgjet famëkeqe jugosllavë dhe shkon në Drenicën e vet të dashur. Por në të vërtet Drenica e tij, sikundër e gjithë Kosova martire, qe shndrruar në një burg të madh. Nuk mund të flisje hapur, nuk lejohej, flamuri kuqezi, nuk lejoheshin këngët shqipe. Liria e munguar e brengosi akoma më shumë Femi Lladrovcin i cili sidoqoftë nuk mund të ndalte përpjekjet e veta për ardhmerinë e Kosovës. Por bie sërish në sy të policisë së fshehtë të Beogradit. Kur këta e thërrasin rreth disa shprehjeve të hapura që pat përdorur në fshat , Femi Lladrovci e kupton se për të ishin hapur të tjera fletë dosjesh e të tjera dyer- burgjesh. Ka qënë kjo arësyeja që me ndihmën e dy - tre miqve të vet , fshihet për pak ditë e më pas arrastiset në Republikën Federale Gjermane.
Këtu nis të punojë në punë nga më të rëndomtat, duke dashur t`i vijë në ndihmë edhe famijles , atje në Gllogovcin e largët, në Drenicën rrethuar prej ujqish serbë. Ai e dinte se familja e tij ( qysh kur vuante dënimin në burg) ishte në qëndër të vemendjes së policisë serbe ndaj përpiqej të zbuste varfërinë sadopak , duke dërguar fshehtas ndonjë të hollë , të kursyer në metropolin gjerman . Sidoqoftë lëvizja kosvare për pavarësi tani ishte rritur dhe në botën e qytetëruar grupet e djemve dhe burrave të Kosovës vepronin plot kurajë jo vetëm duke dashur të nxisnin opinionin ndërkombëtar por edhe duke mbledhur ndihma në mjete monetare dhe materiale për t`i dërguar në Kosovë.
Xheva e Fehmiu
Në vazhdën e rezistencës mbarëkombëtare, dihet tanim se falë qëndresës heroike , deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës , më 2 korrik 1990 patën shpallur deklaratën që e shpallnin Kosovën njësi federale të Jugosllavisë .Po kështu , në vjeshtën e vitit 1991 Kuvendi i Kosovës bëri referendumin , në të cilin shumica absolute e popullsisë u deklarua për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Fehmi Lladrovci së bashku me intelektualë të tjerë në Gjermani , u bë gjatë kësaj kohe një strehë e sigurtë e mjaft prej deputetëve dhe politikanëve kosovarë, të cilët e shtrinë lëvizjen e tyre mbarëkombëtare edhe në rrethet përparimtare evropiane , duke dëshmuar me fakte konkretë mbi dhunën dhe terrorin sistematik që Beogradi pati ushtruar dhe kërkonte të ushtronte ndaj viseve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.
Në dihmën e drejtpërdrejt të Fehmi Lladrovcit dhe miqve të tij në Gjermani , u shkolluan disa djem nga Drenica në Perëndim dhe u mbajtën me të holla mësues të gjuhës shqipe , të cilët shkonin kullë më kullë , deri në fshatrat më të largët për të ndriçuar atje vatrat me pishtarin e shqiptarizmës. Në këto vite vuajtjesh pafund, në këto vite të ëndrrave të mëdha, burri i Gllogovcit lidh jetën me njërën prej zanave kosovare , me Xhevë Avdyl Krasniqin . Një dashuri e pakufishme për Kosovën martire , për lirinë e saj , e ka shtyrë këtë Shotë të re të Drenicës , të bashkojë jetën dhe fatin e saj me Femiun.
Xheva Krasniqi-Lladrovci
Xhevë Krasniqi ( Lladrovci) pati lindur në vitin 1955 në fshatin Drenovc të Malishevës. Ati i saj, Avdyli si edhe të afërm të tjerë patën luftuar kundër okupatorit serb, për të aderuar më pas në lëvizjen e shquar të organizatës Nacional - Demokratike Shqiptare, e cila frymëzohej prej parimeve të Dekalogut të Ballit Kombëtar. Xheva pati shfaqur qysh herët dashuri e përkushtim për dije, ndaj dhe prindërit bënë çmos që vajza e tyre të shkollohej. Mbas mësimeve të para në vendlindje , Xheva vazhdoi studimet në Prishtinë ku mbaron me rezultate shumë të larta degën gjuhë –letërsi. Pas mbarimit të studimeve të larta ajo dërgohet si mësuese letërsi e ne gjimnazin e Kievës.
Këtu, së bashku me dashurinë për librin shqip, Xheva do t`u mësonte nxënësve të saj dashurinë e shtrenjte për lirinë e trojeve amëtare. Ka qënë kjo arësyeja që policia e fshehtë jugosllave ndjek hap pas hapi veprimtarinë atdhetare të Xhevë Krasniqit dhe në mesin e viteve 80 të shekullit që lamë pas, mësuesja trime Xhevë Krasniqi, pushohet nga puna me motivacionin se `` ka kryer veprimtari të hapura që bien ndesh me kushtetutën e R.S.F të Jugosllavisë.`` Pas këtij akti për Xhevë Kasniqin dhe familjen e saj ishte e kuptueshme që ishin të hapura portat e burgjeve. Ndaj bija e Drenovcit merr rrugët e mërgimit pa iu dridhur aspak qerpiku, duke patur kurdoherë në zemër dhe në mendje dashurinë e vyer të nxenësve të vet.
Fehmi Lladrovci e Xheva Krasniqi-Lladrovci
Në fillim të vitit 1998, Fehmiu vendos të kthehet në vendlindje. Ai e kupton se lisi i fortë e ka vendin e vet, aty në ballë të stuhisë, duke iu bërë krahë i shëndosh jo vetëm familjes, por në radhë të parë lëvizjes mbarëkombëtare të Kosovës për liri. Nërkaq lëvizja nacional-shoviniste serbe ishte në apogjeun e saj. Energjitë rrënimtare të kësaj lëvizje po rrekeshin çdo ditë e më shumë të frymëzonin një varg `` akademikësh `` serb të përgatisnin turli teorish e mashtrimesh, duke dashur t´i riktheheshin lavdisë së dikurshme të Serbisë së Vjetër. Madje ata e patën gjetur edhe udhëheqësin e lëvizjes që do të viktimizonte një popull të tërë . Cinizmi i politikës serbo –sllave ishte shfaqur madje edhe publikisht.Duke folur për kreun e shovinizmit serbomadh Milosheviçin, shtypi shkruante tekstualisht; `` Ai është një shfaqje e re në jetën e Serbisë, njeri i cili e ka artikuluar zemërimin e popullit duke e shdërruar në aksion politik.`` Gazeta ``Borba`` Beograd 30 qershor 1989, faqe 6)


Hamez Jashari
Në pranverën e vitit 1998 në Drenicë e vise të tjera të Kosovës u panë grupe të organizuar të guerrileve shqiptarë. Qëndresa epokale e Jasharajve dhe shfaqja e luftëtarëve me uniformën e UÇK-së, tregonte se shqiptarët jo vetëm nuk mund të pajtoheshin me dhunën e Beogradit por brenda tyre, brenda dhimbjes së madhe, po gjallonte vullkani i urrejtjes shekullore ndaj poshtërimeve serbosllave. Fehmi Lladrovci, në krye të luftëtarëve të UÇK-së në Lladrovc e më gjërë, kishte mundur të përgatiste dhjetra djem jo vetëm nga ana fizike por në mënyrë të veçantë nga ana psikologjike, pasi edhe pse ata ishin vetëm një grusht djemsh, do të luftonin pa u friguar ndaj makinës ushtarake serbe. Me atë vështrimin burrëror, me zërin e trashë e babaxhan, Fehmi Lladrovci, më shumë se një ushtarak epror, do të ngjante me një vëlla të madh të rrahur prej stuhive te jetës.
Në qershorin e vitit 1998 në afërsi të Lladrovcës, një repart special i ushtrisë jugosllave kërkonte të vendosej në fshehtësi aty. Fehmiu lajmërohet menjëhërë dhe në bazë të sinjaleve të vendosura qysh më parë, trupa e UÇK-së është e gatshme për luftim. Intuitiv nga natyra,Fehmiu vëzhgon me kujdes situatën. Ndërkaq nga komanda eprore ka ardhur urdhëri që reparti serb të goditet menjëherë dhe të mos lejohet pozicionimi i tij në atë zonë pasi mund të shërbente për efekte strategjike. Femi Lladrovci si një zbulues i talentuar, afrohet pranë patrullës serbe dhe hap zjarr i pari. Reth 40 minuta vazhdon një shkëmbim zjarri i fuqishëm dhe paskëtaj serbët largohen.`` Të drejtuar nga eprori Fehmi Lladrovci, trupat e UÇK-së u japin mësim serbve`` thuhet në njoftimin që Shtabi i UÇK-së dërgon në Tiranë. ( Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, Fondi`` Kosova`` 16 qershor 1998)
Për hirë së vërtetës, vlen të thuhet se kur grupet e luftëtarëve të UÇK-së u organizuan dhe filluan luftimet me pikësynime të qartë politikë dhe ushtarakë, Beogradi ndërmori një nismë shumë djallëzore. Pikërishtë aty ku ishte hasur qëndresa e UÇK-së, Milosheviçi dhe emisarët e tij të turpit dërgonin forca të mëdha ushtarake dhe mjetë të blinduara duke djegur, shkatërruar e bërë rrafsh fshatra të tërë. Politika dhe strategjia e `` tokës së djegur`` në thelb, përpiqeshin të fusnin në armiqësi popullin kosovar me luftëtarët e UÇK-së.Por në këtë rast dhelpëria serbe nuk fuksionoi siç duhet. Populli i Kosovës e dënoi dhe urreu më shumë dhunën serbe duke u bashkuar rreth luftëtarëve të UÇK-së si e vetmja alternativë për pavarësinë e vet dhe realizimin e aspiratës shekullore të lirisë.
Në korrikun e vitit 1998, Beogradi ndërrmori një tjetër ofensivë, në ato vise të Kosovës ku prania e UÇK-së ishte më e dukshme. Madje shtypi i Beogradit nuk nguroi të citonte me cinizëmin e vet karakteristik se brenda dy- tre javëve do të zhdukte edhe të fundit ushtar të UÇK-së. Përballë kësaj mësymje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendosi që djemtë kosovarë të tërhiqeshin duke e goditur armikun në vende të ndryshme si dhe duke marrë në mbrojtje popullsinë e pafajshme. Në krye të Brigadës 114 të UÇK-së, Fehmi Lladrovci do të përballonte për javë të tëra një varg sulmesh të forcave serbe, duke rrëfyer jo vetëm aftësitë e tij organizuese dhe lufarake, por sidomos besimin e madh në mundjen e bishës sllave.Tashmë breshërisë së automatikut të tij në beteja i përgjigjeshin qindra armë të tjera dhe qindra luftëtarë të UÇK-së shkonin pas komandatit të tyre si shkrepëtima.
Altoparlantët e prishur të Beogradit, për kinse zhdukje totale të forcave të UÇK-së, tanimë po heshtnin dita – ditës.Në vjeshtën e parë të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kontrollonte me shumë se 70 përqind të gjithë te territorit të Kosovës, madje luftëtarët e sprovuar të UÇK-së po mirrnin konsiderata të lavdërueshme edhe nga forcat përparimtare ndërkombëtare. Morali i shovinistëve serb po binte dita ditës. Robi serb Shevko Jahiroviq, deklaronte midis të tjerave: `` Për ushtarakët serb që frikësoheshin në aksionet kundër shqiptarëve kishte ndëshkime makabre. Ndërsa për të tjerët që komanda dyshonte u kërkohej si provë besnikërie të sillnin nga fshatrat ku luftohej një kokë e prerë fëmije.`` ( Dëshmia ndodhet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes – Tiranë.)

Tashmë Fehmi Lladrovci, në pozicionet e luftimit përkrah qindra luftëtarëve që komandonte, kishte edhe të shoqen, Xhevën. Kishte të drejtë edhe ajo, mësuesja e dikurshme e letërsisë të luftonte përkrah burrit dhe nxënësve të saj, për ardhmërinë e Kosovës. `` Si Shota me Azemin`` pëshpërisnin luftëtarët me vete, kur shihnin komandatin e tyre të fjalosej me Xhevën. Xhevë Lladrovci do të ishte kurdoherë në radhën e parë të sulmit duke u shdërruar në shëmbull frymëzimi dhe fisnikërie për të gjithë vajzat dhe djemtë mbushnin radhët e Brigadës 114. Pak kohë më vonë , në një intervistë të eprorit të UÇK-së, Sulejman Selimit, ky shprehet tekstualisht:`` Si nderim dua të kujtoj disa nga luftëtarët e parë që janë Adem dhe Hafiz Jashari, Osman Geci, Mujë Krasniqi, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha, Xhevë Krasniqi(Lladrovci) etj…`` ( Gazeta `` Ushtria`` Tiranë në 27 mars 1999) Kësisoj për të ardhur në agun e 22 shtatorit 1998. Forcat ushtarake serbe me mijra patën mësy kundër Drenicës, për të çarë aty vijën e mbrojtjes të UÇK-së. Femi Lladrovci dha kushtrimin i pari. 
Nga rendën pas tij vajzat dhe djemtë e Drenicës me armë në krah dhe besën e madhe në zemër. Serbët nisën të mësynin me tanke dhe artileri.Detyra e burrave të UÇK-së ishte të mos lejoni depërtimin e armiqve në zemër të Dardanisë së lashtë.`` Dara e rrethimit armik sa vinte dhe ngushtohej. Atëhere kur pritej asgjësimi, doli nga pozicioni komandant Fehmiu dhe lëshoi kushtrimin me sa fuqi kishte. Kundërsulmi zgjati disa orë.``( Gazeta ``Ushtria`` Tiranë 5 maj 1999.

Pikërisht atëhere kur serbët filluan tërheqjen, dikush pa se pozicioni ku ishte komandant Fehmiu po heshtëte. Ngarendi drejt tij dhe pa gjoksin e komandatit të mbuluar nga plagët e fishekëve të snajperëve serbë. Pranë komandatit patën rënë më përpara edhe dy ushtarë të tjerë dhe ky vet i pat rregulluar në mënyrë që armiku mos t`i gjente trupat e tyre. Kur i dhanë lajmin Xhevës,burrnesha heshti për pak çaste. Nuk besonte ndaj vrapoi tek plagët e ngrohta që rridhnin gjak. Ajo e kuptoi se hutimi mund të kushtonte shtrenjtë ndaj porositi shokët të mos e përhapnin lajmin e vrasjes së Femiut dhe vet u hodh e para në sulm.Janë dashur vetëm dy orë luftimesh të papara, me ç`rast plumbat gjejnë rrugën për në zemër të Xhevës. Kështu mbyllej epopeja e 22 shtatorit 1998 në Drenicë. Në altarin e lavdishëm të kombit zunë vend dy emra të rinjë, dy emra që u kurorizuan në emër të Zotit, por edhe dy emra të mëdhenj që u kronizuan nga kombi që s’di të vdesë, në llavën e madhe të padrejtësive historike.

Lavdi deshmoreve Fehmi e Xheve Lladrovci


Kujtimi per deshmoret mbetet  perjetesisht i paharruar
"Veç vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci". Adem Jashari, Drenicë, prill 1997
· "Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor" Fehmi Lladrovci, prill 1998,
· "Zëri i popullit të Kosovës që kërkon liri, është më i fortë se krisma e gjithë topave të Serbisë të zbrasur së bashku". Xhevë Krasniqi-Lladrovci, nëntor 1989, Drenicë

"Nëqoftëse qeveria e shtetit shqiptar nuk do të mbështesë UÇK-në, ajo do të bëjë tradhti kombëtare".  Fehmi Lladrovci, Mynih, 28 shkurt 1998, në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Takimi u organizua në qytetin e Mynhenit nga Ramiz Lladrovci, në fundin e muajit shkurt 1998, në mbrëmje vonë, në një nga hollet e një hoteli, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zotin Paskal Milo. Në takim shkuam Rexhë Ibërdemaj, në atë kohë anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe i ngarkuar me problemet e shtypit, të informacionit dhe të lidhjeve me UÇK-në, Fehmi Lladrovci, unë-Bedri Islami, dhe Ramizi.
Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, ishte i interesuar për të pasur konktakte, qoftë edhe të pjesshme me strukturat e luftës në Perëndim. Ai erdhi në takim i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të tij dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Bon, Bashkim Zeneli. U shtruan për disa orë me rradhë trajtime të ndryshme. Zoti Milo na bëri propozimin, i cili më çuditi më shumë se gjithçka tjetër, të pjesëmarrjes së Organizatës sonë dhe strukturave të luftës në zgjedhjet e 22 marsit 1998, duke na thënë se, nëse fitojmë zgjedhjet, atëherë edhe mbështetja e shtetit shqiptar do të jetë për ne; në të kundërtën, mbështetja do të ishte për fituesin e zgjedhjeve. U përpoqa t'i tregoja se vetëm fakti se je anëtar i Organizatës do të thotë disa vite në burgjet serbe, se një organizatë ilegale nuk ka të bëjë me farsën e zgjedhjeve që po përgatitej.
E theksoj, ishte dashamir, por hapësira që i ishte dhënë, ishte e ngushtë; ose nuk ishte krijuar ende hapësira e duhur. I vetmi njeri që nuk kishte folur, edhe pas pesë orë bisedimesh, ishte Fehmiu, që vazhdimisht shkruante në një bllok që kishte përpara.
Kur kishte kaluar ora një e natës, takimi kishte filluar në mbrëmjen e 27 shkurtit dhe kishte hyrë 28-a, Fehmiu kërkoi të merrte fjalën. Ishte i vrenjtur. "Ne e kemi vendosur të luftojmë, tha ai. Nuk ka rrugë tjetër".
Njëri ndër bashkëshoqëruesit e zotit Milo e ndërpreu, duke i thënë pak ashpërsisht: "Nëse keni vendosur të luftoni, atëherë përse po bisedojmë"?
Fehmiu e pa me cep të syrit, një herë nuk deshi t'i përgjigjej, por pastaj i tha shkurt: "Nuk po të drejtohem ty. Ti mbaj vendin tënd. Kam ardhur të flas me zotin ministër, për të cilin kam respekt. Pra, do të luftojmë, kjo është e vendosur. Nuk ka rrugë tjetër, vazhdoi ai, duke iu drejtuar zotit Milo. Problemi është se çfarë do të bëjë qeveria e shtetit shqiptar. Se çfarë do të bëjë populli shqiptar, atë e dimë. Pra, ju çfarë do të bëni: do të ndihmoni apo nuk do të ndihmoni"?
Zoti Milo filloi të argumentonte edhe një herë se shumë probleme mund të zgjidheshin pa shkuar deri tek lufta. Ishte mirëkuptues, dëshironte të mirëkuptohej...
 


Fragmente nga një bisedë me Hashim Thaçin

"Për Fehmiun kisha dëgjuar shumë herët, qysh kur isha në vitet e para të studimeve, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, për angazhimin e tij, si i burgosur politik, për qëndrimin e pathyeshëm në burgjet jugosllave, për rezistencën që kishte zhvilluar në Kroaci kundër ushtrisë serbe. Të gjitha këto i kisha dëgjuar nga shokët e tij: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Shaban Muja, etj. Mirëpo, personalisht Fehmiun kam takuar në verë të vitit 1994 në Gjermani, tek i cili qëndrova disa ditë. Aty për herë të parë e kam takuar edhe Xhevën, bashkëshorten dhe bashkëluftëtaren e tij të pandashme. Kishte vite që ne njiheshim indirekt, nga të tjerët, Familja Lladrovci vazhdimisht ka qenë e përkushtuar ndaj çështjes atdhetare. Fehmiu u burgos në mes të viteve të tetëdhjeta, kurse vëllau i tij, Ramizi që herët ishte i inkuadruar në lëvizjen klandestine të kohës. Unë, në fillim të viteve 1991 dhe 1992, kam qëndruar shpesh në familjen Lladrovci, ku së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë kemi biseduar për organizimin e rezistencës së armatosur. Gjithsesi, duhet ta theksoj kontributin e babait të Fehmiut, bacës Tush, i cili për ne e kishte të hapur gjithmonë derën e shtëpisë dhe na ka strehuar dhe ushqyer në çdo kohë".
Fragmente nga intervista e Komandantit të lartë të UÇK-së Fehmi Lladrovci, transmetuar në kanalin televiziv BBC World



· "Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor"



Pas një kohe kaq të gjatë të pritjes dhe të rezistencës paqësore të udhëhequr nga I. Rugova dhe partia e tij (LDK), përse e patë të domosdoshme t'i merrni armët në dorë?
"Shqiptarët kanë pritur shumë kohë për të kuptuar se nismat dhe veprimet e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, rezultuan kundër popullit shqiptar në Kosovë. Sot, ky popull aspiron çlirimin përfundimtar nga fashistët dhe çetnikët serbë. Periudha e viteve të rënda 1981-1990 është mjaft e njohur edhe për opinionin evropian dhe për atë amerikan. Megjithatë, tragjedia e mijëra bijve dhe bijave të Kosovës, burgosjet dhe torturimet e tyre nga regjimi jugosllav kaluan në heshtje. Gjaku i derdhur në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve nuk u muar fare parasysh. Politika "paqësore" kosovare, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, i cili tash e tetë vjet sillet nëpër zyrat e Evropës dhe të Amerikës, nuk solli gjë konkrete. Nuk ka gjë prej kësaj politike... Nuk i kemi marrë armët në dorë nga dëshira, por kjo është një domosdoshmëri. Pa një organizim të tillë askush nuk do të na dëgjojë, as Evropa, as SHBA-të.


A mendoni se Evropa dhe SHBA mund të angazhohen ushtarakisht në Kosovë?

"...Nëse ndodh diç e tillë, atëherë do të jetë si zakonisht tepër vonë, kur gjaku do të derdhet deri në fyt..."


Për serbët, ju jeni "terrorist"...

"...Mirë, le ta argumentojnë serbët vetëm një akt të "terrorizmit" të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. ...E ne mund t'i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe, mbi popullin e pambrojtur shqiptar. Le të tregojnë ata vetëm një njeri të pafajshëm, i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua kudoqofshin ata në territorin e Kosovës. Armët nuk i morëm në duar për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. I morëm kundër regjimit çetnik dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë".


Për çfarë luftoni?

"Për çlirimin përfundimtar të Kosovës".


Por sot shqiptarët janë në përgatitje të ekipit negociator. Ka të ngjarë që ky ekip mund të pranojë edhe një trajtë të autonomisë në kuadër të "RFSJ"-së. Sa do të ishit të gatshëm të pranonit një gjë të tillë?

"Assesi, natyrisht. UÇK-ja nuk pajtohet me asnjë zgjidhje, përveç pavarësisë së plotë të Kosovës”.


A synoni të merrni pjesë në bisedime?

"Po, jemi të gatshëm të bisedojmë me Serbinë. Por, vetëm për kufijtë. Për asgjë tjetër”.


Përderisa ju luftoni nëpër male, nuk duket të ketë ndonjë krah politik në Prishtinë?


"UÇK-ja në radhët e veta ka drejtues politikë, mirëpo në Prishtinë nuk e kemi krahun politik”.


Keni kaluar një kohë të gjatë në burg politik. A jeni të gatshëm të vdisni për Kosovën?


"Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta. Të gjithë ushtarët e UÇK-së janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë në duar që të vdesin për lirinë e Kosovës dhe asnjë nuk do ta kursejë jetën. Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor”.


Meqë shumë rrallë mund të dëgjohet ndonjë fjalë nga ju, çfarë do t'i porositnit botës me këtë rast?


"Mendoj se është turp për Evropën demokratike, që sot të ekzistojë një pakicë serbe, e cila synon t'i nënshtrojë 90 për qind të popullit tjetër në Kosovë; që këtë ta ushtrojë përmes terrorit të paparë. Problemi i Kosovës nuk është problem i komplikuar, çfarë tentojnë ta paraqesin faktorët ndërkombëtarë. Është problem që mund të zgjidhet fare lehtë: çdo popull i botës, përmes konventave ndërkombëtare, ka të drejtë për vetëvendosje dhe për pavarësi. Këtë të drejtë e ka edhe populli shqiptar, i cili në Kosovë ka mbi dy milionë banorë. Nuk kërkojmë as më shumë, as më pak se popujt e tjerë të botës. Do të shtoja edhe një gjë, meqë edhe Amerika edhe Evropa i adresohen së tepërmi parimit të mosndryshimit të kufijve. Jugosllavisë tashmë i janë prishur kufijtë. Është themeluar shteti slloven, shteti kroat, shteti boshnjak dhe ai maqedon.


Si u bë e mundur që Maqedonia të dalë aq lehtë nga shteti jugosllav, duke pasur brenda vetes mbi 40 për qind shqiptarë? 
Këto i marrim padrejtësi të bashkësisë ndërkombëtare, andaj jemi të vendosur të luftojmë deri në fund për çlirimin e Kosovës. Nuk ka forcë që të na mposhtë...”

Po aftësinë e armatimit. A nënkupton arsenali juaj edhe armët anti-tank dhe ato kundërajrore?

"I kemi të gjitha armët e nevojshme për vetëmbrojtje. Kemi edhe armatim kundër tankeve dhe sistemeve kundërajrore. Jemi të bindur se do t'i rrëmbejmë të gjitha armët që gjenden në duart e çetnikëve, meqë arma më e fortë për çlirimin e një populli është morali. Këtë moral Serbia nuk mund ta vrasë me asnjë armë. Ajo nuk mund ta shuajë vullnetin për liri...”


A po rritet numri i pjesëtarëve të UÇK-së, meqë më herët keni pohuar se morali çdo ditë është më i madh?

"Çdo terror shtetëror ka reaksionin e vet në popull. Populli është i gatshëm që njëzëri t'i përgjigjet thirrjes së atdheut për shpëtim kombëtar. Vullnetarët tanë arrijnë çdo ditë dhe numri i tyre është maksimal. Vullneti i popullit për liri është më i madh se kurdoherë, pikërisht për shkak të shtypjes dhe terrorit serb. Pas masakrës së Prekazit, i gjithë populli i Kosovës u bë i gatshëm të luftojë për atdhe..."
"Partia ime është Kosova" Fehmi Lladrovci

Është e vërtetë se për më shumë se 15 vite, pra që nga krijimi i saj, Fehmiu do të jetë anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Njëri ndër më të devotshmit dhe nga më autoritarët. Ndërsa pjesën e parë, devotshmërinë, e ka bërë me vetëdije, tjetra, autoriteti ishte pa dashjen e tij. Sidoqoftë, ai ishte në strukturat drejtuese të të gjithë Organizatës që nga prill i vitit 1985 dhe deri në marsin e vitit 1998, kur u largua nga Gjermania.
Pas saj, fillon për të dhe për Xhevën një jetë tjetër politike. Ose më saktë, ata veprojnë politikisht, të papërfshirë në jetën politike të ndonjë Organizate. Mbajti lidhje deri në momentin e fundit me shokët e Organizatës, por pa qenë pjesë drejtuese e saj dhe këtë e bën me vetëdije.

Në Mbledhjen e VI të Përgjithshme të LPK-së, dega jashtë vendit, në fillimin e majit të vitit 1998, ai propozohet për të qenë përsëri anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Mirëpo ai kishte sjellë një mesazh për të gjithë. Duke e quajtur veten pjesë e jetës politike, ai nuk mund t'i lejonte vetes që njëkohësisht të ishte në strukturat drejtuese të një Organizate, megjithëse kjo ishte ajo ku ai kishte milituar. Për një arsye të thjeshtë: tash e tutje, deri në çlirimin e vendit, partia e tij do të jetë Kosova. Bën kështu shkëputjen nga ajo që ishte pjesë e tij, për të sendërtuar atë që kishte synuar gjithnjë kjo Organizatë. Bëhet pjesë e vazhdimit të vizionit të saj, pa qenë brenda radhëve. Bëhet misionar i ideve që kishte mbartur ajo, por kësaj radhe si luftëtar.

Këtë e kërkonte dhe nga të tjerët. Ai nuk kishte dy kute: njërin për vete dhe tjetrin për të tjerët. Nëse mendonte se kuti që kishte zgjedhur vetëdijshëm ishte më i sakti dhe më i kohës për Kosovën, atëherë ai përcaktohej kështu edhe për të tjerët.

Në Kosovë kishte disa linja që nuk mendonin kështu. Lëvizjet legale politike ishin mësuar të shihnin politikën si pjesë e jetës së përditshme, të zakonshme, edhe kur tashmë ajo nuk ishte e zakonshme, por e jashtëzakonshme. Në kahun tjetër ishte edhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e cila kishte krijuar, sidomos në Llap, disa njësi të armatosura, dhe dëshironte të ruante, edhe në radhët e luftës, strukturën e saj politike. Më 1 shkurt 1998, LKÇK, i drejtohet Shtabit Qendror të UÇK-së, me thirrje për bashkëbisedim, me anë të të cilit duhej të vendosej forma e bashkëpunimit mes dy palëve. Duke ruajtur strukturën e saj politike.


Në dukjen e parë është një kërkesë e arsyeshme. Mirëpo nuk është logjike. Një njeri i autorizuar nga LKÇK-ja drejton një kopje të kësaj thirrjeje edhe tek Lladrovcët, me qëllim që ta përcjellin më tej. Disa ditë më pas, në drejtimin e shokëve që veprojnë në Drenicë, niset ky faks:


“Të dashur shokë, për këtë letër (është fjala për "Thirrjen për bashkëbisedim”) e kam njoftuar edhe "Kapuçin”. Dhe i kam dhënë mendimin tim lidhur me kërkesat e tyre për bashkëveprim, pa u shkrirë në UÇK. Mendoj se është punë jo e pastër nga individë të caktuar të hierarkisë së LKÇK-së dhe propozoj të kihet rezervë ndaj këtij "propozimi”. Ne na duhet Bashkimi e jo "Bashkëveprimi e bashkëbisedimi”. Ju përshëndes përzemërsisht, "Veshi”.

Në maj të vitit 1998 u zhvilluan takime mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe të LKÇK-së. Nga njëra anë ishte Fehmi Lladrovci, në anën tjetër shoku i tij i burgut, i dënuar në të njëjtin proces gjyqësor politik, Sabit Gashi. Të dy njihen prej kohësh, kanë qenë në të njëjtën organizatë, tani janë ballas. Çfarë do të bëhet: do të ketë në luftë dy struktura, njëra madhore e tjetra minore; do të ketë partizim dhe ndarje; do të ketë një vijë në mes, e cila mund të ndajë edhe shokët e dikurshëm?
Është e vështirë të thuhet tashmë se cili tjetër do të kishte mundur të merrte përsipër barrën e bashkimit mes dy strukturave, të cilat, aq sa mund të kishin ngjashmëri, aq ishin edhe të ndryshme, e herë pas here edhe të kundërta. Figura që është ballas me drejtuesit e LKÇK-së është një njeri i njohur, tepër i besuar, me fjalë të sigurtë, me ndjenjën e sakrificës dhe që i duhet besuar. Ky është njëri ndër shkaqet madhore të këtij bashkimi në luftë. Sepse është ecur përmes besimit, përmes shembullit e jo nëpër fjalët pa fund. Sepse ai do të mund të sillte shembullin e madh të tij: nuk do të ketë parti politike në radhët e luftës. Do të ketë drejtim politik, Drejtori Politike, por jo partizim të luftës. Ai ishte shembulli, mjaftonte vetëm të ndiqte këtë shembull. Në Drenoc, ai qëndroi dy ditë dhe dy netë duke biseduar me drejtuesit e strukturave të LKÇK-së, dhe ishte një nga bisedat vendimtare që rreshtuan përfundimisht këtë organizëm politik, pa asnjë parakusht, nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm.
Kjo ishte mes shokësh të hershëm, mes njerëzve që e kishin njohur njëri-tjetrin në momente të vështira. Çfarë do të ndodhte me ata që kishin pasur ose nuk kishin pasur vetëm pak të përbashkëta?
Fehmiut, luftës, i duheshin të gjithë, jo një pjesë, edhe nëse ajo ishte struktura më themelore e luftës.

II -Të tjerët për Fehmi Lladrovcin
Fehmi Lladrovci 1998: " Tash ka ikur koha e pyetjeve dhe e përgjigjeve. Tash ka ardhur koha e burrave. Kush është burrë dhe i thotë vetes se ka gjak shqiptari, edhe pyetjen, edhe përgjigjen, e bën në Kosovë"!
Adem Demaçi:
"Nuk kam pasë dëshirë ta mendoj Drenicën pa Fehmi Lladrovcin. Mirëpo lufta i ka ligjet e veta. Fehmi Lladrovci ishte një njeri që të gjitha sendet në jetën e tij i kuptonte shumë seriozisht. Fehmi Lladrovci ishte një nga ata që nuk u largua nga lufta kurrë, edhe në luftën ilegale, edhe në luftën e armatosur ishte në vijën e parë të frontit. Meritat e Fehmi Lladrovcit janë të mëdha për shtetin e pavarur të Kosovës. Vetëm kur të krijohet Kosova e pavarur, vetëm atëherë do të jetë Përmendorja që e meriton Fehmi Lladrovci, vetëm atëherë mund të themi se e kemi kryer detyrën tonë. Drenica heroike do të dijë të ruajë përmendoren e Fehmi Lladrovcit”.

Murat Jashari:
"Baca Adem ka pasë besim shumë të madh tek Fehmi Lladrovci. Deri në vdekje, thoshte, nuk ndahem prej tij. Për familjen tonë Feha ka qenë si Ademi, si Hamza, si Rifati, ka qenë një vëlla i tyre, një mixh i joni. Luftëtarë ka pasë Shqipëria, ka qenë normale, edhe diplomatë, politikanë, por që t’i ketë një njeri të dyja, edhe luftëtar, edhe politikan, ato i ka pasë në këtë luftë veç Fehmi Lladrovci”.

Lulëzim Jashari:
"Baca Fehë (Fehmiu)ka folë të njëjtat fjalë, si atëherë kur ka hyrë në lëvizjen ilegale në vitin 1976, ato fjalë i ka folë edhe para gjyqit në vitin 1986, ato fjalë i ka folë edhe në vitin 1998, dhe me ato fjalë ka vdekë. Ai ka pasë principet e preme, të sakta, nuk ka pa se mos preket kush, por i ka shprehë principet e veta saktësisht".

Agim Çeku:

"Jam i lumtur që i takoj të njëjtit komb që i takonte edhe Fehmi Lladrovci. Fehmi Lladrovci të gjitha provimet në jetën e tij, dhe ato provime janë jo vetëm të shkollës, por provimi i atdhedashurisë, provimi i trimërisë, i guximit, i heroizmit, provimi i organizimit, i komandimit dhe i drejtimit, provimi i artit të luftës: të gjitha këto provime Fehmi Lladrovci i dha me notën shkëlqyeshëm..."



Ali Ahmeti:

"Fehmiu ishte i lindur për aksione të mëdha dhe për beteja të lavdishme. Ai dinte të mbahej fort si shkëmbi, edhe atëherë kur të tjerët jo vetëm nuk qëndronin, por edhe kur mbetej vetëm. Ishte i vendosur, të tillë e kishte edhe shoqen e tij të jetës, të madhërishmen Xhevë. Fehmiu ishte dhe mbetet simbol i luftës për liri dhe unitet kombëtar”.

Ramush Haradinaj:

"Fehmiu ishte një nga njerëzit me vizion më të qartë për Kosovën. Ishte një burrë trim i pazakontë dhe si i tillë ka mbetë në historinë e kombit tonë. Unë kam pasur fatin të jem në të njëjtën vijë me të, të jem shok dhe bashkëluftëtar i tij dhe këtë nder nuk e ka pasur kushdo. Kishte shpirt të pastër, sulmet i ka përballue me buzëqeshje, unë kam qenë gjithnjë në lidhje me punët e tij...”.



Servet Pëllumbi:
"Një popull që nxjerr bij të tillë, që thonë se më e shtrenjtë është liria se jeta, ai popull është i pavdekshëm. Fehmiu është e vërtetë se e ka dashur shumë Shqipërinë, por edhe Shqipëria e ka dashur, e do dhe do ta dojë, jo vetëm Fehmiun dhe Xhevën, por të gjithë ata që luftojnë për liri, të gjithë ata që nuk harrojnë shqipen dykrenare, nuk harrojnë gjuhën shqipe...”.
Fadil Bajrami
"Fehmi Lladrovci ka qenë një njeri që ka jetue për luftën.Nuk kishte ide tjetër më të madhe tek ai”.
Shaban Shala:
"Natyra e Fehmiut, fjalët e tij, sjellja e tij e ka bërë për vete dhomën, mikun dhe vendin ku ka qenë për herë të parë. Ka qenë përfaqësues i dyanshëm, edhe i Kosovës, në rrethin e gjerë të studentëve; por edhe përfaqësues në instancat e atëhershme të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, anëtar i shtabit të luftës. Ai për mua ka qenë luftëtar, epror, komandant, ai ka qenë gjithkund dhe për gjithçka”.


Ramush Tahiri:

"Njohja e parë është kjo: më ka lënë përshtypje sinqeriteti i jashtëzakonshëm, besnikëria e jashtëzakonshme dhe ndjenja se kur të rrish me të, rri më mirë se me vetveten”.


Izet Ibrahimi:

"Më tha doktor Hafir Shala se Feha, si dëshironte ai ta quante Fehmi Lladrovcin, bashkë me Xhevën dhe shokë të tjerë kanë ardhur në Kosovë. Në bazë të gjithë asaj që kisha krijuar për ta, më erdhi një lehtësim, vetja më është dukur më i sigurtë, optimizmin e vëreje tek të gjithë shokët që ishin në Kosovë.Të gjithë besonim se Fehmiu do të jetë i palëkundur nga pozicioni i tij luftarak. Por asnjë nuk mundëm të paramendonim se rënia e tyre do të jetë aq heroike. Nga kjo u binda se imagjinata që kisha krijuar për ta, ishte më e varfër se sa ishin Ata në të vërtetë”.

 
Nuredin Llushtaku
"Për herë të parë bacin Fehë e kam njohë prej fjalëve të Adem Jasharit. Ademi na ka treguar se po vjen Feha e do të jemi më të fortë. Të tjerë kanë thënë se është nisë një grup i papërgjegjshëm dhe se nuk duhet të bashkëpunohet me ta. Ademi i ka thënë se ata janë shokë të mi, Feha është shoku im, vëllai im, dhe nuk më ndan kush prej tyre, veç vdekja”.


Zenun Kodra:

"Njohja jonë me Fehmi Lladrovcin ka qenë prej Adem Jasharit. Por për herë të parë e kam takuar në vitin 1998. Ardhja e tij dhe e shokëve të tjerë, njerëz të përgatitur, si ata kishim krejt pak në Kosovë, për të mos thënë se nuk kishim, na ngriti moralin...”


Fadil Kodra:

"Emri i bacit Fehë i ka afruar njerëzit. Përvojën e parë të gjerë luftarake, fillimet e strategjisë luftarake, i kemi mësuar prej tij. Na thoshte se "shpeshherë është më mirë me derdhë djersë sot, se sa gjak kur të fillojnë ofensivat serbe”.


Naser Idrizi:

"Fehmi dhe Xheva Lladrovci janë ndër emrat më të mëdhenj të luftës sonë. Ata futen në radhën e atyre njerëzve që shkruajnë historinë e një kombi. Dhe këtë nuk e kanë bërë dosido, por me punën e tyre, me sakrificat e tyre, me jetën e tyre”.


Shefqet Morina:

"Besomë, katër antarë të familjes i kam të vrarë. Jam në gjendje të bëj be në çfarë të duash, se nuk më dhimbsen katër antarët e familjes sime sa më dhimben trupat e bacës Fehë, Xhevës e Fatimes. Se i kam parë me sytë e mi se si janë vrarë, ia kam dëgjuar fjalët e fundit, e di se si i kanë lëshuar britmat e luftës. Sot më kujtohet veç zëri i komandant Fehmiut. Katër antarët e familjes sime nuk i kam parë se si janë vrarë, dhe kam shkue e i kam varrosë herën e parë. Shkitë i nxorën nga varret dhe nuk i di se ku i kanë trupat. Katër i kam të vrarë, edhe katër i kisha dhënë, veç Fehmiu e Xheva të ishin mes nesh".
 

Gazetari anglez i BBC David Loyd
”Ai(Fehmi Lladrovci) ka qenë shqiptari që më së shumti i ka përngjarë Skënderbeut. I njejti vështrim që ka heroi juaj, mollëzat e hequra, ashpërsi dhe burrëri në shikimin e tij…”

Përjetësi e dyfishtë  
Bedri Islami


Askush nuk mund ta besonte se ata nuk ishin më. Ishte diçka jashtë reales të besoje diçka të tillë, dhe kur kaluan ditët e para dhe nuk dihej ende asgjë se ku kishin rënë, pra ku e kishin mbështetur kokën për herë të fundit, atëherë gjithçka u bë edhe më e besueshme, se ata mund të ishin diku.

E vetmja gjë që i trondiste njerëzit dhe i bënte të besonin se diçka kishte ndodhur me ta, ishte në rënien e pozicioneve në duar të shkive. Ata e mendonin vetëm këtë si një mundësi që kishte ndodhur diçka e rëndë, mjerisht edhe tepër e dhimbshme, por përsëri e hiqnin mendjen nga vdekja.

Ishin të huaja për njëri-tjetrin Fehmiu dhe vdekja, Xheva dhe vdekja, të dy bashkë dhe vdekja. E përjashtonin njëri-tjetrin, deri në kufijtë e skajmë, deri aty ku fillon e shkrihet në një e vërteta dhe legjenda.

Nuk e besonin dhe nuk donin as ta besonin. Me mosbesimin sikur donin të shtynin sa më shumë që të mundnin idenë e largimit të tyre, mosqenies dhe këtë e bënin të gjithë, krejt natyrshëm, sepse nuk mund ta kishin në vete idenë e vdekjes.

Nuk ishin më, kjo ishte e rëndë. Pastaj dikush tha se ata u vranë dhe kjo nuk mund të jetë vdekje. Filluan ta besojnë pak nga pak, por gjithnjë me mendimin se ata do të shfaqen përsëri, aty ku do të ishte më e vështirë dhe më e domosdoshme. Për 22 vite me radhë kishte ndodhur diçka e tillë: rishfaqja e tyre dhe nuk kishte pse të mos ndodhte rishtas kështu. Njerëzit prisnin dhe duke pritur, vazhdonin të luftonin. Edhe fakti se drejtues i brigadës kishte ardhur njëri ndër miqtë më të vjetër të Fehmiut, djali i imët, trim dhe gjithë virtyte, Ilaz Kodra, përsëri nuk e bënin të besueshme idenë e largimit të tyre.


Kështu shkuan ditët e para, mes mosbesimit dhe pritjes. Mes vendeve ku gjendeshin, gjithnjë mes luftës, ata e kishin idenë e pritjes së rikthimit të tyre, ashtu siç kishin idenë e rilindjes së përditshme të diellit, të mëngjesit, të erërave që frynin buzë Çiçavicës. I dukej sikur njëra dorë e tij ishte mbështetur tek Drini i Bardhë dhe dora tjetër tek Drini i Zi, sikur kokën e kishte mbështetur në bjeshkët përbri dhe në malet e Sharrit. Prisnin dhe nuk besonin.

Por jo vetëm ata që ishin aty, pranë tij dhe që e kishin ndjerë dorën e tij. Edhe të tjerë, ndoshta me mijëra kilometra larg nuk e besonin. Ishte një mosbesim i tejskajshëm dhe i dhimbshëm, sepse njerëzit prisnin rishfaqjen e tij. Prisnin rishfaqjen e të dyve, si një gjë që lehtësisht merret me mend. Kështu dalëngadalë, pa e kuptuar, filloi të endej legjenda e rikthimit të tyre. Ishte një legjendë e dyfishtë, e cila, ashtu siç lëviz llava vullkanike, e zjarrtë dhe e ngrohtë, filloi të lëvizë drejt njerëzve. Ata që kishin menduar se pas 22 shtatorit do të flitej si për dy njerëz që ishin dikur, do të ndjeheshin edhe një herë të gabuar. Gjithnjë e më tepër njerëzit filluan të besojnë se gjithçka ishte e përkohshme, ndërsa rikthimi, përjetësia e tyre, do të ishte e përjetshme.

Ndërkohë ata ishin ende pranë njëri-tjetrit, në atë vend ku kishin qëndruar deri në fund dhe nuk donin të shkëputeshin. Dherat e shkëputur nga bjeshka kishin rënë mbi trupat e tyre, që ende ishin së bashku. Ishte përzier dheu i kadifejtë me gjakun e pastër. Kaloi dita e parë, pastaj e dyta, e treta. Ata rrinin aty, mes erërave që frynin mbi Kodrën e Qëndresës, dëgjohej zhurma e luftës që herë afrohej e herë ishte e largët, shtëpitë vazhdonin të digjeshin dhe tymrat për një çast u dukën si një fillesë nate, pastaj rishtas filloi të bjerë vesa e netëve të freskëta të shtatorit dhe ishte një qiell krejt i pastër, mbushur me yje.

Gjaku i tyre kishte rrjedhur butësisht drejt dheut të ngrohtë. Ishte bërë njësh me të dhe pastaj ishte ndalur aty ku fillonin rrënjëzimet e lisave. 

Tundja e gjetheve u sillte më afër vatrën ku kishin lindur. Qëndronin dhe prisnin. Ndërkohë legjenda e mosbesimit të vdekjes po rritej gjithnjë e më tepër, derisa u bë shpresë e përhershme jete.
Pastaj, krejt befas, në një stacion televiziv u dha intervista e tij. Njerëzit e dëgjuan dhe përsëri e kishin në mendimin e tyre rikthimin e shpejtë. Përderisa duhet, ai do të kthehet, kishin thënë të gjithë.

Ishte një nga mbrëmjet e fundshtatorit kur i kishin sjellë në fshatin ku kishin lindur, buzë luginës, e cila kishte qenë aq e dashur për ta. I kishin sjellë shokët e tyre, mbartur mbi shpatulla dhe kjo kishte qenë hera e parë që ishte një barrë aq e rëndë. Tepër e rëndë. Megjithatë, edhe kur ata kishin ardhur, të përgjakur dhe bri njëri-tjetrit, përsëri njerëzit nuk e kishin besuar. I kishin shtyrë kufijtë e vdekjes, të paktën derisa të ishte lufta. Njeriu që kishte lindur për luftë, nuk mund të ikte derisa ajo të përfundonte.


Mbrëmjet e fundit të shtatorit kishin ikur tepër shpejt, në rrokullimën e tyre të ashpër. Kishin lënë pas vetes disa të vrarë, më shumë të plagosur, dhjetëra e dhjetëra shtëpi të djegura, njerëz që kishin shpejtuar për të mos qenë pre e dhunës dhe gjithashtu edhe një legjendë: legjendën e një Përjetësie të dyfishtë, të Fehmiut dhe të Xhevës.
Kishin pasur një jetë të jashtëzakonshme, do të kishin po ashtu edhe një përjetësi të jashtëzakonshme, përderisa ishte një përjetësi e dyfishtë.


*biografia, Eugen Shehu,
*"perjetesi e dyfishte", te tjeret per deshmoret nga Bedri Islami
fotografitë, renduaar e publikuar me rrespekt të veçantë nga Ramadan S. Latifaj

Dëshmorët fotogaleria

Dëshmorët fotogaleria
>> Deshmoret e Kombit FOTOGALERIA IME <<

Galeria ime

Hogoshti eshte vendlindja e shqiponjave - Rroftè Shqipèria e Bashkuar


Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Rexhep Mala e Nuhi Berisha
Kenge nga atdhetari , artisti e kengetari Hysni Klinaku

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar
Kryepatriot Hero i Kombit Metush Krasniqi (Dokumentar)

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )
Monografi, pjesa e parè

Kadri Zeka

Kadri Zeka
Kadri Zeka, Hero i Kombit,

Rahim Beqiri

Rahim Beqiri
Kenge per deshmorin e kombit Rahim Beqiri

Avdi Ibrahim Xhaqku

Avdi Ibrahim Xhaqku
Recital deshmorit Avdi Xhaqku

Besnik Maroca

Besnik Maroca
Besnik Maroca, deshmor i Kombit, jeta dhe vepra, emision

Musli Imeri

Musli Imeri
Bisede e imagjinuar, recital deshmorit Musli Imeri