Showing posts with label sabit veseli. Show all posts
Showing posts with label sabit veseli. Show all posts

Tuesday, November 1, 2011

SABIT VESELI, NJË HERO I HESHTUR


Ramadan PLLANA - DËSHMI TË KOHËS

BISEDË ME  SABIT  VESELIN, NJË HERO I HESHTUR
 
( Në përkujtim të njëmujorit të vdekjes së  veprimtarit të paepur për çlirim e ribashkim kombëtar, që ra tragjikisht në tokën mëmë që aq shumë e deshi; -në një fatkeqësi komunikacioni më 6 gusht 2010 afër Mitrovicës). 

Në muajin nëntor të vitit 2007 bashkë me shkrimtarin Riza Lahi nga Tirana dhe me mikun tim prof. Destan Hajdini nga Kumanova intervistonim disa veprimtarë, mërgimtarë të çështjes kombëtare, duke i përfshirë disa bashkëveprimtarë të  pishtarëve të pavdekshëm, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, deri te veprimtarët dhe luftëtarët e UÇK-së, me përqendrim të veçantë  te ata që i shërbyen UÇK-së nëpërmes Fondit « Vendlindja Thërret » për të përmbledhur në një libër.
-Për arsye të mospajtimit që pata me Rizah Lahin, puna mbeti në gjysmë dhe libri nuk u përgatit për botim.
Unë, i prezantoja veprimtarët, me një biografi të shkurtër, bashkë i intervistonim në formë të bisedave miqësore.
Nga shënimet që i kam bërë më 17 nëntor 2007, në banesën e mikpritësit, mikut tim të nderuar, Bajram Krasniqit, nga Hoça e Vogël, e Rahovecit, me banim në Zeiningen në Zvicër, ku kishim intervistuar edhe Bajramin, Sabit Veselin, Sabedin Thaçin nga Arbana e Prizrenit, ish-luftëtar i UÇK-së, Fisnik Cukajn,veprimtar nga Peja, Isa Demirin, veprimtar nga Kërçova etj.
Këtu, tani po e publikoj bisedën që zhvilluam me Sabit Veselin, me rastin e njëmujorit të vdekjes së tij.
 
Biografia:
Sabit Veseli, u lind në fshatin Broboniq të Mitrovicës, në skajin verilindor të Drenicës Kreshnike, më 16 nëntor 1958 nga një familje me tradita patriotike, një familje me tetë fëmijë, katër vëllezër e katër motra. Qysh më 1975, nga mosha 17 vjeçare fillon vendosmërisht të luftojë titizmin, kjo vetëdije e lartë kombëtare e këtij djaloshi guximtar do ta pajis me një shpirt  revolucionar që do ta përcjellë deri te krijimi i UÇK-së, në luftën kundër Serbisë vrastare dhe largimin i saj nga Kosova. në qershorin e vitit 1999. Për idetë e tij atdhetare përjashtohet nga shkolla e mesme teknike në vitin 1981. Po atë vit e marrin ushtar në APJ, por e lëshojnë pas 20 ditësh pasi që nuk e jep betimin.
Në demonstratat e mëdha të vitit 1981 do të jetë njëri nga organizatorët kryesor në Mitrovicë. Grupi i tij do të gjykohet në Mitrovicë dhe  do t’i merr këto dënime:
Xhelal Ferizi, Mitrovicë student i dënuar me 8,vjet e 6 muaj burg të rëndë
Ujkan Zeneli, nxënës i vitit të katërt në mbarim, Shipol, Mitrovicë 8 vjet burg.
Skënder Hajredini, 7 vjet e 6 muaj burg ish-student, brigadier në Fabrikën e Akumulatorëve në Mitrovicë, nga  fshati Koshtovë, Mitrovicë.
Sabit Veseli, 7 vjet e gjashtë muaj burg student nga fshati Broboniq, Mitrovicë.
Nazmi Shaqiri, 6vjet e 6 muaj burg, poashtu student i shkëlqyeshëm.
 
Sabiti, burgun e ka kryer në Mitrovicë dhe në Pozharevc të Serbisë. Si gjatë gjykimit, ashtu edhe gjatë vuajtjes së dënimit ka qenë shembull i sakrificës dhe i papërkulshmërisë. Në burgun e Mitrovicës do të njihet me shumë atdhetarë, si me Ilmi Muzaqin, Idriz Gërvallën etj.
Në burgun e Pozharevcit do të kalojë bashkë me dëshmorët e kombit, Fadil Vata dhe Afrim Zhitia, me të cilët do organizohet në kuadër të LPRK-së. 


Në burgun « Zabela » të Pozharevcit, me të kanë qenë edhe këta veprimtarë : Mehmet Bislimi, Smajl Haradinaj, Bardhyl Mahmuti, Nezir Myrtaj, Sherif Krasniqi, Pajazit Krasniqi, Ramush Krasniqi, Jakup Shyti, Ramadan Avdiu, Kadri Luzha, Halil Selimi, Murat Bytyqi,Taip Zeka, Sami Kurteshi, Beqir Beqa, Fehmi Berisha, Ibrahim Xhemajli, Adem Grabovci, Naim Shala, Halil Alidema, Mustafë Ademi, Hamëz Kryeziu, Imer Hasani, Bejadin Hasani, Nuhi Muhadri, Afrim Hoti, Reshat Avdiu,  etj. Pas daljes nga burgu,  aktivizohet në LPRK. Në organizatën ilegale LPRK, si udhëheqës ishin shokët e tij të burgut, Fadil Vata, sekretar politik dhe Afrim Zhitia, sekretar organizativ. Kjo organizatë do të jetë promotore e lëvizjeve për çlirim e  bashkim kombëtar.  Gjatë demonstrative të viteve 1988/ 89 do të jetë njëri ndër organizatorët më të devotshëm , në Mitrovicë, Prishtinë e gjetiu. Pas rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, më 2 nëntor të vitit 1989; Sabiti, do të betohej se kurrë i gjallë nuk do të dorëzohet në duart e armikut, gjithnjë ishte i armatosur.
Ai, do të bashkëpunojë me të gjithë shokët që e kishte bashkëvuajtur dënimin, do të ketë lidhje me të gjithë udhëheqësit e LPRK-së, që më vonë do të quhet  LPK, ndër ta edhe me kushëririn e vet Kadri Veselin, pastaj me Hashim Thaqin, Shaban Mujën, Bardhyl Mahmutin, Jashar Salihun, Mehmet Bislimin, Agush Bujën, Rexhep Halimin, Fehmi Lladrovcin, Xhavit Halitin, Xhavit Hoxhën, Ramadan Avdiun, Xheladin Gashin – “Plakun”, Ismet Kadriun, e me shumë të tjerë.
Me sugjerimin e shokëve, kalon ilegalisht në Zvicër , më 1992,  ku fiton strehim politik pas një viti. Këtu, do të vazhdojë aktivitetin në LPK, në Fondin “Vendlindja Thërret” dhe gjatë luftës, 1998/99 do të jetë përgjegjës për mobilizim të vullnetarëve në UÇK, nëpërmes klubit “Përparimi” në Cyrih. Gjatë luftës i vritet vëllai i madh Bahriu, ende pa e veshur uniformën e UÇK-së, në Vaganicë të Mitrovicës, gjatë hapjes së llogoreve të luftës, po atë ditë që kishin rënë në altarin e lirisë në një betejë të pabarabartë me armiqtë, Fehmi e Xhevë Lladrovci.
Në angazhim të Fondit “Vendlindja Thërret” i  kishte aktivizuar edhe këta veprimtarë të zellshëm: Bashkim Rrahmanin, Qamil Agajn, Avni Arifin, Besim Pllanën e shumë të tjerë...
Intervista
më 17 nëntor, 2007
 
Pyetje : Sabit, do bëjmë pak bisedë në lidhje me biografinë dhe veprimtarinë tënde.
Kur dhe ku ke lindur?
 
Sabit Veseli : Me ty, shoku Dan, po bëj përjashtime, sepse, unë nuk jepi intervista.
-Jam nga fshati Broboniq, lindur më 1958, komuna e Mitrovicës. Ti më njeh, shkruaj çka duhet!
 
Pyetje : Kur ke filluar të merresh me veprimtari patriotike?
 
Sabit Veseli: Me veprimtari patriotike fillova qysh në moshën 17 vjeçare, konkretisht kur u shpallë aktgjykimi kundër Grupit të Adem Demaçit, më 1975, prej asaj dite kur Fahredin Gunga, kryeredaktor, bëri një koment në RTP, me titull  ”Grupit irredentist, i vërtetuar si armik i popullit dhe i rendit tonë kushtetues, iu shqiptua dënime të merituara”(!!!)  
-Nga ajo ditë e kam ndier vetën se jam i robëruar nga okupatorët serbo-jugosllavë. Jam betuar se do të gjejë shokë dhe do të luftojë deri në vdekje kundër pushtuesve dhe shërbëtorëve të tyre, titistëve  shqipfolës...
 
Pyetje : I nderuar, je njëri nga organizatorët kryesor të demonstratave të 81-it në Mitrovicë, a mund të na thuash se si u organizuan ato ngjarje historike, aq masive?
 
Sabit Veseli: Thashë se nga dënimi i Bacës Adem dhe grupit të tij, unë isha betuar që të luftojë me të gjitha forcat e mia kundër okupatorit serbo-sllav dhe kundër shërbëtorëve të tyre, titistëve shqipfolës. Rinia shqiptare e asaj kohe ishte e flakët kundër ish-Jugosllavisë për çdo çast dhe mjaftonte një kushtrim për të dalë në demonstrata, demonstratat e 81-it ishin heroike dhe masovike, si në tërë Kosovën, ashtu edhe në Mitrovicë.
 
Pyetje : Sa vite të dënuan dhe kush ishin shokët tu që u gjykuan me ty?
 
Sabit Veseli: Grupi ynë , që u dënua nga Gjykata e Qarkut të Mitrovicës me këto kohëzgjatje burgu : 
  • Xhelal Ferizi u dënua me 8 vjet e 6 muaj burg të rëndë, 
  • Ujkan Zeneli u dënua me 8 vjet burg, 
  • Skender Hajredini 7 vjet e 6 muaj burg, 
  • unë Sabit Veseli 7 vjet e gjashtë muaj burg dhe  
  • Nazmi Shaqiri 6 vjet e 6 muaj burg.     Kishte edhe shokë të tjerë që u dënuan me kundërvajtje. Qëndrimi ynë, ka qenë i pathyeshëm. Unë, nuk kam pranuar asnjë akuzë dhe nuk jam penduar kurrë përjetë, jam krenar që i kam shërbyer popullit tim për çlirim nga robëria serbe.
 
Pyetje : Në burgun famëkeq të Pozharevcit si kalove dhe na i thuaj shkurtimisht kushtet dhe me cilët shokë e ke vuajtur dënimin?
 
Sabit Veseli : Me administratën e burgut nuk kam pranuar asnjë kontakt. Në shëtitje 15 minuta  në mëngjes, edhe ato shpesh m’i ndërprisnin gardianët sepse flisja me shokët.
Në këtë burg, vërtet kushtet ishin shumë të këqija, të papërballueshme për shëndet, mirëpo morali i lartë i shokëve tanë na jepnin forca për një qëndresë  titanike. Sidomos shembulli burrëror i Fadil Vatës, i cili ishte edhe i sëmurë, ishte për ne një shtysë e fortë për t’i përballuar kushteve çnjerëzore që kishim aty. Aty, ishim në qelia të izoluara nga 3-4 vetë  ku nuk depërtonte rrezja e diellit, gjithë ditën me drita elektrike, si pasojë kishim humbjen e të pamurit.
-Po edhe më keq ishim, kur na dërgonin në pavijonin numër 7, ku mbaheshin kriminelët serbë.
Aty, i patën futur edhe shokët tanë në vitin 1985, Fadil Vatën dhe Sami Kurteshin. Ne, bëmë grevë urie për t’i nxjerrë nga pavijoni i kriminelëve dhe nuk i ndërpremë derisa i hoqën prej aty. Disa nuk mund ta  përballonin grevën urisë fizikisht, por kanë refuzuar deri në fund ndihmën mjekësore. Morali dhe solidariteti midis nesh ishte shembullor. Pas shtatë dite grevë urie ia arritëm fitores, shokët i hoqën nga qelia e kriminelëve dhe i sollën te ne, në qelitë tona…
 
Pyetje : Ti, ke qenë në një qeli me dëshmorët e kombit, Fadil Vatën dhe me Afrim Zhitinë, na thuaj përshtypjet tua për këto dy figura të ndritshme të popullit tonë !
 
Sabit Veseli 
Për dëmshorët, Fadil Vatën e Afrim Zhitinë, mund të flasim ditë e net, ata kanë qenë shpirti i popullit dhe nuk do të harrohen kurrë përjetë deri sa të ekzistojë populli shqiptar. Ata, ishin, me mish e me shpirt, promotorët e çlirimit dhe bashkimit kombëtar të kohës, me një fjalë Fadili e Afrimi u dëshmuan si pishtarët kryesorë të Lëvizjes, pas Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, që u vranë nga UDB-ja famëkeqe jugosllave.
-Pushka  dhe pena për ata, ishin të pandara.
Lexonin shumë, si literaturë kombëtare ashtu edhe atë botërore. Ishin të mahnitshëm me diskutimet, analizat dhe konkluzionet e tyre që u bënin literaturës që lexonin, ngjarjeve kombëtare e ndërkombëtare…
 
Pyetje : Ju kishit arritur që të merrni në burg edhe literaturë ilegale, si kishte mundësi të furnizoheshit me libra të tilla, kur diheshin mbikëqyrjet dhe censurat e rrepta të administratës së burgut?
 
Sabit Veseli: Është shumë e vërtetë se kemi futur dhe lexuar edhe libra të ndaluara, madje edhe nga Shqipëria. Fadil Vata  pasi që  doli nga burgu, më 1987, na dërgonte literaturën nëpërmes një romi, quhej, Avdi dhe  punonte në burg; materialet na vinin në mes kopertinave të librave, të shtypura në « Rilindje ». Bardhyl Mahmuti i kishte lidhjet drejtpërdrejt me këtë rom. Ky rom na jepte edhe  bukë kur i jepej mundësia.
 
Pyetje : Na e përshkruaj pak ditën kur dole nga burgu i Pozharevcit?
 
Sabit Veseli : Pas 7.5 viteve burg në Pozharevac, në zyrën e administratës së burgut më mori në pyetje një udbash i Ministrisë së Drejtësisë së RFFJ-së.
« Ku do të banosh, si të dalësh nga burgu , në Jugosllavi?! »
« Nuk e  kuptoj gjuhën serbe!»
« Pse nuk flet serbisht, ti ?»
« Sepse ma lejon Kushtetuta e 74-it, lejon të flas vetëm shqip, dhe unë do të jetojë në vendlindjen time, vetëm në Kosovë dhe askund tjetër!»
 
Pyete : A është e vërtetë se ti ke qenë gjithnjë i armatosur, pas daljes nga burgu?
 
Sabit Veseli : Kjo, është shumë e vërtetë. Kur kam dalë nga burgu e vazhdova veprimtarinë time për çlirim e ribashkim kombëtar në kuadër të LPK-së.
-Tërë jetën në rrugë kam qenë me një pistoletë, kurse në shtëpi kam fjetur me kallash nën jastëk dhe me fishekë në grykë.
Nga viti 1988, kur kam dalë nga burgu, e deri më 1992, kur kam ikur në Zvicër, kam qarkulluar nëpër krejt Kosovën, kurrë nuk jam frikësuar se po më arreston policia serbe. Njëherë më kishin arrestuar, më kurrë, s´do t´i lejoja; o do t´i vrisja ose do t’ më vrisnin, -i gjallë në duar të tyre, jo se jo.
Pistoletën me dy karikatorë dhe 30 fishekë i kisha me veti, në brez, gjithmonë.
Një rast, në Skënderaj, pati një kontrollim nga policia serbe, mua nuk më kontrolluan, vetëm më shikuan në distancë, po të tentonin për t’ më kontrolluar, do t´i  vrisja në vend.
 
Pyetje : Sabit, thonë se je një adhurues i flaktë i Enver Hoxhës, edhe pas këtyre ndryshimeve të sistemit monist ?!
 
Sabit Veseli : Së pari, çdo shqiptar është për një ndryshim e për një demokraci të mirëfilltë që e çon Shqipërinë përpara. Sali Berisha, e shkatërroi çdo gjë që kishte ndërtuar i madhi Enver Hoxha; Ushtrinë Popullore, Ekonominë Popullore, Arsimimin Popullor, Shëndetësinë Popullore. Krejt çka është e keqe dhe e dëmshme për popullin lejohet sot në Shqipëri : droga, gjakmarrja, prostuticioni, trafikimi me femra të reja; sot, u mbushën Italia, Greqia e shtete tjera evropiane me vajza të reja shqiptare që e shesin trupin rrugëve evropiane etj. Pastaj, “Klani i Zemunit”, me Fazlliqin me kompani, është i ulur këmbëkryq midis Tiranës.
-Të gjitha këto më shtyjnë që ta adhuroj edhe më shumë personalitetin e Enver Hoxhës. Ai, ka qenë shqiptar i vërtetë që vërtetë e ka pas siguruar pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar. Vetëm injorantët politikë dhe tradhtarët nuk e duan këtë burrë shteti që e shpëtoi Shqipërinë nga pushtuesit e huaj, veçanërisht nga tradhtari dinak, Tito…
 
Pyetje : Kur ke ardhur në Zvicër, angazhimet tua patriotike dhe ç’mendon për shtetin zviceran?
 
Sabit Veseli : Në Zvicër kam ardhur më 1992, me dokumente false. Pas një viti e kam fituar strehimin politik. Pastaj, e kam vazhduar aktivitetin tim të pa ndërprerë në LPK. Organet e shtetit zviceran na kanë ndihmuar shumë, na kanë dhënë asistencë sociale dhe nuk na kanë penguar në organizimin tonë. Zvicra, ishte vendi kryesor në Evropë ku mblidheshin ndihmat për UÇK-në. Unë kam qenë si përgjegjës për mbledhjen e ndihmave nëpërmes Fondit « Vendlindja Thërret » si dhe për mobilizimin e vullnetarëve të UÇK-së. Këto aktivitete i bënim në Klubin « Përparimi » në Cyrih. Më digjej zemra flakë për t’i ndihmuar ushtarët e Komandant Adem Jasharit, dhe në këtë detyrë mbi detyrat kisha shumë shokë nga të gjitha viset shqiptare…
Edhe tani i jem mirënjohës shtetit zviceran, sidomos ndaj ministreshës së Punëve të Jashtme, e cila e para nga shtetet evropiane e njohu Pavarësinë e Kosovës.
 
Pyetje: Sabit „Rakia“ (i thashë duke qeshur), çka po na thua për në fund të kësaj bisede?
 
Sabit Veseli: Ti e din shoku Dan, se unë nuk jepi intervista, po për hatër tënd pranova të bëjë këtë bisedë.
Unë: Rrofsh sa malet o shoku e bashkëvendësi im i dashur!
Sabit Veseli: Rrofshin shokët. bashkë me familjarët e dëshmorëve!



Sabiti, ishte tërë jetën i përkushtuar, me mish e me shpirt, për çlirim e ribashkim kombëtar.
Ishte shumë i dashur me shokë. Me kundërshtarët dhe me dallkaukët ishte i gatshëm që, aty për aty të ballafaqohej me ´ta.
I urrente  pseudopatriotët e titistët e hapur e të kamufluar.
Me armikun nuk bënte kurrfarë kompromisi. Ishte, trim e i vendosur, gjithnjë i pari në sakrifica e i fundit në pretendime.
Mbrojtës i së vërtetës në çdo çast e në çdo vend.
-Kishte respekt të madh për trimat e njohur, Ahmet Delinë, Azem Bejtën , Shotë Galicën, Dan Dorocin, Shaban Polluzhën, Adem e Hamëz Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin e për gjithë dëshmorët e kombit...
Rënia heroike e Tahir Mehës në Prekazin legjendar, më 13 maj 1981 me babain, -plakun Nebiun, që kishin rezistuar 20 orë pa ikur  nga pozitat e tyre dhe duke kënduar: "O Shqipni mos thuaj mbarova, se bijtë e  tu, o ende janë të gjallë!" -i kishte dhënë Sabitit vrull luftarak të papërshkruar.
Gjatë kësaj ngjarje; ai, ishte në Burgun e Qarkut të Mitrovicës, në hetime, në një qeli me Ilmi Muzaqin dhe Idriz Gërvallën, me të cilët kalonte si me vëllezër, po ja që në çeli ia sjellin edhe një serbo-malazez, për vepra ordinere, i cili i provokon duke u thënë se si ka mundësi që të vriten policët në shtetin e vet, është fjala për policët që i kishte vrarë Tahir Meha. Sabiti, pa një pa dy, qe i gatshëm që ta sulmonte provokatorin; i thotë rreptë, që ta mbyllë gojën se ta këpus kryet si të derrit! Falë tërheqjes dhe heshtjes së serbo-malazezit nuk u bë më keq…
Sabiti , ky atdhetar i flakët, shumë i dashur e i ndershëm, militant i papërkulur, trim mbi trima, ky hero i heshtur, të kujton gjithë dëshmorët e kombit që e bënë vdekjen si me le.

E dashura familje e Sabit Veselit!
Të nderuar miq dhe të afërm të Sabit Veselit !
Për ju, birin tuaj, shokun tuaj, babën tuaj shumë të dashur, mikun tuaj, humbja e tij është një mungesë e madhe, por, edhe ne bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e tij e ndiejmë thellë në zemër humbjen e Sabitit tuaj të dashur, shokut tonë të shtrenjtë e besnik, ashtu sikur na u është hequr një pjesë e zemrave tona, ashtu siç shkëputet një meteor nga qielli!

Si ju, ashtu edhe ne - heroin tonë të heshtur do ta kujtojmë e nderojmë gjithmonë për veprën patriotike e heroike të tij!
 
Emri dhe vepra atdhetare e Sabit Veselit, për liri e ribashkim kombëtar, do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe shpirtin e mbarë popullit shqiptar!

LAVDI JETËS DHE VEPRËS TË SABIT VESELIT!
 
Ramadan PLLANA
Zvicër, 1 shtator 2010

Dëshmorët fotogaleria

Dëshmorët fotogaleria
>> Deshmoret e Kombit FOTOGALERIA IME <<

Galeria ime

Hogoshti eshte vendlindja e shqiponjave - Rroftè Shqipèria e Bashkuar


Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Rexhep Mala e Nuhi Berisha
Kenge nga atdhetari , artisti e kengetari Hysni Klinaku

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar
Kryepatriot Hero i Kombit Metush Krasniqi (Dokumentar)

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )
Monografi, pjesa e parè

Kadri Zeka

Kadri Zeka
Kadri Zeka, Hero i Kombit,

Rahim Beqiri

Rahim Beqiri
Kenge per deshmorin e kombit Rahim Beqiri

Avdi Ibrahim Xhaqku

Avdi Ibrahim Xhaqku
Recital deshmorit Avdi Xhaqku

Besnik Maroca

Besnik Maroca
Besnik Maroca, deshmor i Kombit, jeta dhe vepra, emision

Musli Imeri

Musli Imeri
Bisede e imagjinuar, recital deshmorit Musli Imeri