Showing posts with label Metush Krasniqi nga R Pllana. Show all posts
Showing posts with label Metush Krasniqi nga R Pllana. Show all posts

Friday, October 14, 2011

Metush Krasniqi, themeluesi i LNÇKVSH-së dhe frymëzuesi i UÇK-së


  


  

               
 (Përkujtim me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së atij vigani të Shqipërisë Etnike)



*"Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im" !

*"Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe"!  (Hasan Prishtina)



"Plotësisht jam i vetëdijshëm, ia kam pasur borxh popullit tim, andaj, e kam dhënë një kontribut të vogël pasi që nuk kemi arritur ta çlirojmë, këtë detyrim që e kam pasur ndaj popullit tim deri në arritjen e lirisë nuk do të pushoj së punuari në këtë drejtim, për Bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet me një emër të natyrshëm Shqipëri, as e madhe, por as e vogël"! (Metush Krasniqi)

 U mbush plot një çerek shekulli nga vdekja e heroit tonë  kombëtar, Bacë Metush Krasniqit, një vdekje e parakohshme, që ishte si pasojë e torturave mizore  prej dorës kriminale serbo-jugosllave - konkretisht vdekur nga pasojat e dhunës që ia bënë UDBA-shët shqipfolës, xhelatët, Selim Brosha dhe Zymber Zymberi, më 15 tetor të vitit 1986 në spitalin e Prishtinës.
Por, heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse emrat dhe veprat e tyre bëhen të pavdekshëm! Ata u nderuan, nderohen e do të nderohen me respekt të madh nga populli, kështu ata e fituan përjetësinë në zemrat e kombit, sepse ata u ngritën për të mos rënë kurrë. Nga ndikimi e frymëzimi i këtij ylli të Shqipërisë së natyrshme, siç e thotë edhe vetë para gjykatësve serbo-çetnikë veshur me petkun “komunist”, do të vazhdojnë përpjekjet për çlirim e ribashkim kombëtar deri te lufta e  lavdishme e heroike e UÇK-së, me Komandantin legjendar Adem Jashari, bashkë me të vëllain Hamzën dhe me familje, me luftën pa kompromis me pushtuesin, luftë që do të sakrifikojë bijtë e bijat më të mira të kombit nga të gjitha trojet tona etnike.
Metush Krasniqi, është njëri nga  heronjtë më të merituar të  popullit tonë gjatë gjysmës së dytë të  shek. XX,  i cili tërë jetën e vetë e vuri në shërbim të atdheut duke shkrirë të gjitha  aftësitë e veta mendore e fizike,  në përpjekje  të Ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Për Bacë Metush Krasniqin, jetën dhe veprimtarinë e tij, kanë shkruar e po shkruajnë dhjetëra autorë , ata që e kanë njohur drejtpërsëdrejti, po edhe ata që nuk e kanë njohur së afërmi.   
Unë, autori i këtij artikulli, pata rastin historik dhe fatin në jetë, që të bashkëpunoja me të në organizatën ilegale kombëtare LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » (LNÇKVSHJ).

Të shkruash për shokët që tërë jetën e vet ia kanë kushtuar lirisë dhe ribashkimit të atdheut – Nënës Shqipëri, jo vetëm që është një borxh kombëtar por, njëkohësisht, është edhe një përgjegjësi morale dhe historike, sidomos për ne bashkëveprimtarët e tyre, që t’i shkruajmë sa më shumë me vërtetësi ngjarjet reale në mënyrë që brezat e ardhshëm t’i kenë të gjallë në kujtesën e tyre historike, përjetësisht. Në këso rastesh, si tani; -kur shkruaj për këtë atdhetar të dorës së parë, më ndien zemra se kam një privilegj të veçantë dhe se kam, deri diku, përgjegjësi historike për të dëshmuar, sa më realisht, për jetën dhe veprimtarinë e tij.

Në këtë shkrim do të përpiqem që t’i sqaroj e ndriçoj, në disa vende edhe t’i përmirësoj e t’i plotësoj, disa të dhëna për historikun e LNÇKVSHJ-së që është shkruar deri më tani.. Lidhur me formimin e organizatës sonë kanë shkruar Shefqet Jashari, Sabri Novosella, si bashkëthemelues të Lëvizjes në fjalë, po edhe unë si bashkëveprimtar më i hershëm i saj; kanë shkruar edhe autorë të tjerë, por, pa i nënçmuar asnjë prej tyre, do ta veçoja historianen - shkencëtaren e nderuar Sabile Keçmezi-Basha, e cila shkruan veprën për Bacën Metush Krasniqi: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë”. Unë, e përgëzoj dhe e falënderoj historianen e nderuar për ndriçimin e figurës dhe të veprimtarisë patriotike të heroit tonë të dorës së parë – Bacë Metush Krasniqi – Dajkoci.

Për të sqaruar e plotësuar, edhe njëherë, themelimin e LNÇKVSHJ-së, po i referohem shkrimit tim me titull


 SIMBOL I REZISTENCËS DHE I RIBASHKIMIT KOMBËTAR,  (LNÇKVSHJ), publikuar në nëntor të vitit 2009, në gazetat elektronike, si në « Albaniapress », në « Pashtriku », në “Nënë Shqipëri”, në  “Zëripress”, në « Thërret-Kushtrimi”, në “Diplomacia.dk”, në www.hogoshti.blogspot.com e në disa ueb-faqe tjera.
Në shumë shkrime e kujtime nga veprimtarë e autorë që janë marrë me historikun dhe ndriçimin e formimit të LNÇKVSHJ-së prapë shkruhen datat të pasakta, madje edhe emërtimi i ndryshëm dhe jo i plotë i saj, pastaj edhe për themelimin e Lëvizjes sonë kemi dhënë deklarata jo të sakta edhe ne që ishim në udhëheqësinë e saj, Sabri Novosella, Shefqet Jashari dhe unë, Ramadan Pllana. Arsyeja kryesore është se kemi qenë shumë konspirativë dhe se nëqoftëse ka dokumente të shkruara për datën e saktë të themelimit të organizatës sonë, ato duhet t’i ketë fshehur iniciatori dhe themeluesi i saj, Metush Krasniqi. Për datën e themelimit nuk ka qenë i sigurt as Jusuf Gërvalla, dëshmori ynë kombëtar, ideologu dhe promotori kryesor i LNÇKVSHJ-së. Në shumë shkrime historike thuhet se në vitin 1976 Metush Krasniqi vihet në krye të Organizatës "Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi" [LNÇKVSHJ], dikush shkon edhe në vitin 1975, dikush më 1978, etj. E kam vërejtur që,  në shkrimet e disa autorëve përsëritet thënia se “Metush Krasniqi vihet në krye të LNÇKVSHJ-së”, atëherë, vetvetiu, nga ky pohim kuptohet se kjo organizatë qenka formuar edhe para vitit 1976, shkrimet e këtyre autorëve nuk bazohen në fakte, prandaj edhe lënë dilemë se, vërtetë, kur u formua kjo organizatë. Prandaj, si një nga veprimtarët e hershëm të kësaj organizate, e shoh të domosdoshme që të dëshmoj për historikun e krijimit të LNÇKVSHJ-së.

     Në bazë të hulumtimeve të mia konstatoj se themelimi dhe emërtimi «LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI» është bërë në verën e vitit 1977. Dëshmitë që vërtetojnë këtë konstatim janë deklaratat që shënohen më poshtë: Sabri Novosella, në „NJËRI NGA ATA“ (Rrëfim në veten e tretë), botuar në ”Bota sot”.  Në pushimet verore të vitit 1977, në shtëpinë e Sabri Novosellës, u mbajt Mbledhja Themeluese e LNÇK-së. Mirëpo, siç u cek më lartë, kësaj Mbledhje i kishin paraprirë konsultat e pandërprera mes Metushit, Sabriut, e Shefqetit, sidomos, ato pas dënimit me 15 vite burg të Adem Demaçit në vitin 1975. Se, ky proces gjyqësor ishte i montuar, për këtë s’kishte dilemë fare. Ndaj Metushi, Sabriu dhe Shefqeti morën vendimin dhe e themeluan Organizatën Kombëtare “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës“. Qëllimi i organizatës ishte i qartë, ashtu siç kishin qenë objektivat e organizatave në të cilat kishin vepruar edhe më parë: Çlirimi i viseve shqiptare nga Jugosllavia dhe bashkimi i këtyre viseve me Nënën Shqipëri... Më vonë, me zgjerimin e organizatës jashtë kufijve të Kosovës, u kërkua që të zgjerohet dhe emri i saj në: - Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare nën Jugosllavi [LNÇKVSHJ]... kurse, Shefqet Jashari, në ”Mësuesi i atdhedashurisë” (Metush Krasniqi, shënimi im) në ”Zëri i Kosovës” Nr. 35, 17 tetor 1996 shkruan: ”...Duke qenë i bindur se me vdekjen e Titos Jugosllavia do të shkatërrohet, vendos të konsultohet me veprimtarë dhe kështu me 1977 e formojnë Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare që në momentin e duhur populli ynë të jetë i gatshëm për ta fituar lirinë.”

Dhe, unë, Ramadan Pllana, në intervistën dhënë «Albaniapress»it, më 17 mars 2009. Siç e ceka më lartë, unë kisha kontakt me Shefqet Jasharin, i cili, nga gjysma e vitit 1977, më informoi se i kishin forcuar radhët e LNÇKVSH-së, që ishte vazhdimësi e LRBSH-së, të themeluar në vitet e gjashtëdhjeta nga Adem Demaçi me shokë, dhe, në bazë të vlerësimit të punës të grupit tonë, për të cilën ishin në dijeni, ata, ishin të pajtimit që ne të “shkriheshim”, në gjirin e Lëvizjes. Ne, si grup, në një konsultim formal, me gëzim të madh e pranuam këtë propozim, kështuqë, nga Nëntori i vitit 1977, ne, si grup u shkrimë në këtë Lëvizje Kombëtare.
Përveç fakteve të lartshënuara, unë kam edhe dëshmitë e ish-veprimtarëve të grupit tim “Shkëndijat e Kuqe” se nga fillimi i vitit 1977 ishim në kontakt të drejtpërdrejtë  me ish-anëtarin e organizatës ilegale të LBRSH-së, Shefqet Jasharin, i cili na lidhte, me ndërmjetësim, me Bacë Metush Krasniqin, dhe Sabri Novosellën, kurse Sabri Novosella ishte ndërlidhës midis nesh e Jusuf Gërvallës. Pra, dëmshoj edhe një here, se LNÇKVSHJ u themelua në verën e vitit 1977 nga Metush Krasniqi – Dajkoci.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Baca Metush kishte pushuar ndonjëherë nga lirimi i tij nga kazamatet serbo-çetnike, po as  veprimtarët e grupeve të ilegales kombëtare, që kishin synim bashkimin e trojeve të ripushtuara nga ish Jugosllavia me shtetin amë, nuk kishin pushuar së vepruari edhepse ishin dënuar nga regjimi serbo-jugosllavë, si p.sh. grupi “Komiteti Revolucionar për Bashkim të Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë” që udhëhiqej nga Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha, LBRSH-ja e udhëhequr nga Bacë Adem Demaçi, simboli i Rezistencës sonë kombëtare, ishte dëmtuar shumë me burgosjen e tij të tretë dhe shokëve të vet. Ishte i njohur edhe Grupi 68-tës që kishte organizuar demonstratat e fuqishme në Kosovë në vitin 1968, ku Ismail Dumoshi, Metush Krasniqi, Hyrije Hana etj.  ishin ndër këshilltarët e demonstruesve.
Në këtë kohë, në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar kishin lindur edhe shumë organizata të reja më të njëjtin program, për ribashkimin e Kosovës me vise tjera shqiptare me Nënën Shqipëri, njëra nga ato ishte edhe OMLK  (si vazhduese të „Grupit Revolucionar“ të Kadri Osmanit), të drejtuar nga Kadri Zeka, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Rexhep Mala etj. etj.
Në këto vite ishte krijuar një plejadë atdhetarësh revolucionarë që vepronin me devotshmëri për çlirim e bashkim kombëtar.
Metush Krasniqi, do të jetë gjithmonë shembull frymëzimi e unifikimi për të gjithë ata veprimtarë, politikanë, të djathtë a të majtë,  që donin t’i shërbenin çështjes së mirëfilltë kombëtare, gjegjësisht ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Baca Metush ishte një revolucionar i kalibrit të madh popullor, një demokrat i mirëfilltë, me një shpirt tolerance e mirëkuptimi ndaj dallimeve ideopolitike, ishte mesi i artë i të gjitha grupeve, me një përkushtim kulmor të demokracisë popullore. Ai, i kishte të gjitha virtytet e larta të një njeriu e të një atdhetari: dashurinë familjare, respektin miqësor, besën, përzemërsinë, mirësinë, mirënjohjen, tolerancën dhe mbi të gjitha e kishte edhe karakterin vetëmohues të burrërisë dhe trimërisë shqiptare, ngjashëm me atë të heroit e ideologut kombëtar të Shqipërisë Etnike - me atë të Hasan Prishtinës së madh. Atdheu, për të ishte parësor, partia dytësore.
Sot, gjithë ata që mundohen që ta vënë atë, qoftë në të djathtë, qoftë në të majtë, nuk e çmojnë e nuk i bëjnë nder atij burri të madh të çështjes sonë kombëtare. Ai, me tërë qenien fizike e mendore, i përkiste Atdheut – Nënës Shqipëri! Se,  ishte vërtetë kështu dëshmojnë lidhjet e tij me këta veprimtarë: me Gjon Sereçin e me Mark Gashin, me Sejdi Kryeziun e me Qemajl Kallabën, me Adem Demaçin e me ish-anëtarët e LRBSH-së, pastaj bashkëveprimtarë të të gjitha rrymave ideologjike e politike, me Mulla Ramë Govorin, me Rexhep Abdullahun, NDSH-ist të njohur, me Ali Boletinin e Hyrije Hanën, Sadik Tafarshikun, komunistë, luftëtarë kundër pushtimit nazifashist gjatë LDB, pastaj me Hasan Dërmakun, Ismajl e Osman Dumoshin, Ahmet Haxhiun, Jusuf e Zeqir Gërvallën, Fehmi e Rexhep Elmazin, Hetem e Rafet Bajramin, Sabri e Selatin Novosellën, Adil Pirevën, Hilmi Rakovicën, Shefqet Jasharin, Adil e Iljaz Pirevën, Afrim Loxhën, Ilmi Malokun, Rexhep Malën, Skënder e Isa Kastratin, Njazi Korçën, Kadri Zekën, Ethem e Fehmi Bajramin, Azem Beqirin, Sadri Fetiun, Isa Demajn, Zymer Nezirin, Sabit Ratkocerin, Hyda Dobrunën, Hizir Shalën, pastaj me Zenun Beqën, i cili ia mundësoi punësimin në NT »Hekurudha» në Fushë-Kosovë, si jurist, e shumë të tjerë.



Gjeneza e LNÇKVSHJ-së e ka burimin në takimin e Dajkocit, më 1974



Metush Krasniqi, ishte përpjekur, me mish e me shpirt, që energjitë atdhedashëse të të gjithë veprimtarëve, pa dallim ideje e feje, t’i shkrijë në dobi të çështjes kombëtare – për Shqipërinë Etnike.

-Për t’i konkretizuar mendimet dhe veprimet për një qëllim të përbashkët Baca Metush bënë një  mbledhje të fshehtë në shtëpinë e vet, në Dajkoc të Dardanës, më 2, 3 dhe 4 shtator të vitit 1974, bashkë me Adem Demaçin, Mulla Ramë Govorin, Hyrije Hanën, Ahmet Haxhiun, Selman Ramadanin, Fehmi Bajramin, Sylë Krasniqin, pleqnar, Hazir Krasniqin, punëtor. Në këtë takim ishin edhe Ilmi Ramadani, student, si dhe Emin e Besnik Krasniqi, nxënës. ( marrë mga libri i Selatin Novosellë “DEMAÇI METAFORË LIRIE”, INTERPRESS, Prishtinë, 2006, faqe 51-55 në artikullin e Ilmi RAMADANIT: “ADEM DEMAÇI – IDEATOR I LËVIZJES KOMBËTARE” . Për këtë takim kam shkruar, siç e ceka më lart,  në nëntor të vitit 2009, në pjesën e dytë të shkrimit tim për Bacën Metush, me nëntitull E VËRTETA PËR KRIJIMIN E « LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » (LNÇKVSHJ) . Nga këto biseda me ndjenja të larta atdhedashurie u arrit marrëveshja e pajtimit, në ide e në veprime, dhe u vendos që të vazhdohet Lufta Nacional Çlirimtare e Kosovës e Viseve të tjera në ish-Jugosllavi  vetëm me një platformë kombëtare e ideopolitike, as të majtë e as të djathtë, nga i cili takim do lind edhe ”Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës”, më 1974, dhe më vonë LNÇKVSHJ, më 1977. 



Në këtë artikull po e shfrytëzoj rastin që t’i bëjë një korrigjim mikut tim të nderuar, Ilmi Ramadanit, duke saktësuar datën e mbajtjes së takimit të lartpërmendur. Takimi është mbajtur në muajin shtator 1974 e jo siç shkruan ai, më 2,3 e 4 qershor 1974, sepse Baca Adem është liruar nga burgu i dytë më 8 qershor 1974. Këtë vërtetësi e kam marrë nga vetë Baca Adem në bisedat që kam pasur me të më 21 maj 2011 në Tribunën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës së vitit 1981, mbajtur në Heidelberg të Gjermanisë, ku pata fatin që të takohem me dy veteranët e Shqipërisë Etnike, Bacën Adem Demaçi e Bacën Zeqir Gërvalla si dhe me shumë shokë e miq tjerë. Një harresë që është bërë nga Ilmi Ramadani në këtë shkrim në mungesë të kujtesës, megjithë kontributin e tij shumë të çmuar për këtë informim historik, është se këtë takim e kishte dëshiruar kaherë poeti ynë popullor Baca Zeqir Gërvalla, veterani e njëri nga shokët e bashkëpunëtorët e parë të Bacës Adem. Baca Zeqir, kishte pasur fatin që t’i njihte patriotët e mëdhenj, në burgun e Nishit, Mulla Ramë Govorin dhe Metush Krasniqin dhe ky ishte njëri nga nismëtarët dhe protagonistët e këtij takimi historik. Për respektin që ka për këta dy atdhetarë të mëdhenj u ka kushtuar edhe poezitë: “NË BALLË E PUTHI KOSOVA” (kushtuar Mulla Ramë Govorit) dhe “NËN DEGËT PLOT QERSHI” (kushtuar Metush Krasniqit), publikuar më 29 tetor, 2010, në gazetën elektronike ”Albaniapress”.

Zeqir Gërvalla, Adem Demaqi, Ramadan Pllana,

Bedri Deliu, Sejdi Gegaj e Sheradin Berisha


 (Në Tribunën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës së vitit 1981, më 21 maj 2011, Heidelberg, Gjermani)

Për këtë takim shkruan edhe Shkëlzen Gashi në librin e tij “ADEM DEMAQI biografi”, Prishtinë, 2010, në faqën 71, ku thotë: “ Po të mos arrestoheshin Demaçi me të tjerët, ekzistonte mundësia e themelimit të një organizate ilegale prej disa të akuzuarve dhe veprimtarëve të tjerë. Këtë e mbështet fakti se më 2, 3 dhe 4 shtator 1974, Adem Demaçi bashkë me Ahmet Haxhiun, Ramë Govorin dhe Hyrije Hanën për tri ditë rresht takohen me Metush Krasniqin në shtëpinë e tij në fshatin Dajkoc të Kamenicës, ku e diskutojnë mundësinë e organizimit dhe veprimit konkret.”

Metush Krasniqi, ishte një nga frymëzuesit e UÇK-së


 Se frymëzimi dhe ndikimi ka qenë i madh, nga sakrificat dhe gjaku i derdhur për atdhe, i të gjithë dëshmorëve të kombit, te gjeneratat e reja, tregon lufta e pandërprerë e popullit tonë për liri e pavarësi. Edhe Metush Krasniqi mbetet i  paharruar, bashkë me dëshmorët tjerë të kombit të çdo brezi, dhe ndikimi i tij te luftëtarët e UÇK-së, ashtu sikur ndikimi i tre yjeve të pashuara - Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, e shumë emra të dëshmorëve të paharruar, si Fazli Grejqevci e Shaban Shala, Rexhep Elmazi e Hilmi Rakovica, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Abazi, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Ali Ajeti, Xhemajli Berisha, Fadil Vata, Ahmet Haxhiu e shumë e shumë të tjerë, emrat e të cilëve janë të shkruar me shkronja të arta në altarin e lirisë. Nga shkrimet që i kam lexuar në internet më pëlqeu shumë edhe shkrimi i prof. Sylejman Sylejmanit, me titull “ATDHETARI SYLË ZARBINCA – KURBAN I SHQIPËRISË ETNIKE!”, publikuar në “Pashtriku.org” më 12.06. 2007, ku autori flet edhe për Bacën Metush dhe ndikimin e tij te gjeneratat e reja, ja teksti: 

“Patrioti i paharruar Metush Krasniqi nuk linte vend ku i jepej rasti pa e përmend Sylë Zarbicën dhe me e idealizue deri në përkushtim , jetën,veprën dhe martirizimin e tij . Nga vepra e tij dhe e shokëve të tij, kishin marrë frymzim edhe djemtë trima si Rexhep Mala , Kadri Zeka , Nuhi Berisha e deri te ushtarët trima të UÇK-së .”

Në fund të këtij shkrimi, autori i tregon emrat e njerëzve nga të cilët i ka marrë kujtimet e tyre për luftëtarin trim të lirisë – Sylë Sarbinca, ku hasa edhe në emrin e Metush Krasniqit – Dajkoci, si dëshmitar i gjallë që flet për këtë patriot të madh.

Edhe unë kam ndëgjuar për atdhetarin e njohur Sylë Sabrinca, gati të njëjtat rrëfime, nga Jakup Sylejmani – Llashtica, kushëri nga nëna me Bacën Metush, me të cilin kam pasur rastin që të njihem në burgun e Nishit gjatë vuajtjes së dënimit... Shpresoj e besoj se prof. Sylejmani do t´na shpalosë edhe më shumë kujtime historike për Bacën Metush e për atdhetarë tjerë, e më konkretisht lidhjet e Metush Krasniqit me Sylë Sarbincën. Nga shokët e Bacës Metush që më kanë folur më së shumti për të kanë qenë Sejdë Kryeziu, të cilin e kemi quajtur “Dajë” në shenjë respekti për nipin e tij, veprimtarin e njohur Hydajet Hyseni, pastaj Bacë Shaban Syla, babai i shokut tim të burgut, Xhevdet Syla, dhe Baca Jakup Sylejmani- Llashica etj. Kurse, nga shokët e tij që ende janë gjallë, të cilëve iu uroj jetë sa malet e Shqipërisë, që më kanë folur me një respekt të lartë  për të janë edhe Baca Adem Demaçi e Baca Zeqir Gërvalla, edhe pse jam takuar shumë rrallë me ta.
FLAMURAS(DRENAS) - SELMAN BERISHA, ADIL CENA-DUGOLLI, ZEQIR GËRVALLA DHE RAMADAN PLLANA, 1991, ME RASTIN E RIVARRIMIT TË ESHTRAVA TË HEROIT TONË KOMBËTAR- FAZLI GREIQEVCIT, POETIT E  VËLLAUT TË IDEALIT KOMBËTAR TË BACËS ZEQË.



“Me çetnikët veç me pushkë se tjetër politikë nuk ka"!




 Kështu ka thënë gjithmonë Metush Krasniqi, i cili është ndër të parët që iu ka kundërvënë ripushtimit të Kosovës e viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi duke luftuar për çlirimin e popullit shqiptar dhe për ribashkimin me shtetin amë.



 Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha gjithashtu shkruan për përpjekjet e Metush Krasniqit për të formuar formacion ushtarak e për të luftur për çlirimin e Kosovës e të viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë. Më poshtë po e shënojmë këtë fakt historik:

Propozimi për formimin e Formacionit ushtarak

Fjala e Metush Krasniqit Para trupit gjykues

 Rëndësi të veçantë i kishte kushtuar para të pranishmëve formimit dhe aktivizimit të formacionit ushtarak, duke iu tregua skemën organizative dhe se si në të ardhmen ata do ta formonin dhe në momentin e duhur do të vepronte me qëllim të realizimit të qëllimeve të këtij grupi.

Metush Krasniqi vijoi: “Para këtij gjyqi deklaroj me përgjegjësi morale dhe politike se e kam themeluar organizatën politike “Partia revolucionare për Bashkimin e Tokave shqiptare me shtetin amë “
..."Referatin unë e kam shkruar, e kam bërë skicën për formacionin ushtarak-brigadën e luftëtarëve shqiptarë të Anamoravës Lindore, e kam vizatuar Shqiponjën dykrenore për t´u betuar para saj, i kam shkruar poezitë, trakte e proklamata, i kam bërë thirrje popullit tim për luftë për çlirim nacional dhe bashkimin me atdheun tonë – Shqipërinë... “
...Para gjykatësit, kishte pranuar se me ëndje kishte dëgjuar Radio-Tiranën që katërçipërisht ishte pajtuar me qëndrimet e shtetit shqiptar.
 ( Marrë nga artikulli : Sabile Keçmezi- Metush Krasniqi: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë).
Metush Krasniqi edhe si udhëheqës i organizatës së Re, LNÇKVSHJ-së, i kishte projektuar formacionet ushtarake, një ushtri çlirimtare, si paraardhëse e UÇK-së. Ai, kishte lidhje konspirative edhe me disa udhëheqës shtetëror të shtetit shqiptar, konkretisht ishte i lidhur me atdhetarin me origjinë nga Vaganica e Mitrovicës, me Ajet Haxhiun.
Në marrëveshje me te kishte filluar të bëjë skicën për formacionet ushtarake, të ndara në bazë të qarqeve apo rretheve sipas administrimit të Kosovës. Nëpërmes Shefqet Jasharit, si ndërlidhës në mes meje e Metush Krasniqit, jam informuar se mua më kanë caktuar në Shtabin e Qarkut të Mitrovicës, si zëvendës i Ajet Haxhiut, në Ushtrinë e ardhshme që do të formohej. Për qarqet tjera nuk kam qenë i informuar. Por me burgosjen e grupit tonë, prej tetë vetash, në nëntorin e vitit 1979, dhe me daljen jashtë vendit  të Jusuf Gërvallës e Sabri Novosellës, LNÇKVSHJ-ja u dëmtua shumë.
Baca Metush ishte gjithnjë i përcjellur nga sigurimi i atëhershëm i shtetit jugosllav, kështuqë,  ai u izolua shumë dhe nuk dihet aktiviteti i tij pas burgosjes sonë.

Tani, në kohet e fundit kanë filluar të dalin në shesh edhe disa të vërteta lidhur me Lëvizjen tonë, të cilat merren nga dokumentet zyrtare të shtetit amë. Kështu p.sh. Revista “Klan” jep një informacion edhe për Metush Krasniqin e Lëvizjen tonë, me titull “E vërteta e 11 Marsit 1981”,  ku shkruan:
Njëra nga  Organizatat për bashkim me Shqipërinë ose “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës”, shkruan Agim Popoci, i cili u referohet dokumenteve zyrtare të shtetit shqiptar, që për kohën ishin tepër sekrete, thotë se Prof.Bujar Hoxha  harton një raport te detajuar duke informuar Komitetin Qendror dhe Enver Hoxhën se udhëheqës ideor i kësaj Lëvizjeje ishte Metush Krasniqi që ishte burgosur, Ramadan Pllana, Abdullah Prekadini dhe Ahmet Lleshi. ( marrë nga Revista “Klan” E Martë, 23 Gusht 2011.).
Megjithëse dokumenti është shumë i shkurtër dhe jo sa duhet i sqaruar, sepse, e vërteta është se unë isha në këtë kohë i burgosur e jo Metush Krasniqi, prapëseprapë ka një realitet historik që në të ardhmen mbetët të hulumtohet më hollësisht. 

 Me Bacën Metush, për arsye të konspiracionit që kishim,  edhe pse e njihja nga viti 1970, nuk u takuam kurrë nga afër, gjatë aktivitetit tonë në kuadër të LNÇKVSHJ-së, mirëpo na lidhte veprimtaria jonë e përditshme, që të dyve na lidhnin shumë simpatizues, sidomos nga N.T. « Hekurudha », dhe nëpërmes tyre shkëmbenim mendime e këshilla, për këtë do të shkruaj një kujtim tjetër të veçantë. Ai, ka folur hapur për mua në shumë raste në ndeja me shokë e me miq të besueshëm.
Përveç kësaj çka u dëshmua më lart, në këtë shkrim, unë ruaj kujtimet më të çmuara për Bacën Metush i cili ka folur për mua, para shokëve të vet, me një konsideratë të veçantë. Mund të them, me një ndjenjë shpirtërore, se ai më nderoi edhe pas vdekjes, sepse kur shkova në familjen e tij për ngushëllime, bashkë me familjen e Shafqet Jasharit, kur Baca Qerim, babai i Shefqetit, u tregoi se kush isha, ata të gjithë u çuan dhe më ngushëlluan edhe mua duke më konsideruar si njërin nga shokët më të ngushtë të Bacit Metush.
Unë, duke menduar se nga konspiracioni që kemi pasur, nuk u ka folur për mua, por jo, ai kishte folur hapur edhe për mua qysh kur kemi rënë në burg në nëntorin e vitit 1979.
Nga ky respekt që më kishte bërë Baca më i dashur në jetën time, shpesh mendohem e duke pëshpëritur them: Baca Metush më respektoi edhe pas jetës së përtej varrit.
Kam shkuar në pesëvjetorin e vdekjes e përkujtimit të tij, në Dajkoc më 15. tetor 1991, nën dardhën e Jahisë duke hedhur një grusht dhe dy pika lot mbi varrin e tij.


LAVDI E PËRJETSHME BACËS METUSH KRASNIQI – HEROIT TONË KOMBËTAR!








Dëshmorët fotogaleria

Dëshmorët fotogaleria
>> Deshmoret e Kombit FOTOGALERIA IME <<

Galeria ime

Hogoshti eshte vendlindja e shqiponjave - Rroftè Shqipèria e Bashkuar


Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Rexhep Mala e Nuhi Berisha
Kenge nga atdhetari , artisti e kengetari Hysni Klinaku

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar
Kryepatriot Hero i Kombit Metush Krasniqi (Dokumentar)

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )
Monografi, pjesa e parè

Kadri Zeka

Kadri Zeka
Kadri Zeka, Hero i Kombit,

Rahim Beqiri

Rahim Beqiri
Kenge per deshmorin e kombit Rahim Beqiri

Avdi Ibrahim Xhaqku

Avdi Ibrahim Xhaqku
Recital deshmorit Avdi Xhaqku

Besnik Maroca

Besnik Maroca
Besnik Maroca, deshmor i Kombit, jeta dhe vepra, emision

Musli Imeri

Musli Imeri
Bisede e imagjinuar, recital deshmorit Musli Imeri