Në Zhegër u përurua shkolla që mban emrin e heroit
Agim Ramadani
Në ditën e tretë të manifestimit tradicional kulturor "Ditët e Agimit",
banorët e Zhegrës së Gjilanit kanë shënuar tri festa të mëdha: Ditën e
shkollës, ditëlindjen e heroit Agim Ramadani dhe përurimin e objektit të
ri të shkollës, e cila mban emrin e heroit.
Agim Ramadani
Për të shënuar këtë ditë të veçantë, nxënësit e shkollës fillore, kishin
përgatitur edhe një program të pasur artistik me recitime, këngë e
valle.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, theksoi rëndësinë që
kishte dikur kjo shkollë për lirinë e Kosovës dhe rëndësinë që ka tani
për shtetndërtimin e saj. "Me angazhim, unitet dhe punë të mira, më së
miri i nderojmë dëshmorët", tha ai.
Ndërtimi i objektit të shkollës fillore në Zhegër, që mban emrin Agim
Ramadani, është investim i MASHT-it dhe ndërtimi i saj ka kushtuar rreth
1 milion e 125 mijë euro. Objekti përmban këto hapësira: 17 dhoma
mësimi, 2 dhoma për parashkollorë, 1 kabinet të muzikës, 3 laboratorë,
bibliotekën, 3 zyra administrate dhe sallën e arsimtarëve. Puna në këtë
objekt të ri pritet të fillojë më 1 shtator të këtij viti, pra me
fillimin e vitit të ri shkollor.