Fehmi Sinella, përballë me vdekjen për gjuhën e bukur shqipe!
Intervistë me mësuesin patriot Z. Fehmi Sinella
Egzistencën e tij në shekuj, populli
shqiptar, si ndër më të vjetërit në Evropë, ja dedikon luftrave për liri
dhe përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha për të mesuar gjuhën e tij, si
gjuhë e bukur, e ëmbël dhe me vlerë.
Poeti i famshëm Naim Frashëri, tek
poezia e njohur “Lulet e Verës” e krahason gjuhën shqipe me gjuhën e
bilbilave. Ndërsa, poeti Ndre Mjeda, egzistencën shqiptare ia dedikon
luftës shekullore të popullit, me armë në dorë. I madhi Çajupi e
mbështet këtë egzistencë me betimin “ja të vdesim, ja të rrojmë për
liri!”
Intervistë me mësuesin patriot z. Fehmi Sinella, për kontributin e dhënë në drejtim të përhapjes së arsimit shqip në Kosovë.
Bisedoi: Prof. Neki Babamusta në Kavajë me 6 Dhjetor 1996
Në Kosovë shkuan vullnetarisht për të
përhapur gjuhën shqipe 200 mësues nga Shqipëria, dhe bashkë me to edhe
15 arsimtarë nga Kavaja, ndërmjet të cilëve: Mustafa Krantja (artist i
popullit), Vangjel Daka, Ali Veizi, Zef Çurija, Sali Elhyka, etj. Këtoa
mësues punuan me sakrifica të panumërta, të ndjekur nga autoritetet dhe
U.D.B.-ja Jugosllave, për qëllime shoveniste.
Mësuesi Sali Elhyka, nga torturat e
shumta, pësoi përjetë trauma psiqike, duke humbur vetëdijen, i lënë në
harresë nga diktatura komuniste.
Prememoria autobiografike plakur e përflakur – djersë e gjaku
Rrëfim nga Z. Fehmi Sinella
Z. Fehmi Sinella ka lindur në Kavajë me
16 Prill 1923, prej një familje patriotike dhe arsimdashëse. Qysh në
fëmijëri, në shtëpinë e tij, që nga viti 1914, familja Sinella kishte 3
arsimtarë të gjuhës shqipe, ku Fehmiu fitoi dashurinë për Nënën
Shqipëri, por edhe për Kosovën. Kjo dashuri u përforcua edhe më shumë në
shkollën plotore fillore, ku drejtori i shkollës, nga Kosova, shpesh
here i fliste me pasion për Kosovën, për vuajtjen dhe robërinë serbe.
“Kur qante ai, qanim dhe ne, duke ushqyer shpirtin tone me urrejtjen
ndaj okupatorit të egër sllav serb”, – shprehet Fehmiu. Këto ndjenja iu
shtuan edhe më tepër në kohën e rinisë, në shkollën e mesme, prej
mësuesve të tij të nderuar si Ahmet Gashi. Njëkohësisht informohej nga
gazetat dhe revistat e asaj kohe që shkruanin për vuajtjet dhe tortuar
monstruoze të pushtuesit serb ndaj vëllezërve kosovarë.
“Kësaj Kosove martire legjendare, unë
biri i Shqipërisë dhe i Kosovës i fala asaj dashurinë dhe rininë time,
me gjithë shpirt e zemër. Nga viti 1945-1950 shkoj bashkë me shokët e
mi, me një mision të lartë, si mësues vullnetar, për forcimin e zgjimit
kombëtar dhe hapjen e shkollave shqipe, të vendosur për të dhënë edhe
jetën.”
Ai vazhdon: Pas shumë pengesash e
vonesash nga disa njerëz të Ministrisë së Arsimit të regjimit të
atëhershëm totalitar, dhe Ambasadës Jugosllave në Tiranë, me datë
17.12.1945 u nisëm nga Tirana me një kamion të vjetër. U nisëm jo nga
Kukësi që ishte më shkurt, por ndjekim itenerarin
Tiranë-Elbasan-Strugë-Ohër-Manastir. Pastaj me tren shkuam në Shkup,
rrugë që e bëmë për një natë, në vend të dy orëve. Udhëtimi u bë me një
tren, pa xhama, mes të një ftohti të madh, sepse nuk ishim edhe mirë të
veshur.
Pas shumë peripecishë gjatë rrugës, të
lodhur, të rraskapitur, më në fund arritëm në Kosovë, në Prizren, por
jashtëzakonisht të lumtur që arritëm në tokën e shenjtë shqiptare.
Në zyrën e arsimit më pyetën, se ku
kisha qejf të punoja? Përgjigja ime ishte e prerë: Në Kosovë, atje ku të
jetë më shumë e nevojshme. Kështu më caktojnë të hap shkollën në
Ogosht (HOGOSHT), të Gjilanit (sot Kamenica), fshat i madh komunë, autoktonë
shqiptare me malor i Kosovës. Punoja para dite me 3 klasa kolektive,
ndërsa pasdite drejtoja një kurs analfabetik me të rinjtë. Ndërsa natën
shpeshherë kontrolloja kurset analfabetike në fshatrat e juridiksionit
të Ogoshit (Hogoshtit) si, Kapernica, Darxhnica, etj.
Shkolla, kuptohet ishte e vjetër dhe
vetëm me muret. Çdo gjë mungonte. Mezi arrita natyrisht me ndihmën e
madhe të popullit shqiptar që shkolla të funksiononte. Qe kënaqësi e
madhe që arrita të ul në bankat e shkollës, në klasën e parë edhe
Rukijen e vogël 8-vjeçare.
Puna ime vlerësohej shumë nga kosovarët, por shtohej gjithnjë edhe më shumë dyshimi edhe
urrejtja ndaj meje nga serbët rreth e
qark Hogoshtit. Ata bënë çmos që të më ndalonin punën dhe përkpjekjet e
mija, plot vullnet. Më akuzuan dhe paditën në organet kompetente serbe:
se bëja propagandë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si në shkollë
me nxënësit, edhe në popull; se kisha lidhje me të arratisur shqiptarë
që ishin në male aty afër; se këndoja bashkë me nxënësit hymnin kombëtar
në oborrin e shkollës çdo ditë para fillimit të mësimit; se nuk
kontaktoja asnjëherë me mësues serb rreth e qark Ogoshtit; se rrija
shpesh me myftiun e Gjilanit, Haki Efendiun, që ishte një intelektual
dhe patriot i madh; se shkruaja çdo gjë që ndodhte në fshat në gazetën
“Rilindja”, në gazetën e Pionierit dhe se rrija e bisedoja gjithnjë me
popullin, etj.
Prandaj më thirrën disa herë në fillim,
në Seksionin e Arsimit, që ishte vetëm me serb. Ata më bënë lloj-lloj
kërcënimesh, se unë isha në Jugosllavi dhe jo në Shqipërinë e Madhe, se
nuk duhet të shkoja në shtëpitë e popullit, unë mësuesi i popullit tim!
Bile disa herë, më dërgonin në gjuhën sebe shkresa të veçanta për të më
friksuar. Këto kërcënime s’më ndalën asnjëherë, përkundrazi ma shtuan
edhe më shumë dashurinë për Kosovën dhe urrejtjen ndaj serbomëdhenjve.
Por ajo që i tërboi më shumë serbët,
ishte ngjarja e 1 Majit 1946, kur unë bashkë me popullin dhe me
nxënësit, të prirë nga flamuri kombëtar, që mbahej në krye të kollonës,
nga nxënësja Rukije, për të festuar 1 Majin në rrethin e ri të
Kamenicës. Një udhëheqës nga rinia serbe më del përpara dhe kërkon të
flasi me mua, duke më thënë në gjuhën e vet, se nuk duhet të mbahej
flamuri kombëtar shqiptar, sepse ishim në Jugosllavi. Flamuri jo vetëm
që nuk u ul, por valviti krenar gjatë gjithë ceremonisë. Kërcënimet
vazhdonin. I këshilluar nga disa patriotë vendas, u detyrova të largohem
nga Ogoshti i dashur.
Pasi kreva kursin e gjatë pedagogjik në
Prizren gjatë verës, më caktojnë mësues në fshatin autokton shqiptar
Zymi, në rrethin e Prizrenit, një fshat edhe ky shumë malor e me një
terren të thyer, i veshur vetëm vetëm me gur e pllaka guri. Zymi ishte
qendër komuneje, i rrethuar me fshatra të gjitha autokton shqiptare, si
Krajku, Gjonaj, Karashingjergji, Ramoja, etj. Edhe këtu punova shumë e
me dëshirë të madhe, sepse ndihmohesha shumë edhe nga Patër Leka, që
ishte intelektual dhe patriot shqiptar, dhe drejtonte kishën. Përveç
punës në shkollë gjatë ditës më nxënësit dhe mbasditeve me një grup të
rinsh analfabetë në shkollë, gjithashtu kontrolloja edhe kurset
analfabetike në të gjithë juridiksionin, edhe pse terreni ishte shumë i
thyer dhe i vështirë. Përveç punës mësimore edukative, bëja çdo të dielë
shfaqje nga nxënësit me programe artistike kulturore, me karakter
kombëtar, të cilat i krijoja vetë.
Vazhdoja të isha korrespondent i
“Rilindjes” dhe “Gazetës së Rinisë”. Populli më donte dhe më nderonte
shumë. Po ashtu edhe unë i doja shumë. Puna shkonte shumë mirë, se kisha
edhe një shkollë të bukur dhe të re. Por edhe këtu filluan “hallet”.
Një folës shqip, i gënjyer me … në fytyrë, i quajtur Nuri, që ishte
komandanti i policisë së komunës, më gjurmonte dhe ndiqte, duke dashur
të më ndalonte nga puna ime fisnike. Ajo fytyrë e ndyrë bëri ç’ishte e
mundur në mbledhjen e komunës, duke më akuzuar, se isha një shkatërrues
“i bashkim-vllaznimit”, se flisja në popull mbarë e prapë në dëm të
Jugosllavisë, se doja bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, se kisha lidhje
me një të arratisur nga Vlora, Perlat Gjolekaj, se respektoja si gjithë
ajo zonë Atë Shtjefën Gjecovin, që kishte qenë mësues në këtë zonë,
duke vendosur sa herë që kaloja andej gur në vendin ku e kishin vrarë,
për këndimin e himnit tonë kombëtar, etj. Sulmet e tij tinzare ishin
mjaft të ashpra. Ai përpiqej që jo vetëm të më ndalonte nga veprimet e
mija të vazhdueshme, por edhe të burgoste ose të më zhdukte fizikisht.
Unë shpëtova vetëm falë vendosmërisë së malësorëve, trima shqiptarë, që
ishin gati të jepin edhe jetën për mua, pa harruar kurrë Kolë Pjetrin,
Selim Ibrahimin, Isuf Çollakun, etj, por edhe Njazi Malokun që ishte
shef i policisë së Prizrenit.
Harrova pa përmendur këtë rast edhe një
akuzë tjetër të Nuriut. Ai më akuzonte se mblidhja fëmijë shqiptar rreth
ndërtesës së Lidhjes së Prizrenit, dhe bëja pastrimin me ta të
ndyrsirave që kishin bërë fëmijët serb, brenda në sallë, të shtyrë nga
prindërit e tyre.
Unë isha krenar që punoja në atë vend,
ku kishte punuar edhe Atë Shtjefn, dhe kisha shumë rezultate të mira.
Inspktori i arsimit, Tajar Hatibi e ngriti shumë suksesin tim me eprorët
e vet shqiptarë në Prizren, prandaj unë gëzoja një dashuri edhe respekt
qoftë nga populli, qoftë edhe nga ata pak eprorë shqiptarë që ishin,
por duhet medoemos që të largohem edhe nga Zymi i egër, por shumë i
dashur edhe mikpritës, edhe pse sundonte skamja e madhe.
Ngarkohem dhe hap për herë të parë
gjimnazin shqip në Ceralluke të Rahovecit (sot Malishevë), duke mbledhur
nxënës nga shumë fshatra të largëta si Kieva, Banja, Orllati, Drenovci,
etj. Edhe Ceralluka ishte një fshat shumë malor me ujë të ftohtë.
Shkolla ishte në mes të një pllaje, ku mblidheshin erërat e asaj treve.
Edhe këtu punova me qejf, edhe pse me shumë vështirësi natyrore të
mëdha. Kam ndëgjuar se të gjithë nxënësit e asaj shkolle kanë dalë në
kuadër të larta, sepse ishin shumë arsimdashës.
Përveç punës së përditshme në shkollë,
vazhdoja të kontrolloja dhe të organizaoja kurset analfabetike në
fshatrat më të largëta të Cerallukës. Ndërsa të dielave, me vullnetin e
vet, vinin shumë nxënës dhe bisedonin çështje hitorike, por më shumë për
krijime letrare me nxënës të talentuar.
Edhe këtu akuzat nuk ishin të pakta,
sidomos rreth himnit të flamurit dhe problemit kombëtar, ashtu si në
Ogosht dhe në Zym. Por edhe këtu pata ndihmën e popullit shqiptar
patriot si Mulla Rexhep Terpezën, etj. Përveç akuzave të tjera, këtu
pata një zënkë serioze me një inspektor arsimi, i cili kur pa portretin e
Skënderbeut në dhomën time në Shkollë, e bën atë rrebel, etj. Por ai
mori atë që meritoi duke e ngritur heroin tonë kombëtar në vendin që i
takonte. Bile aid he seksioni i arsimit të Rahovecit (kuptohet serbit)
më akuzuan ndër të tjera se ishim antipedagogjik, që punoja edhe të
dielave, pra se punoja shumë. Por ajo që i vriste më shumë ishte se unë
pothuajse nuk flisja me asnjë serb ose malazes edhe pse në fshatin
Drenovë e Kievë kishte të tillë.
Pas mbarimit të vitit shkollor 1947-48,
gjatë verës mora maturën e Normales së Gjakovës. Pastaj më caktojnë
inspektor arsimi në rrethin e Rahovecit, por mbasi unë merresha më shumë
tashti me korrespondenca në “Rilindja” dhe gazeta të tjera shqiptare,
por më shumë me atë të Pionierit. Më caktojnë si përgjegjës i gazetës së
Pionierit në Prishtinë, që dilte një herë në muaj, që drejtohej vetëm
nga unë, në kondita shumë të vështira në të gjitha drejtimet. Edhe këtu
filluan persekutimet nga më të ndryshmet. Më thërrisnin në zyrat e
U.D.B.-së dhe më kërcënonin, se gazeta s’kishte asnjë fjalë për
Jugosllavinë, për Titon, se kishte vetëm karakter shoqëror, edukativ,
etj.
Këtu në Prishtinë u njoha edhe
bashkëpunova ngushtë me Xheladin Hanën, Esat Mekulin, Zeqirja Rexhën,
Kasem Domin, etj, të cilët ishin ndër të tjera edhe patriotë edhe njerëz
të mirë. Këtu bashkëpunova edhe me revistën Jeta e Re, duke shkruar
edhe vetë tregime të karakterit kombëtar e arsimor. Mirëpo puna ime,
shoqëria me këta njerëz ra në sy të keq. Mbas sa e sa kërcënimesh, më
pushojnë nga puna edhe pse ndihmoja familjen e Xheladin Hanës, mbas
vrasjes së tij nga Çedo Topallovici, që ishte drejtori i U.D.B.-së për
Kosovën dhe që ishte një antishqiptar i tërbuar.
Pas një kohe pa punë, si për dënim, më
caktojnë mësues i gjuhës shqipe në shkollën e përzier 8-vjeçare të
Vuciternës. Edhe këtu çdo ditë duhet të paraqitesha në U.D.B. për të
vërtetuar moslëvizjen time. Për arsye shëndetësore, në fillim të verës
të vitit 1950 shkoj në llixhën e Mitrovicës. Pas dy ditësh, më
arrestojnë në llixhë, më lidhin fort me zinxhira dhe më dërguan drejt në
birucat e Vuciternës. Pas kësaj në çojnë në Prishtinë, në birucat e
U.D.B.-së qëndrore, pikërisht përballë Cedo Topallovicit, ku provova
torturat nga më çnjerëzore të pabesueshme. Por unë i takoja Shqipërisë
edhe Kosovës, prandaj qëndrova si burrat e tjerë shqiptarë. Më mbajtën
gjatë si qen bashkë me dy oficera të tjerë. Nuk lanë gjë pa bërë e pa
thënë dhe nuk dija tjetër se natën vonë u gjenda në burgun e Prizrenit,
rrethuar nga të burgosur të tjerë shqiptarë, të cilën ç’është e mundur
që të më përmendnin, pasi isha bërë qull me gjak e ujë. Mezi kam
arritur të flas e të tregoj…Por unë s’pushova kurrë të akuzoj e të
protestoj…
Pas shumë peripecish, pas tre muajsh e
ca, u krijuan kushtet nga Ambasada Shqiptare në Beograd dhe të lidhur me
zinxhira e hekura, serbët më përzunë nga Kosova martire, kundër
dëshirës së kosovarëve, që donin të na mbanin në gjirin e vet e të
vazhdonim të punonim se kishin nevojë për ne mësuesit. Sa më prunë në
kufi, në Kukës nuk patëm asnjë trajtim njerëzor. Jo vetëm kaq, por na
shikonin me dyshim edhe si armiq, sikur të kishim bërë gabim që kishim
qenë në Kosovë. Ne çuditeshim shumë, por nuk flisnim. Mbas një muaj e ca
me ndërhyrje, më caktuan si mësues në fshatin Barbullinjë e Fiershegan
të Lushnjes, pastaj në fshatrat e Kavajës, në prag të pencionit në
Kavajë.
Vëllezërit kosovar që më njohën në
Kavajë, kur u ktheva nga Kosova më thërrisnin me dashuri e respekt:
“mësuesi i Ogoshtit”, “mësuesi i Zymit”, “mësuesi i Cerallukës”,
“mësuesi i Kosovës”. Oh, sa gëzohesha! Sa të lumtur e ndjeja veten!
Ndërsa e kundërta ndodhte me syleshë të regjimit të atëhershëm
totalitar, të cilët më shikonin shtrembër e me dyshim. Asnjë mirënjohje,
asnjë fjalë të mirë për kontributin dhe sakrificat e shumta në Kosovë,
edhe pse punova po me pasion edhe 30 vite të tjera në arsim në Shqipëri.
Kjo ndodhte sepse unë kudo në shkolla me nxënës e mësues, dhe në popull
kujtoja me alarm padrejtësitë dhe masakrat çnjerëzore të barbarëve serb
ndaj vëllezërve tanë kosovarë.
Vetëm këto kohët e fundit, në ditë e
lumtra të Demokracisë, unë fillova të dal në pah. Në fillim me 18.7.1995
gazeta “Rilindja” në një artikull të gjatë evidentoi aktivitetin
kombëtar e arsimor në Kosovë, në të gjitha aspektet. Edhe televizioni
shqiptar në emisionin “Bota Shqiptare, Kujtesë”, pasqyroi dhe vlerësoi
punën time dy herë: me date 21.7.1995 dhe me datë 11.9.1995 natyrisht
duke vënë theksin në sakrificat e mija dhe dashurinë e madhe për Kosovën
kreshnike dhe popullin e saj hero.
Po ashtu kam marrë vesh se në librin e
porsabotuar në Kosovë me titull “Emra që nuk harrohen” nga Tahir
Berisha, përmendet edhe emri im. Me datë 6.11.1996, po në televizionin
shqiptar u pasqyra një intervistë në mes të shkrimtarit Odhise Grillo
dhe shkrimtarit kosovar Rexhep Hoxha. Ky i fundit, ndër të tjera, pas
pyetjeve që iu bënë, u shpreh: “letërsia shqipe për fëmijë në Kosovë nuk
ka egzistuar deri në vitin 1945. Në këtë vit ajo u krijua nga Mark
Krasniqi, prof. Anton Çeta, dhe Fehmi Sinella.”
Nuk se si të mos shpreh thellësisht nga
shpirti mirënjohje demokracisë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë,
popullit vëlla heroik të Kosovës, ish nxënësve të mi, si dhe ish
nxënësve të nxënësve të mi, sot: mësues, profesorë, doktorë, gazetarë,
poetë, shkrimtarë, etj. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një gjysëm
shekulli, më kanë kujtuar dhe kujtojnë vazhdimisht edhe në shtëpi me
nostalgji.
Ndonëse i lodhur, në moshën 74 – vjeçare
e ndjej vazhdimisht, se i takoj veçanërisht Kosovës së zemrës sime, i
rilindur, i rinuar dhe shumë e shumë i lumtur, i bindur se çdo shqiptar
që don Kosovën, don Shqipërinë. Ndryshe nuk është Shqiptar!
Pres me padurim, i sigurtë se Kosova
heroike është si një diell i shkëlqyer që ne shqiptarët na rrëmben të
bashkuar, si yjet ndriçues në qiellin e kaltër, duke merituar nderim,
dashurinë dhe çdo lloj sacrifice për lirinë e vërtetë të Kosovës,
përflakur djersa e gjaku…
-----------------
ps. Hogoshtasit i jane mirenjohes z.Sinella, kolektivi i shkolles se fshatit i ka bere atij nje vizite ne Kavajë
Fitore Kastrati dhe mesuesi F.Sinella |
Nazim Agaj e Fehmi Sinella |