Monday, June 11, 2012

KADRI KOKOLLARI NJË DËSHMOR E SIMBOL I QËNDRESËS


Më 3 korrik mbushën 9 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të orëve të para të ZO të Pashtrikut, simbolit të qëndresës të kësaj ane, Kadri Kokollarit Por, heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse emrat e tyre bëhen të pavdekshëm, e nderohen me respekt të madh nga populli, kështu ata fitojnë përjetësinë në zemrat e kombit, ata u ngritën për të mos rënë kurrë. Një feniks i lirisë kombëtare, i cili e tregoi trimërinë e vet me shembullin si një meteor prej luftëtari të paepur, është edhe Kadriu Kokollari. Ka lindur më 19 gusht të vitit 1965 në Budakovë të Therandës nga një familje me tradita patriotike.

Trekëndëshi gjeografik Budakovë- Caralevë-Jezercë është një zonë maloro-kodrinore me një pozitë strategjike në të cilën u trashëgua bujaria, besa , trimëria e tradita shqiptare me shekuj.
Në këtë trevë u bënë kryengritjet shqiptare më të përgjakshme në kohën e Lidhjes shqiptare të Prizrenit më 1878-81, në vitet 1908-1912, rezistenca kundër okupatorit serb, më 1912 dhe 1944-45, etj. Jehona e trimave, si e Mic Sokolit, Isa Boletinit, Bajram Currit etj, Hysen Budakovës, do t’i frymëzojë brezat atdhetarë në vazhdimësi të kësaj ane.
Familja e Sadri Kokollarit, babait të dëshmorit, ishte frymëzuar, edukuar, kalitur e rritur nga shkollat popullore –odat shqiptare ; familje me traditë e me besë shqiptare ku do ta gjenin gjithmonë strehimin atdhetarët e njohur që luftuan kundër robërisë, si Ibrahim Lutfiu, Zenun Kepa, pas ripushtimit serb më 1944-45, e shumë të tjerë. Edhe gjatë Epopesë së lavdishme të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës te kjo familje, luftëtarët e lirisë të ZO të Pashtrikut, si komandant Tahir Sinani, zëvendëkomandant Sadik Halitjaha, luftëtarët Xhemajl Rexha, Aqif Kadriu etj., do ta kenë folenë më të sigurt. Budakova ishte një Olmp i trimave të UÇK-së. 


(1965-1998)


Këtu, në fshatin e lindjës, Kadriu do të ketë fatin të njihet me shumë veprimtarë të çështjës kombëtare – me atdhetarë të paepur të anës së Therandës. Shyqeriu, vëllai i tij më i madh do të inkuadrohej, qysh kur ishte i ri në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Kështu që Kadriu me vëllain e vogël Shabanin, tani i ndjerë, do të fillonin aktivitetin patriotik si filiza. Vëllezërit Kokollari, në veprimtarinë e tyre, do të ndikohen edhe nga veteranët e arsimit e të çështjes kombëtare, nga Haxhi Zyba e Shefki Muçaj, arsimtarët pishtarë, qysh në bankat e shkollës fillore. Në rrugëtimin e tyre do ta njohin edhe një nga militantët më të devotshëm të LPK-së, dëshmorin Fadil Vata, nga i cili do të fitojnë një përvojë të madhe gjatë aktivitetit të tyre ilegal. Do të bashkëpunojnë edhe me Halil Krasniqin, Nexhmedin Elshanin etj.
Mirëpo, disi këtë traditë bujarie e trimërie e kishte zbehur bukur shumë politika pacifiste e nënshtrimit në fillim të viteve të ’90-ta. Pas ca viteve të gjata të durimit, nëpërkëmbjes së dinjitetit moral e kombëtar, burgosjeve, maltretimeve, sharjeve, bastisjeve, shpërnguljeve, poshtrimeve e vrasjeve që bëheshin nga ana e pushtuesit serb, djemtë e vajzat më të mira të popullit shqiptar i thanë ndal kësaj letargjie pacifiste: lindi Ushtria çlirimtare e Kosovës, UÇK-ja, e cila rizgjoi krenarinë e dinjitetin popullit me krismat e pushkëve, me Komandantin legjendar Adem Jashari në kryetë saj. Pushka e tyre do ta largojë pushtuesin shekullor nga trojet arbërore.

Lufta e UÇK-së që kishte filluar në Drenicë e Dukagjin nuk i linte të qetë atdhetarët e vërtetë kudo që gjendeshin. Kushtrimit të Prekazit heroik do t’i përgjigjeshin vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata.
Kadri Kokollari do të jetë një ndër të parët që nuk mund të rrinte e bënte sehir pas krismave të pushkëve të Kullës së bacë Shaban Jasharit me djemtë kreshnikë, Ademin e Hamzën, me mikun e vatrës Osman Gecin dhe me tërë familjen e vet, dhe pikërisht më 5 mars, kur luftohej në Prekaz, do t’i telefononte Shyqeriut, vëllait të vet, që gjendej në Zvicër. Ja biseda , të cilën e ruan me krenari vëllai i tij, një nga shokët e vëllezërit më të ngushtë të idealit kombëtar që i kam në mërgatë:

BISEDA ME KADRIUN PËRMES TELEFONIT (5 mars 1998)

Kadriu:... kallxom a është kah punohet edhe këtu në Suharekë, ndonjë send, për formimin e UÇK-ës?
Përgjigjja: Nuk di kurrgja!
Kadriu: Po, po ti e din; por kallxom, se përndryshe nesër herët në mëngjes, veç prit kur të lajmrohem nga Drenica. Por këtë herë pata dëshirë që krejt Kosova të çohet në luftë si Drenica, prandaj të pyes edhe për rrethet tjera se a është kah punohet në këtë drejtim…
Përgjigjja: Mirë, atëherë ndëgjo! Shko te shtëpia e Shefki Muçës në Suharekë. Kërkoje vet Shefkiun, dhe aty mundë të informohesh për të gjitha…! Ma tepër nuk mund ta zgjasim në telefon, për këto punë…
Kadriu: E ty vëlla të faleminderit shumë për këto… se këto edhe unë desha… Prandaj, vëlla mirëupafshim në LIRI; se kështu ma s'durohet, përshëndete tërë familjen, e ditën e mirë…!
Pergjigjja: Ditën e mirë dhe Ju lumtë pushka!
Kadriu: Rroftë USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS!
Përgjigjja: Rroftë!


***
Me këtë edukatë e vetëdije kombëtare Kadriu, nëpërmes Shefki Muçajt, do të ndërlidhet me Sadik Halitjahën, i cili kishte ardhur nga Zvicra, dhe do ta merr kallashin me një revole për detyrë të mbrojtjes së atdheut në pikën e Dardhishtës, ZO e Pashtrikut.
Tani, prapë si gjithmonë, familja e Sadri Kokollarit do të bëhej një fole luftëtarësh dhe do të luftonte me krenari e trimëri të rrallë. Rreshtave të UÇK-së së lavdishme do t’i shtoheshin edhe vetë patrioti i moshuar duke ndjekur shembullin e bacë Shaban Jasharit si dhe vajza e tij Xhylferija, më tepër e njohur si Shota. Shotë me meritë, sepse u tregua në luftë si Shotë Galica, Xhevë Lladrovci e si shoqet tjera me pushkë në dorë kundër kriminelëve serbo-çetnikë. Shota do ta trashëgojë me krenari revolen e vëllait dëshmor, si kujtim qëndrese e heroizmi të luftëtarit të orëve të para të ZO të Pashtrikut. Pra një familje e tërë në shërbim të atdheut! Kjo familje u bë shembull frymëzimi që mbushte, radhët e UÇK-ës, u bë udhërrëfyese e luftëtarëve, ku ngritej morali i qëndresës dhe gatishmëria për sakrificë, për çlirim e liri kombëtare
. Kadriu fliste pak, si komandant Adem Jashari, po në luftë ishte i lëvizshëm e i shkathtë si një luan; kjo dhunti natyrore e tij, ky shembull i trimërisë e sakrificës do të frymëzonte e mobilizonte shumë të rinj në këtë zonë.
Në betejën e zhvilluar në mes të Kadriut, bashkë me tre shokë, në pozicionin e njësitit të tij në Dardhishtë më 3 korrik të vitit 1998 Kadriu u kishte rezistuar hordhive kriminale me një heroizëm të paparë. Trimëria prej kreshniku ia kishte futur frikën në palcë barbarëve e mercenarëve serbë. Policisë serbe u kishte ardhur në ndihmë edhe ushtria me tanke, autoblinda e automjete të tjera që qëllonin me mortaja e mitraloza fshatin Dardhishtë e Poshtme. Ata kishin djegur 3 shtëpi dhe dëmtuar mbi 24 shtëpi tjera të fshatit. Po trimi i Budakovës,  
Kadri Kokollari, kishte vendosur për të luftuar deri në fishekun e fundit. Ushtrisë e policisë serbe u kishte hyrë frika në palcë. Ata i thirrën në ndihmë edhe banorët serbë të fshatrave Muhlan e Reçan. Lufta kishte filluar afërsisht nga ora 18:3o minuta dhe kishte përfunduar deri kah ora 20:30 minuta. Po trimit tonë kishin filluar t’i harxhoheshin municionet dhe papritmas bie heroikisht në fushën e betejës; po e kishte paguar gjakun duke lënë disa të vrarë në taborin serb. Pas vrasjes së Kadriut forcat serbe tërhiqen, duke e marrë një leksion të mirë nga djelmoshat trima të UÇK-së.
Lajmin e vrasjes së Kadriut e kishin pritur me dhembje të madhe, si familja ashtu edhe shokët e miqtë, po gjithashtu edhe me një krenari e mburrje kombëtare.
Ai e kishte bërë vdekjen si me le. Pas vdekjes së tij radhët të UÇK-së do t’i shtohen ditë e për ditë. Edhe altarit të lirisë në Varrezat e Dëshmorëve në Therandë, emrit të Kadri Kokollarit, do t’i thurrën edhe 88 feniksë të lirisë.
Sadri Kokollari, babai i dëshmorit, një burrë bujar e me traditë kombëtare ndihet krenar për të birin që ia dha lirisë. Po, baca Sadri ndien krenari, edhe dhembje njëkohësisht, edhe për shokët dëshmorë të Kadriut dhe pret e u bënë vizita familjeve të dëshmorëve anembanë Kosovës. Ai, është krenar që ka djalin e madh, Shyqeriun, i cili nuk ka kursyer kurrë për ndihmë luftës nëpërmes FONDIT VENDLINDJA THËRRET, në Zvicër. Është krenar gjithashtu se Shota, vajza e tij, është martuar me një bashkëluftëtar të saj, me Sami Asllanin, nga Deva e Gjakovës, e që të dy janë pjesëtarë të TMK-së. Familja e Kadriut jeton në Korishë të Prizrenit nga viti 2005.
Kadriu, ka lënë pas veti Zizën, të shoqën, me katër fëmijë:
Agroni, në shkollë të mesme ekonomike, Shabanin, Buraldën dhe Arbenin – të tre në shkollë fillore.

Emri dhe vepra heroike e Kadri Kokollarit për liri e bashkim kombëtar do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe shpirtin e mbarë popullit shqiptar!
 


Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi dëshmorëve të kombit me Komandantin legjendar Adem Jasharin!
Lavdi dëshmorit Kadri Kokollarit!

autori, Ramadan Pllana, Zvicer, 2009

Dëshmorët fotogaleria

Dëshmorët fotogaleria
>> Deshmoret e Kombit FOTOGALERIA IME <<

Galeria ime

Hogoshti eshte vendlindja e shqiponjave - Rroftè Shqipèria e Bashkuar


Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Rexhep Mala e Nuhi Berisha
Kenge nga atdhetari , artisti e kengetari Hysni Klinaku

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar

Metush Krasniqi - Bashkimi Kombetar
Kryepatriot Hero i Kombit Metush Krasniqi (Dokumentar)

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )

Deshmoret e Dardanes ( Kamenices )
Monografi, pjesa e parè

Kadri Zeka

Kadri Zeka
Kadri Zeka, Hero i Kombit,

Rahim Beqiri

Rahim Beqiri
Kenge per deshmorin e kombit Rahim Beqiri

Avdi Ibrahim Xhaqku

Avdi Ibrahim Xhaqku
Recital deshmorit Avdi Xhaqku

Besnik Maroca

Besnik Maroca
Besnik Maroca, deshmor i Kombit, jeta dhe vepra, emision

Musli Imeri

Musli Imeri
Bisede e imagjinuar, recital deshmorit Musli Imeri