Në 90 vjetorin
e lindjes së Gjon Serreqit
GJON SERREQI
IDEALISTI
SHEMBULLOR NGA LAGJJA
E
MARTIRËVE TË KOMBIT
------------------------------------------------------------
Gjon Serreçi,Ajet Gurguri, Ukë Sadiku e Osman Bunjaku pas nje gjykimi publik egzekutohen me 31 gusht 1947 ne "Strelishte" te Taukbashqes ne Prishtinë!
Sot po e
shënojmë, së bashku, për të parën herë në këtë nivel, Ditëlindjen e një
idealisti ndër më markantët në lagjen e martirëve të kombit tonë, të Gjon
Gjergj Serreqit, personalitet historik meteor i përjetshëm në qiellin e
copëzuar të shqiptarisë. Këtij konstatimi hyrës i flenë bukur urtia italiane:
“Kush nuk do atdheun, nuk do as Zotin!”
Martiri i kombit, Gjon Serreqi e deshi Atdheun, me tërë qenien e tij
njerëzore, u flijua për lirinë e kombit shqiptar dhe për tërësinë e Atdheut
shqiptar- Një dhe të pandarë, ashtu siç na e dhuroi Zoti, ndaj duke e dashtë
Atdheun, Gjoni e ka dashtë edhe Zotin - Personalitet Ky komplet,
me përjetësi historike.
U lind në
Ferizaj si sot para 90 vjetëve, pikërisht më 11 shkurt 1920. Në moshën 13
vjeç i vdiq e ëma, prizrenasja, Anica Kurti-Serreqi, duke lenë pas vetës
vajza e djem të shëndetshëm, për rritën dhe edukimin e të cilëve, më vonë, do
të angazhohet e njerka, Mana, e cila vinte nga Gjakova.
Martiri i
kombit, Gjon Serreqi, shkollën fillore në gjuhën serbe e mbaroi në
vendlindje, prej nga shkoi në “Seminarin
Ipeshkvnor” në Prizren. Meqë mësimi fetar për priftë nuk i shkoi për
shtati karakterit të tij luftarak, në vitin shkollor 1939/40, u diplomua në
gjimnaz. Në vitin shkollor në vijim, Gjoni do të regjistrohet në Fakultetin
Filozofik të Universitetit të Zagrebit, mirëpo studimet do t’i ndërpresë, në
shkurt të vitit 1941, me shumë gjasë, për shkaqe ekonomike, sepse i et,
Gjergji, një teneqepunues i varfër, me vështirësi i kamconte nevojat jetësore
për tetë fëmijët (pesë djem e tri vajza), gruan dhe vetën.
Mirëpo
përnjëherë pas shpërbërjes së Jugosllavisë Versajase, pikërisht në prill të
vitit 1941, Gjon Gjergj Serreqi, tashti 21 vjeç, shumë i gjallë, u gjet ashtu
si mundi dhe shkoi në Piza të Italisë, për t’i vazhduar studimet në
Fakultetin Filozofik. Prej aty, pas gjashtë muajsh, do të kalojë në Firence,
ku do të studiojë deri nga fundi i verës së vitit 1943.
Kemi të
dhëna të prekshme se gjatë shkollimit në Itali, Gjoni mbajti kontakte me
rininë shkollore e studentore të Kosovës, i përkushtuar fuqimisht çështjes së
lirisë së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, e cila ishte nisur në rrugën e
ribashkimit territorial e politik shtetëror. Se djaloshi i shëndetshëm, Gjon
Serreqi ishte i përkushtuar shqiptarisë, që nga fillet e studimeve në
Firence, kemi një dëshmi me shumë vlerë kulturore e dokumentare historike.
Pikërisht në dhjetorin e vitit 1941, Gjoni ia dhuroi nxënëses së gjimnazit “Sami Frashri” të Prishtinës, Rahmie
Xhemajl Kabashit- Dobroshi nga Prizreni, një pikturë që tregonte një Kullë
shqiptare të rrethuar me mur, kurse në oborr midis shumë drunjve të
gjelbëruar, shihet një Lis i madh me
degë e gjelbërim të bujshëm. Piktura është firmosur: “XII. 1941. Gjon Serreqi”. Kulla, muri,
lisi dhe gjelbërimi simbolizonin forcën, vjetërsinë dhe vitalitetin e
kombit shqiptar që do ta siguronte ribashkimi i Shqipërisë së copëtuar me
dhunë ballkanike, evropiane e botërore. Këtë mesazh të pikturës e pasuron
edhe përmbajtja e përkushtimit në shpinë të pikturës, shkruar me dorën e
Gjonit: “Talentet dhe çfar mundësie
t’kemi, t’gjitha i kemi vetëm për Nanen
Shqipni...! Nji kujtim i thjesht, por i përzemërt Shoqes Rahmies- nga nji
shok i djegun me ideale të shejta kombëtare...!”
Patrioti
Gjon Serreqi i ndoqi studimet me rregull krejt deri me zbarkimin e Aleatëve Anglo-Amerikan në
Sicili, kurse në Ferizaj e shohim nga mesi i gushtit të vitit 1943, i
mirëseardhur për pushtetmbajtësit e Nënprefekturës. Ndonëse aso kohe
Gjoni mund të ishte student i vitit të tretë, për rrethanat dhe kohën
konsiderohej si një intelektual vendas midis atyre që mund të numëroheshin në
gishtërinj të duarve, ndaj do të emërohet kryetar i komunës së Babushit, e
kjo ia mundësoi kontaktet me pushtetarë të niveleve të ndryshme si edhe me
krerët popullorë me ndikim në popull.
Koha kur
Gjon Serreqi ishte kryetar komune përputhet me kohën kur u forcuan
përpjekjet e individëve të bashkuar në “Lidhjen
e Dytë Shqiptare të Prizrenit”, për të realizuar ribashkimin e Shqipërisë
Natyrore para së të përfundonte Lufta e Dytë Botërore. Realisht, ishte
kërkesë shqiptare politike patriotike dominuese që vendet shqiptare të
bashkoheshin në një administratë shtetërore para se të ftohej konferenca
që do ta përmbyllte Luftën e përgjakshme të popujve.
Kryetari Gjon Serreqi, ndonëse i ri, vetëm
23 vjeç, qëndroi mirë në krye të detyrës, - i përkushtuar përpjekjeve për
realizimin e ribashkimit të kombit. Është fakt se Gjoni, aso kohe, nuk e
fshihte italofilinë, si edhe shumica e shqiptarëve katolikë, karshi masës
shqiptare islame, që ishte më shumë filogjermane. Ky fakt, strukturave
komuniste në vend u dha “argumente”
që Gjon Serreqin ta spiunonin në Gestapo, si “fashist italofil, të dëmshëm
për mirëqenien naziste në Nënprefekturën e Ferizajt”!?!
Kjo shërbeu si shkak për ta arrestuar, në
maj të vitit 1944. Këso kohe Gestapoja arrestoi shumë mësues e nëpunës
komunistë e ballistë, në të gjitha viset e “Shtetit Shqiptar”. Midis të
arrestuarve nga Gestapoja në Nënprefekturën e Ferizajt ishin antifashistët
e përfshirë në “Lëvizjen Antifashiste
Nacionalçlirimtare” komuniste: Idriz Ajet Gashi, Halit Ibishi, Abdullah
Musliu, Isuf Bajraktari, Xhevat Sojeva, Ibrahim grainca e të tjerë. Të
burgosurit nga Kosova, Gestapoja, fillimisht, i vendosi në “Kampin e Përqendrimit” në Prishtinë,
ku iu shtruan trajtimit dhe klasifikimit policor e gjyqësor: “Për dënim me varje publike”, “Për internim në Kampin “K-16” të Vjenës“
dhe “Për mbajtjen në kampet e
Përqendrimit në Shtetin Shqiptar”. Gjon Serreqi i takoi grupit që do të
dërgohet në Kampin “K-16” të Vjenës,
e gjetkë në Austri, kurse do të riatdhesohet në qershor të vitit 1945.
Kthimi në
Atdhe për patriotin Gjon Gjergj Serreqi ndodhi të ishte si një kthim nga
sprovat për njerëzit në “Rrethin e
tretë” në ato të “Rrethit të Shtatë
të Ferrit të Dantes”! Nuk gjeti asgjë nga liria që kombi shqiptar i
kishte përjetuar në periudhën e “okupimit” nazi-fashist nga 14 prilli 1941,
kur ndodhi largimi i forcave ushtarake e policore jugosllave nga pjesa më e
madhe e tokave shqiptare.
Fatkeqësisht,
tashti tokat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë Londineze ishin të
ujitura me gjakun e bijve më të mirë, të therë nga bartësit e “Diktaturës Proletare” kominterniste.
Të thuash, të gjitha vëllazëritë shqiptare, madje edhe pjesa më e madhe e
familjeve, bashkëjetonte me skamjen për kafshatën e gojës dhe me Zinë familjare
për humbjet e anëtarëve të familjes.
Në këtë gjendje katrani të vluar, Gjoni e
gjeti edhe familjen e vete. Serbët ia
kishin martirizuar vëllanë e vogël, Redin, 16 vjeçar, dhe ia kishin
pushkatuar burrin e motrës së madhe, prizrenasin Martin Kolveshi. Të Et,
Gjergjin, Gjoni e gjeti në pozitë të mjeruar. Këto rrethana të ndera,
familjare e shoqërore, ishin shkak potencial që do ta detyronin akëcilin
personalitet të sojit njerëzor të Gjon Serreqit të merrte, pa hezitim, krahun
e forcave politike e luftarake patriotike shqiptare të drejtuara nga
komitetet vendore e qarkore të “Organizatës
Nacional Demokratike Shqiptare”, kundër robëruesit jugosllav.
Që Gjoni të
vepronte më shlirshëm për idealet e tij jetësore - për “Nanen Shqipni...!”, fillimisht e liroi të fejuarën, me sugjerim
të martohej gjetkë! Dhe, këtu, kërkohet të ritheksoj faktin se nuk ekziston
asnjë e dhënë e besueshme, e kohës që flet se Gjon Serreqi ishte komunist,
apo prokomunist, siç e portretoi komunisti Ibrahim Grainca, e më vonë
endëshëist. Realisht, në jetën mbi njëvjeçare me komunistë shqiptarë në
kampet naziste, Gjon Serreqit iu imponua kultivimi i marrëdhënieve të afërta
shoqërore e miqësore me komunistët shqiptarë, e kjo do t’i hyje në punë,
madje, vetëm si arsye që të arsyetonte kërkesën për punësim në përputhje me
shkallën e arsimit që kishte.
Meqë, deri
në këtë kohë, ishte tërhequr nga Kosova pjesa më e madhe e kuadrit arsimor
shqiptar të kualifikuar, Gjon Serreqit do t’i mundësohet punësimi në “Gjimnazin Shqiptar të Prishtinës” si
mësimdhënës i matematikës dhe i historisë, kurse punën do ta fillojë nga fillimi i vitit shkollor 1945/46.
Këso kohe në gjimnaz vepronte një bërthamë e organizimit politik endëshëist, ku
gravitonin disa nxënës të lidhur me Komitetin Vendor të ONDSH-re të
Prishtinës, themeluar nga Hafëz Mehmet Mulla Salih Statovci.
Deri me sot,
në shumë shkrime e vepra historiografike është pasqyruar lidhja dhe
aktiviteti i Gjon Serreqit në organizimin endëshëist të nxënësve të
Gjimnazit Shqiptar të Prishtinës, ato me Komitetet vendore të ONDSH-re të
Prishtinës, e të Ferizajt si dhe me Komitetin Qendror të ONDSH-re me seli në
Shkup, nga nëntori i vitit 1945 deri më 27 prill 1946, kur Gjoni kaloi në ilegalitet,
por edhe aktiviteti politik e luftarak i Tij në radhët e “Organizatës Nr. 2” me seli në Drenicë,
e cila faktikisht veproi nga 27 tetori 1945 deri më 25 korrik l946, me rolin
e “Shtabit Politik e ushtarak” të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare”.
Patrioti
Gjon Serreqi, në këtë “Shtab” kreu
detyrën e “Sekretarit politik”, kurse komandant ishte Ajet Gurguri. Ky
organizim politik e ushtarak kombëtar - “Organizata
Nr. 2”, gjalloi në një periudhë trishtuese të shtetrrethimit policor e
ushtarak jugosllav, falë mbështetjes, dijes e guximit të pashembullt të Mulla
Arif Shalës - “Hoxhë Avdisë” së
Flamurasit, komandant i “Rojes
Partizane” e sekretar i komunës së Bushatit.
Këtu,
kërkohet të konstatojmë se organizimi
politik dhe luftarak i ONDSH-re me fillet nga marsi i vitit 1945,
fillimisht e synoi vazhdimin e përvojës programatike të “Ballit Kombëtar”, së këndejmi edhe kongreset i numëroi nga “Kongresi i Dytë i Ballit”. Kështu, Kongresi i Parë i ONDSH-re, në gusht
të vitit 1945, do të quhet “Kongresi i
Tretë”, ndonëse në këtë kongres, sipas propozimit të Profesor Luan
Gashit, “Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare” e mori emrin “Lëvizja për Lirimin e Tokave shqiptare”,
kurse strukturën organizative dhe “Programin”
do ta definoj “Kongresi i Katërt i
Lëvizjes për Lirimin e Tokave
shqiptare”, i mbajtur në Shkup, më 1 qershor 1946, nën udhëheqjen e
intelektualit dhe patriotit vlerë e kombit - Halim Ibrahim Orana nga Gjilani.
Kërkesat
tona jetësore na detyrojnë t’i rikujtojmë së bashku vetëm dy nga katër pikat
e “Programit” të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare”,
e cila, në kujtesën e popullit u përjetësua si NDSH-e. Në pikën Një kërkohej: “Liri dhe pamvarsi të plotë me të drejtë
vetqeverimi në bazë të vullnetit të popullit të çfaqun lirisht”, kurse në pikën Dy,
saktësohej: “Nen toka Shqiptare kuptohen krejt vendet ku banojnë
shqiptarët në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendi dhe nga kush asht i
pushtuem”. Dokumenti përfundonte me thirrjen: ”Rroftë Shqipnija e
vërtetë me kufijtë e sajë etnikë!".
Këtu kërkohet të konstatojmë faktin se dokumentet
e aprovuara në Kongresin e Katërt, si edhe dokumentet e tjera më të
rëndësishme të Komitetit Qendror të “Lëvizja për
Lirimin e Tokave shqiptare”, do të rishtypen në shumë kopje, dhe do të
shpërndahen në pjesë të ndryshme të Kosovës nga “Organizat Nr. 2” me seli në
Bushat të Drenicës, pikërisht me makinën zyrtare të sekretarit të komunës,
Mulla Arif Shala.
Se
veprimtari politik, Gjon Serreqi i ka qëndruar besnik mesazhit të “Përkushtimit të dhjetorit 1941” dhe se
ka vepruar me përkushtim jetësor për të zbatuar kërkesat e “Shemës së Organizimit” dhe të “Programit” të Lëvizjes, pasqyron në
mënyrë të plotë përmbajtja e një Letër-direktivës së Gjonit, shkruar “Në Malet e Drenicës, më 11 korrik 1946”,
drejtuar veprimtarit të Komitetit vendor të Lypjanit, Mulla Sadri
Prestreshës, që mbante pseudonimin “Shpresimi”.
Në këtë dokument, Gjon Serreqi, midis të tjerash, shkruante: “Shpresim i
dashtun, Nga aj Zotnija mora lajmet tua dhe më gëzoj, po ashtu sikur që më
gëzoi kur nji vlla do me shtri kontributin e vetë në luftën e këti Populli
Shqiptar për kufijt e Atdheut tonë...”! Letër- direktivën prej dy faqesh,
Gjoni e përfundoi me thirrjen:”Besa
Kombëtare - Ndera shqiptare! Rroft Ushtrija Nacional Demokrate Shqiptare! Në
luftë për kufijt e Shqipnis Etnike 1912 sene”.
Në këtë
frymë do të planifikohet përgatitja e Kongresit të Pestë të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare”,
i ftuar për datën 25 korrik 1946, e që duhej të mbahej në rajonin ku e kishte
të shtrirë aktivitetin politik e ushtarak “Organizata Nr. 2”. Mirëpo, OZN-a deri tashti i kishte kapur
lidhjet kryesore që çonin në “Komitetin
Qendror të Shkupit”, dhe midis 14 e 23 korrikut arrestoi të thuash të
gjithë anëtarët e Komitetit Qendror dhe, realisht, pamundësoi mbajtjen e “Kongresit
të Pestë” të Lëvizjes.
Veçanërisht
zbulimi midis “delegatëve” i dorës së kryeoznasit të Kosmetit, Spasoje
Gjakoviq, i quajtur Rexhep Lushi nga Carrabregu i Deçanit, solli ndjenjën e
pasigurisë para drejtuesve të forcave të armatosura të shtrohet pyetja: Në ç’udhë duhet të shpihet Lëvizja në
rrethanat e krijuara pas dënimit me vdekje të drejtuesve të "Komitet Central" ballist në krye me
fratin katolik Bernard Llupi, pas arrestimit të anëtarëve të Komitetit Qendror të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare,
e të shumë aktivistëve të saj si edhe të “Besës Kombëtare” të “Profesor” Ymer
Berishës, e veçmas pas vrasjes së Ymer Berishës, më 11 korrik 1946, i
planifikuar të emërohej Komandant i Përgjithshëm
i Ushtrisë Nacional Demokrate Shqiptare.
Pjesa më e
madhe e komandantëve të njësiteve ishin për vazhdimin e rezistencës, pa marrë
parasysh rrezikun, kurse kryetari dhe sekretari i “Organizatës Nr.2”, Gurguri e Serreqi ishin për tërheqjen e forcave
të armatosura në Greqi, “pa hequr dorë
nga Përpjekjet politike mbi Programin e Lëvizjes”! Në këtë frymë folën,
detyrimisht, edhe para delegatëve civilë dhe forcave të armatosura. Të
rikujtojmë këtu vetëm me një fragment nga Fjala
e Gjon Serreqit: "...Vëllezër
shqiptar, ne kemi dalë në male për të luftuar për atdheun tonë, që ta
çlirojmë tokën tonë nga robëruesi. Ne do t'i çlirojmë viset tona në kufijtë e
vitit 1912. Po luftojmë për Shqipërinë Etnike, për lirinë e popullit tonë, që
ta shpëtojmë nga robëria e shkatërrimi...!"
Megjithatë, “Kongresistët”
do të shpërndahen, para territ, në dy drejtime plotësisht të kundërta.
Realisht, ky ishte fundi i rezistencës shqiptare mbi Programin e aprovuar në
“Kongresin e Katërt”. Ajet Gurguri me Gjon Serreqin, të ndjekur nga 97
bashkëluftëtarë, do të mësyjnë "rrugën për në Shqipëri",
dhe, më 8 gusht 1946, do të shpartallohen nga OZN-a në malësi të Prizrenit.
Prej këndej, pas shumë peripecive, Gjon Serreqi i ndjekur nga prishtinasi Osman
Abaz Gagica, me prejardhje nga viset e Dardanës, aty
nga mesi i Gushtit 1946, do të gjendet në vise të Ferizajt, prej nga,
pas disa kontakteve me veprimtarë e me grupe të armatosura të Lëvizjes,
vazhdimisht nën përcjelljen e OZN-as, do të kalojnë në Anamoravën e Poshtme.
Këtu, frëngu i urtë, Volteri, do të na këshillonte: “Duaje të vërtetën dhe fale gabimin”! Idealisti i madh, Gjon Serreqi, nuk e vlerësoi
realisht situatën e sigurisë edhe pse kishte informata se OZN-a i kishte në
dorë personalitetet kyçe të Lëvizjes, se OZN-a tashti i mbante nën vëzhgim të
plotë pjesëtarët më markantë në Lëvizje, si edhe grupet e armatosura. Edhe në
rrethana të një realiteti të tillë, aty nga fillimi i tetorit 1946, Gjon
Serreqi u hyri përpjekjeve për përtëritjen e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare
politike e të armatosur. Hapin e parë në këtë drejtim e bëri në Shipashnicë
të Epërme, e pikërisht në familjen e Ramadan
Beqir - Dërmakut, që ishte nën reflektorët e OZN-as, për faktin se i nipi i
tij, Rexhepi, ishte në arrati, si njëri nga atentatorët kundër oficerit të
OZN‑ës, Shefki Beqir Gadimes, më 22 qershor 1946.
Me kompetencë shkencore mund të konstatojë
se sikur Gjon Serreqi ta kishte ndjekur përvojën e Mulla Idris Gjilanit, të
Ibrahim Lutfiut e të Hsan Remnikut, për veprim nga ilegaliteti i thellë,
(nisur nga virtytet e Ramadan Beqirit dhe të dy bashkëfshatarët e tij: Haqif
Mehmetit e të Sadri Sherifit, të cilët Gjoni i lidhi formalisht në një
“Komitet”), nuk do të ishte zbuluar as arrestuar nga OZN-a, deri sa vet do të
dekonspirohej me fajin e tij, siç ndodhi zbulimi i Mulla Idrisit, më 1949, i
Ibrahim Lutfiut, më 1950, dhe i Hasan Remnikut më 1951, aq më parë pasi Gjon
Serreqi e kishte edhe mbrojtjen e komandantit të Stacionit të Milicisë,
patriotit trim, Isa Dujaka nga viset e Gjakovës, i mbështetur nga katër
milicë besnikë.
Madje Gjon Serreqi shkoi aq larg sa që, në
natën e 20 tetorit 1946, mbajti “Kuvendin e të Arratisurve” e të veprimtarëve të Lëvizjes të
Anamoravës e të Kosovës Lindore. Në hapje të këtij “Kuvendi” Serreqi kërkoi: "Kush
dëshiron të qëndrojë në grup me mua dua ta dijë, e kush nuk dëshiron duhet të
ndahet prej nesh, përnjëherë!", ngase, ata që do të shkojnë, "nuk
duhet ta dinë se çka do të vendosim dhe as ku do të shkonim!".
OZN-a këtë “Kuvend”
e kishte mbajtur nën vëzhgim dhe të nesërmen, e
arrestoi kryetarin e Komitetit Qarkor të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave shqiptare” të Gjilanit, patriotin brilant, Rexhep Shemë Dajkovcin, i cili sa po
kthehej nga "takimi me ballistët". Me njohuri të madher të
fakteve mund të konstatoj se Rexhep Dajkovci është i vetmi endëshëistë që nuk
do të thyhet në hetuesinë policore barbare. Mirëpo OZN- a kishte informata
nga burime të tjera dhe në ditët në
vijim do të burgosen dhe vriten dhjeta veta anë e këndë Anamoravës, e
Kosovës, kurse më 10 shkurt 1947, forcat e OZN-as e rrethuan edhe “Bunkerin
e Njësitit të armatosur të Gjon Serreqit” në Shipashnicë, krejt afër
Stacionit të Milicisë. Planet e OZN-as i kishte zbuluar me kohë patrioti Isa
Dujaka, ndaj “Bunkeri i Gjonit” u gjet pa njeri brenda. Mirëpo OZN-a i
arrestoi mbështetësit besnikë të Gjon Serreqit, e kjo diktoi edhe
shpërndarjen e përnjëhershme të “Njësitit të Serreqit”. Nga tashti Gjon
Serreqi, prapë, mbeti në duart Osman Abaz Gagicës.
E kam thënë më se një herë dhe do t’ua
përkujtoj edhe sonte, se urtaku Salih Pirraku, duke përcjellë
përvojën familjare në Lëvizjen Kaçake nga babagjyshi e babai, dhe
të tijen deri në vitin 1941, ma la këtë amanet, më 1973: “Biri im! Nëse do të shkruani për
Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare Antijugosllave, shkruani për jatakët, se
ata janë më të mëdhenj se kaçakët...!" Dhe, me mbështetje të
pakontestueshme mund të konstatoj se një nderim të popullit e të
historianëve e meritojnë të gjithë mbështetësit, jatakët e Gjon Serreqit, në
vise të Drenicës, të Ferizajt, e të
Anamoravës.
Patrioti ekzemplar, Gjon
Serreqi, do të kapet nga OZN-a në orët e para të ditës së 25 shkurtit 1947,
në një kasolle mali në Desivojcë, i shoqëruar nga djaloshi trim e besnik i
madh, Rizah Bajram Shkodriqi. Gjurmët për kapjen e Gjonit i zbuloi
shoqëruesi, më besniku prej 25 korrikut 1946, Osman Abaz Gagica, i cili ishte
dorëzuar vetëm një ditë më parë, më 24 shkurt 1947, me kërkesën urdhëruese të
Gjon Serreqit. Osman Abazi në hetuesi nisi sipas mësimit të Gjonit, por u
thye!
Gjon Serreqi, së bashku me Ajet Gurgurin, Ukë Sadikun dhe Osman
Bunjakun, pas një gjykimi publik spektakular, do të ekzekutohen, më 31 gusht
1947, në Varrezën e Burrërisë Shqiptare nga Nëntori i Përgjakur 1944, në “Strelishtë” të Taukbashqes - Varr
Ky edhe sot i përdhosur nga NE - djemtë e nipat e Martirëve të Shqipërisë
Etnike!?! Megjithatë,
vazhdimisht ma kënda të shpresoj se Gjon Serreqi - Idealisti shembullor nga
lagjja e martirëve të kombit
Është gjallë, gjallë atje në male - në
kujtesën e popullit!
Akademi Përkujtimore - Prishtinë, 11 shkurt 2010
Pas gjykimit dhe dënimit me
vdekje nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, vendimin për pushkatim e kanë vërtetuar: udhëheqësit e Shërbimit të Seksionit të
Punëve të Brendshme:
Hashim Mustafa,
Gligorie Sharanoviq,
Sadri Doçi dhe
Vaso Jovanoviq.
Udhëheqës i Seksionit Mazllum
Nimani, kapiten dhe
Prokurori publik për Kosovë e Metohi, Ali Shukriu.