Monday, July 22, 2013

"Mallkimi i historisë" - poezi nga Ramadan Pllana

 


Ramadan PLLANA

Mallkimi i historisë

(Qeverisë dhe politikëbërësve aktualë)
 
 
- Kujdes dhe ruaju nga mallkimi i historisë
Se gjaku i dëshmorëve nuk bëhet ujë
- Kujdes se mallkimi të zënë edhe në fëmijë
Ngase e zeza nuk bëhet e bardhë kurrë

- Dje me entuziazëm betoheshe në UÇK-në
Amanetin e Adem Jasharit ta bëje realitet
- Kurse sot me politikën tënde lirinë po e vret
Kriminelet dhe keqëbërisit i amnistove me dekret

- Dje u betove në flamurin e Skënderbeut
I pathyeshëm në kazamate e në çdo barrikadë
- Tani mohove ngjyrën dhe këngën e mëmëdheut
Ndaj popullit me pushtet absolut e me shamatë

- Dje me një qëndrim burrëror e faqendritur
Trim sypatrembur ndaj armikut shekullor
- Tashti pse kaç zvarranik e servil i çoroditur
burokrat e i harlisur ndaj popullit skamnor

- Dje ishe për drejtësi e barazi shoqërore
Gojëmbël e i dashur me sjallje shembullore
- Tashti milioner e me një pasuri përrallore
Dredharak përfitues e matrapaz politik prore

- Këtë kohë të brishtë që po e përjetojmë
Nga ju e kemi o renegatë të të gjitha ngjyrave
- Po mos harroni se edhe ligjet e natyrës veprojnë
E do ju hedhin në koshat e historitë më të ndyra

Zvicër, më 22 korrik 2013